Numrat 31:1-54
31 Pastaj Jehovai i tha Moisiut:
2 «Merrua hakun+ midianitëve+ për bijtë e Izraelit, dhe pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd.»+
3 Kështu, Moisiu i tha popullit: «Disa burra ndër ju të armatosen për luftë, që të sulen kundër Midianit për të çuar në vend hakmarrjen e Jehovait.+
4 Nga të gjitha fiset e Izraelit do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis.»
5 Kështu, ndër mijëra burrat+ e Izraelit u caktuan nga një mijë burra për çdo fis, gjithsej dymbëdhjetë mijë burra të armatosur.+
6 Pastaj Moisiu i nisi në luftë burrat që ishin marrë një mijë nga çdo fis së bashku me Finehasin,+ birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë pajisjet e shenjta dhe trumbetat+ për të dhënë kushtrimin.
7 Ata luftuan kundër Midianit, siç e urdhëroi Jehovai Moisiun, dhe vranë të gjithë meshkujt.+
8 Bashkë me të tjerët, vranë edhe pesë mbretërit e Midianit, domethënë Evin, Rekemin, Zurin, Hurin dhe Rebën, që mbretëronin në Midian.+ Ata vranë me shpatë edhe Balaamin,+ birin e Beorit.
9 Por bijtë e Izraelit morën rob gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre,+ kurse të gjitha kafshët shtëpiake, bagëtinë e tyre dhe gjithë ç’kishin për të jetuar, i plaçkitën.
10 U vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku banonin dhe të gjitha kampeve të tyre të rrethuara me mur.+
11 Morën tërë plaçkën+ e tërë prenë, njerëz dhe kafshë shtëpiake.
12 Pastaj robërit, prenë dhe plaçkën ua çuan në kamp Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, në rrafshinat e shkreta të Moabit,+ afër Jordanit, përballë Jerikosë.
13 Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë u dolën para, jashtë kampit.
14 Por Moisiu u nxeh me burrat e caktuar të forcave ushtarake,+ me krerët e mijësheve dhe krerët e qindësheve që po ktheheshin nga fushata ushtarake.
15 Kështu, Moisiu u tha: «Keni lënë gjallë të gjitha femrat?+
16 A nuk ishin ato që, me fjalën e Balaamit, u mbushën mendjen bijve të Izraelit të vepronin pabesisht+ kundër Jehovait në ngjarjen e Peorit,+ saqë mbi asamblenë e Jehovait erdhi plaga?+
17 E pra, tani vritini të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë pasur marrëdhënie me një mashkull.+
18 Lini gjallë të gjitha vajzat që nuk kanë shkuar me një mashkull.+
19 Kurse ju fushoni për shtatë ditë jashtë kampit. Ata që kanë vrarë një shpirt+ dhe ata që kanë prekur një të vrarë,+ duhet të pastrohen+ ditën e tretë dhe ditën e shtatë, edhe ju, edhe robërit tuaj.
20 Duhet të pastroni nga mëkati të gjitha rrobat, të gjitha sendet prej lëkure, çdo gjë të bërë me lesh dhie dhe çdo send druri.»+
21 Prifti Eleazar u tha burrave të ushtrisë, që kishin marrë pjesë në betejë: «Ligji që i urdhëroi Jehovai Moisiut, është ky:
22 ‘Vetëm arin, argjendin, bakrin, hekurin, kallajin dhe plumbin,
23 çdo gjë që i qëndron zjarrit,+ duhet ta kaloni nëpër të dhe do të jetë e pastër. Vetëm se duhet të pastrohet edhe me ujin e pastrimit.+ Kurse të gjitha ato që nuk i qëndrojnë zjarrit, duhet t’i pastroni me atë ujë.+
24 Ditën e shtatë lani rrobat, dhe pas kësaj, kur të jeni të pastër, mund të hyni në kamp.’»+
25 Më pas Jehovai i tha Moisiut:
26 «Ti, prifti Eleazar dhe krerët e shtëpive atërore të asamblesë, numëroni prenë e zënë, robërit, si njerëzit, si kafshët shtëpiake.
27 Prenë ndaje në dy pjesë, midis atyre që morën pjesë në betejë e që shkuan në fushatë dhe gjithë pjesës tjetër të asamblesë.+
28 Nga luftëtarët që shkuan në fushatë, merr si taksë+ për Jehovain një shpirt në pesëqind: nga njerëzit, nga gjedhët, nga gomarët dhe nga dhentë.
29 Duhet ta merrni nga gjysma e luftëtarëve dhe t’ia jepni priftit Eleazar si kontribut për Jehovain.+
30 Nga gjysma e bijve të Izraelit duhet të marrësh një në pesëdhjetë: nga njerëzit, nga gjedhët, nga gomarët dhe nga dhentë, nga çdo lloj kafshe shtëpiake, dhe duhet t’ua japësh levitëve,+ atyre që përmbushin detyrimet që kanë në tabernakullin e Jehovait.»+
31 Moisiu dhe prifti Eleazar bënë pikërisht siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
32 Preja, pjesa tjetër e plaçkës që kishin zënë njerëzit që morën pjesë në fushatë, arriti në gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë kokë dhen,
33 shtatëdhjetë e dy mijë kokë gjedhë,
34 gjashtëdhjetë e një mijë gomarë
35 dhe tridhjetë e dy mijë shpirt,*+ domethënë femra që nuk kishin shkuar me një mashkull.+
36 Gjysma që u takoi atyre që shkuan në fushatë, arriti në treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind kokë dhen,
37 nga të cilat gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë kokë u dhanë si taksë+ për Jehovain;
38 tridhjetë e gjashtë mijë kokë gjedhë, nga të cilat shtatëdhjetë e dy kokë u dhanë si taksë për Jehovain;
39 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, nga të cilët gjashtëdhjetë e një u dhanë si taksë për Jehovain
40 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë shpirt, nga të cilët tridhjetë e dy u dhanë si taksë për Jehovain.
41 Kështu, Moisiu i dha priftit Eleazar taksën si kontribut për Jehovain,+ siç e urdhëroi Jehovai.+
42 Nga gjysma që u takonte bijve të Izraelit, të cilën Moisiu e ndau nga ajo që u takonte burrave që luftuan,
43 gjysma që i takonte asamblesë arriti në treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind kokë dhen,
44 tridhjetë e gjashtë mijë kokë gjedhë,
45 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë
46 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë shpirt.
47 Nga gjysma që u takonte bijve të Izraelit, Moisiu mori një të pesëdhjetën nga njerëzit dhe kafshët shtëpiake, dhe, siç e urdhëroi Jehovai, ua dha levitëve,+ atyre që përmbushnin detyrimet+ në tabernakullin e Jehovait.
48 Njerëzit e caktuar të çdo njësie ushtarake,* domethënë krerët e mijësheve+ dhe krerët e qindësheve,+ iu afruan Moisiut
49 dhe i thanë: «Shërbëtorët e tu numëruan luftëtarët që janë nën urdhrat tanë dhe raportohet se nuk mungon asnjë.+
50 Prandaj të gjithë ne po paraqitim si blatim për Jehovain+ gjërat që gjetëm: sende ari, zinxhirë këmbe, byzylykë, unaza me nënshkrim,+ vathë dhe zbukurime grash,+ që të bëjmë shlyerjen për shpirtrat tanë para Jehovait.»
51 Kështu, Moisiu dhe prifti Eleazar pranuan prej tyre arin,+ po, tërë bizhuteritë.
52 Gjithë ari i kontributit që dhanë për Jehovain krerët e mijësheve dhe krerët e qindësheve, arriti në gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë sikla.
53 Burrat e ushtrisë e mbajtën për vete plaçkën që zunë.+
54 Kështu, Moisiu dhe prifti Eleazar e pranuan arin nga krerët e mijësheve dhe të qindësheve dhe e çuan atë në tendën e takimit, që të shërbente si një përkujtim+ para Jehovait për bijtë e Izraelit.