Mateu 8:1-34

8  Kur zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha.  Një i lebrosur+ u afrua dhe nisi të përkulej para tij e t’i thoshte: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»  Ai shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu.»+ Menjëherë ai u pastrua nga lebra.+  Pastaj Jezui i tha: «Shiko se mos i tregon njeriu!+ Por shko, paraqitu te prifti+ dhe jep dhuratën+ e caktuar nga Moisiu, që të shërbejë si dëshmi për ta.»  Kur hyri në Kapernaum,+ iu afrua një centurion, i cili me përgjërim  i tha: «Imzot, shërbyesi im dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan tmerrësisht.»  Ai i tha: «Kur të vij atje, do ta shëroj.»  Por centurioni iu përgjigj: «Imzot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time, por ti veç thuaj një fjalë dhe shërbyesi im do të shërohet.  Edhe unë jam një njeri nën autoritetin e të tjerëve, por kam edhe ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’+ dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Eja’ dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’ dhe ai e bën.» 10  Kur dëgjoi këtë, Jezui u mahnit dhe u tha atyre që e ndiqnin: «Vërtet po ju them se tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.+ 11  Unë po ju them se shumë veta do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi,+ e do të shtrohen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në mbretërinë+ e qiejve,+ 12  kurse bijtë e mbretërisë+ do të hidhen jashtë në errësirë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.»+ 13  Pastaj, Jezui i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë ashtu si besove!»+ Në atë çast shërbyesi u shërua. 14  Kur Jezui hyri në shtëpinë e Pjetrit, pa që vjehrra+ e këtij dergjej në shtrat me ethe.+ 15  Atëherë ai i preku dorën+ dhe ethet e lanë, e ajo u ngrit dhe zuri t’i shërbente.+ 16  Kur ra mbrëmja, njerëzit i çuan shumë veta të pushtuar nga demonët. Ai i dëboi frymërat me një fjalë dhe i shëroi të gjithë ata që kishin keq, 17  që të përmbusheshin fjalët e thëna nga profeti Isaia: «Ai mori sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.»+ 18  Kur pa një turmë rreth vetes, Jezui dha urdhër të shkonin në anën tjetër.+ 19  Një skrib iu afrua dhe i tha: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.»+ 20  Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.»+ 21  Pastaj, një dishepull tjetër i tha: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.» 22  Jezui ia ktheu: «Vazhdo të më ndjekësh dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit.»+ 23  Më pas ai hipi në barkë+ dhe dishepujt e ndoqën. 24  Kur ja, në det filloi një stuhi e madhe, aq sa barka po mbulohej nga dallgët. E megjithatë ai flinte.+ 25  Ata iu afruan, e zgjuan+ dhe i thanë: «Zotëri, na shpëto se mbaruam!» 26  Por ai u tha: «Përse keni frikë, o besëpakë?»+ Pastaj u ngrit, qortoi erërat e detin, dhe u bë një qetësi e madhe.+ 27  Ata u mahnitën dhe thanë: «Ç’njeri është ky,+ që i binden edhe erërat dhe deti?» 28  Kur mbërriti në anën tjetër, në vendin e gadarenëve,+ i dolën para dy të pushtuar nga demonët,+ të cilët po vinin nga varret.* Ata ishin jashtëzakonisht të egër, aq sa askush nuk guxonte të kalonte në atë rrugë. 29  Ata bërtisnin dhe thoshin: «Ç’punë kemi ne me ty, o Bir i Perëndisë?+ Mos ke ardhur këtu të na torturosh+ para kohe?»+ 30  Shumë larg tyre po kulloste një tufë e madhe me derra. 31  Kështu demonët nisën t’i përgjëroheshin: «Nëse na dëbon, na dërgo të futemi në tufën e derrave.»+ 32  Atëherë ai u tha: «Shkoni!» Prandaj ata dolën, u futën te derrat, dhe gjithë tufa u turr drejt buzës së greminës, ra në det dhe ngordhi në ujë.+ 33  Kurse çobanët ikën dhe, kur shkuan në qytet, treguan çdo gjë, përfshirë edhe punën e të pushtuarve nga demonët. 34  Gjithë qyteti i doli përpara Jezuit dhe, kur e panë, iu lutën me ngulm që të largohej nga krahina e tyre.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit».