Numrat 18:1-32
18 Jehovai i tha Aaronit: «Ti, bijtë e tu dhe shtëpia e atit tënd, do të përgjigjeni për çdo faj të bërë kundër shenjtërores,+ dhe ti bashkë me bijtë e tu do të përgjigjeni për çdo faj të bërë kundër priftërisë suaj.+
2 Sill këtu edhe vëllezërit e tu nga fisi i Levit, gjakun e babait tënd, që të bashkohen me ty e të të shërbejnë ty+ dhe bijve të tu, para tendës së Dëshmisë.+
3 Ata do të përmbushin detyrimin që kanë ndaj teje dhe ndaj gjithë tendës.+ Të mos u afrohen vetëm pajisjeve të vendit të shenjtë dhe altarit, që të mos vdesin+ as ata dhe as ju.
4 Ata do të bashkohen me ty dhe do të përmbushin detyrimin që kanë ndaj tendës së takimit, lidhur me gjithë shërbimin që duhet bërë në tendë. Askush tjetër të mos ju afrohet.+
5 Ju do të përmbushni detyrimin që keni ndaj vendit të shenjtë+ dhe ndaj altarit,+ që të mos shpërthejë më indinjata+ ime kundër bijve të Izraelit.
6 Ja, unë i kam marrë levitët, vëllezërit tuaj, nga gjiri i bijve të Izraelit+ si një dhuratë për ju,+ si ata që ia kanë dhuruar veten Jehovait për të shërbyer në tendën e takimit.+
7 Ti dhe bijtë e tu që janë me ty, duhet ta ruani priftërinë tuaj, duke u kujdesur për çdo gjë që ka të bëjë me altarin e me atë që është brenda perdes.+ Ky do të jetë shërbimi juaj.+ Unë do t’jua jap shërbimin priftëror si dhuratë, por çdokush tjetër që afrohet, duhet të vritet.»+
8 Jehovai i foli ende Aaronit: «Ja, unë të kam besuar ruajtjen e kontributeve që më bëhen.+ Nga të gjitha gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, ato t’i kam besuar ty dhe bijve të tu si pjesën tënde, si një pjesë që të është caktuar brez pas brezi.+
9 Ja pjesa që të takon nga gjërat shumë të shenjta, nga blatimet e bëra me zjarr: çdo blatim i tyre bashkë me çdo blatim në drithë,+ çdo blatim për mëkatin+ dhe çdo blatim për fajin,+ që do të më bëjnë mua. Kjo është shumë e shenjtë për ty dhe për bijtë e tu.
10 Haji ato në një vend shumë të shenjtë.+ Çdo mashkull le t’i hajë,+ dhe kjo të jetë një gjë e shenjtë për ty.+
11 Ja çfarë të takon ty: kontributi+ i marrë nga dhuratat e tyre bashkë me tërë blatimet e tundura+ të bijve të Izraelit. Unë t’i kam dhënë ato ty, bijve dhe bijave të tua që janë me ty,+ si një pjesë që të është caktuar brez pas brezi. Të gjithë ata që janë të pastër në shtëpinë tënde, mund t’i hanë.+
12 Gjithë vajin më të mirë, gjithë verën e re dhe drithin më të mirë, frytet e para+ që ata do të më japin mua, Jehovait, unë t’i kam dhënë ty.+
13 Të gjitha frytet e hershme që prodhon vendi e që ata do të sjellin para meje, Jehovait, do të jenë për ty.+ Të gjithë ata që janë të pastër në shtëpinë tënde, mund t’i hanë.
14 Çdo gjë që i kushtohet shenjtërores në Izrael, do të jetë jotja.+
15 Çdo gjë që çel barkun+ e çdo lloj mishi, që ata do të paraqitin para meje, Jehovait, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve, do të jetë për ty. Sidoqoftë, ti duhet të shpengosh patjetër të parëlindurin e njeriut+ dhe pjellën e parë të kafshës së papastër.+
16 Shpengoje me një çmim shpengimi, duke filluar nga një muaj e lart, sipas vlerës së llogaritur, pesë sikla argjendi sipas siklës së vendit të shenjtë,+ që është njëzet gera.+
17 Mos shpengo vetëm demin e parëlindur, qengjin e parëlindur mashkull ose kecin e parëlindur,+ pasi janë një gjë e shenjtë. Me gjakun+ e tyre spërkat altarin dhe dhjamin e tyre vëre të digjet si blatim i bërë me zjarr, me aromë të pëlqyeshme për Jehovain.+
18 Mishi i tyre do të jetë për ty. Ai do të jetë për ty njësoj si gjoksi i blatimit të tundur dhe kofsha e djathtë.+
19 Të gjitha kontributet e shenjta+ që bijtë e Izraelit do të më japin mua, Jehovait, unë t’i jap ty dhe bijve e bijave të tua që janë me ty, si një pjesë që të është caktuar brez pas brezi.+ Është një besëlidhje kripe në jetë të jetëve para Jehovait për ty dhe për pasardhësit e tu.»+
20 Më pas Jehovai i tha Aaronit: «Në tokën e bijve të Izraelit ti nuk do të kesh trashëgimi dhe nuk do të kesh asnjë pjesë mes tyre.+ Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes tyre.+
21 Ja, bijve të Levit u kam dhënë si trashëgimi çdo të dhjetë+ në Izrael, si shpërblim për shërbimin që po kryejnë në tendën e takimit.
22 Bijtë e Izraelit të mos i afrohen më tendës së takimit, që të mos mëkatojnë e të vdesin.+
23 Levitët do të shërbejnë në tendën e takimit, dhe pikërisht ata duhet të përgjigjen për fajin e popullit.+ Do të jetë një ligj i përhershëm për tërë brezat tuaj, që ata të mos marrin trashëgimi+ mes bijve të Izraelit.
24 Sepse të dhjetën që bijtë e Izraelit do t’ia japin si kontribut Jehovait, unë ua kam dhënë si trashëgimi levitëve. Prandaj u kam thënë atyre: ‘Mos merrni trashëgimi mes bijve të Izraelit.’»+
25 Pastaj Jehovai i tha Moisiut:
26 «Thuaju levitëve: ‘Do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetën që ju kam dhënë juve si trashëgimi+ dhe prej saj duhet të jepni një të dhjetën+ si kontribut për Jehovain.
27 Ky ka për t’u llogaritur si kontributi juaj, njësoj si drithi i lëmit+ dhe si prodhimi i bollshëm i shtypëses së rrushit ose i asaj të ullinjve.
28 Në këtë mënyrë edhe ju do të jepni kontribut për Jehovain nga tërë të dhjetat që do të merrni prej bijve të Izraelit. Nga ato duhet t’i jepni priftit Aaron kontributin për Jehovain.
29 Nga çdo dhuratë që ju bëhet, do të jepni më të mirat+ si kontribut për Jehovain, si diçka të shenjtë që vjen nga ato.’
30 Pastaj thuaju: ‘Kur ju, o levitë, të jepni si kontribut më të mirat tuaja,+ kjo do t’ju llogaritet si prodhimi i lëmit dhe si prodhimi i shtypëses së rrushit ose të ullinjve.
31 Hajini ato në çfarëdo vendi, ti bashkë me ata të shtëpisë sate, pasi është paga juaj si shpërblim për shërbimin që bëni në tendën e takimit.+
32 Lidhur me këtë mos mëkatoni, por jepni si kontribut më të mirën, dhe mos i përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që të mos vdisni.’»+