Veprat 11:1-30
11 Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude, dëgjuan se edhe njerëzit e kombeve+ e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.
2 Kështu, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, përkrahësit e rrethprerjes+ nisën të haheshin me të,
3 duke thënë se ai kishte hyrë në shtëpinë të parrethprerëve e kishte ngrënë me ta.
4 Atëherë, Pjetri filloi t’u shpjegonte fill e për pe:
5 «Isha në qytetin e Jopës dhe po lutesha. Pashë në vegim një lloj ene që zbriste nga qielli si një pëlhurë e madhe liri, e mbajtur nga katër cepat, që erdhi deri tek unë.
6 Ia ngula sytë e pashë se brenda kishte krijesa katërkëmbëshe të tokës, kafshë të egra, rrëshqanorë dhe zogj të qiellit.+
7 Dëgjova edhe një zë të më thoshte: ‘Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!’+
8 Por unë ia ktheva: ‘Kurrsesi, Zotëri, se nuk kam futur kurrë në gojë asgjë të ndotur a të papastër.’+
9 Herën e dytë zëri nga qielli më tha: ‘Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.’+
10 Zëri foli edhe një herë të tretë, dhe gjithçka u tërhoq sërish në qiell.+
11 E ja, atë çast, tre burra të dërguar nga Cezarea për tek unë, ishin para shtëpisë ku rrinim.+
12 Fryma+ më tha të shkoja me ta, pa dyshuar aspak. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu.+
13 Ai na tregoi se kishte parë një engjëll të vinte në shtëpinë e tij e t’i thoshte: ‘Dërgo njerëz në Jopë dhe thirr Simonin e mbiquajtur Pjetër.+
14 Ai do t’ju thotë ato gjëra nëpërmjet të cilave mund të shpëtosh+ ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate.’
15 Kur fillova të flisja, fryma e shenjtë zbriti mbi ta, ashtu siç zbriti në fillim edhe mbi ne.+
16 Atëherë, më erdhën ndër mend fjalët e Zotërisë: ‘Gjoni pagëzoi me ujë,+ por ju do të pagëzoheni me frymë të shenjtë.’+
17 Prandaj, nëse Perëndia u dha atyre të njëjtën dhuratë falas që na dha edhe neve që besuam në Zotërinë Jezu Krisht,+ kush isha unë që të pengoja Perëndinë?»+
18 Kur dëgjuan këto, ata ranë në një mendje me të+ dhe i dhanë lavdi Perëndisë+ me fjalët: «E pra, Perëndia u dha edhe njerëzve të kombeve mundësinë për t’u penduar që të kenë jetë.»+
19 Kështu, ata që u shpërndanë+ nga shtrëngimi që lindi për shkak të Stefanit, shkuan deri në Feniki,+ Qipro+ dhe Antioki, por nuk ia thanë fjalën askujt tjetër, përveç judenjve.+
20 Megjithatë, midis tyre kishte disa njerëz nga Qiproja dhe Kirena, që vajtën në Antioki dhe nisën t’u shpallnin lajmin e mirë+ për Zotërinë Jezu atyre që flitnin greqisht.+
21 Dora e Jehovait+ ishte me ta, e një numër i madh njerëzish besuan dhe u kthyen te Zotëria.+
22 Fjala për ta i shkoi në vesh kongregacionit në Jerusalem, e ata dërguan Barnabën+ në Antioki.
23 Kur mbërriti dhe pa dashamirësinë e pamerituar+ të Perëndisë, ai gëzoi+ dhe filloi t’u jepte zemër të gjithëve, që t’i qëndronin besnikë Zotërisë,+
24 pasi ishte njeri i mirë dhe plot frymë të shenjtë e besim. Kështu, një turmë mjaft e madhe iu shtua Zotërisë.+
25 Pastaj u nis për në Tars,+ që të kërkonte kudo Saulin+
26 dhe pasi e gjeti, e çoi në Antioki. Kështu, për një vit të tërë mblidheshin në kongregacion me ta e mësuan një turmë mjaft të madhe. Dishepujt u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor, për herë të parë në Antioki.+
27 Ato ditë, zbritën profetë+ nga Jerusalemi në Antioki.
28 Njëri prej tyre, që quhej Agab,+ u ngrit, e nëpërmjet frymës, tha se në gjithë tokën e banuar do të vinte pas pak një zi buke e madhe,+ që erdhi vërtet në kohën e Klaudit.
29 Kështu, dishepujt vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë,+ të jepte ndihmë+ për vëllezërit që banonin në Jude.
30 Kështu bënë dhe ua nisën pleqve nëpërmjet Barnabës dhe Saulit.+