Veprat 13:1-52
13 Në Antioki, profetë+ dhe mësues në kongregacionin vendës ishin: Barnaba, Simioni që quhej Niger, Luci+ nga Kirena, Manaeni që ishte arsimuar me Herodin, qeveritarin e krahinës, dhe Sauli.
2 Ndërsa i shërbenin+ Jehovait dhe agjëronin, fryma e shenjtë tha: «Nga të gjithë, më ndani veç Barnabën dhe Saulin+ që të bëjnë veprën për të cilën i kam thirrur.»
3 Atëherë, ata agjëruan, u lutën, vunë duart+ mbi ta dhe i lanë të iknin.
4 Këta burra të dërguar nga fryma e shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që atje lundruan për në Qipro.
5 Si mbërritën në Salaminë, nisën të shpallnin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve. Me vete kishin edhe Gjonin+ si ndihmës.
6 Pasi përshkuan gjithë ishullin deri në Pafo, takuan një burrë, një jude me emrin Bar-Jezu, magjistar e profet i rremë.+
7 Ai ishte me prokonsullin Sergj Pal, një burrë i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin e kërkoi me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë.
8 Por magjistari Elim (siç përkthehet emri i tij), iu kundërvu atyre+ e orvatej ta mbante prokonsullin larg besimit.
9 Sauli, që quhej edhe Pavël, i mbushur me frymë të shenjtë e shikoi ngultas
10 dhe i tha: «O njeri i mbushur me çdo lloj mashtrimi e poshtërsie, ti, bir i Djallit+ e armik i çdo gjëje të drejtë, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Jehovait?
11 E pra, tani, dora e Jehovait është mbi ty, dhe ti do të jesh i verbër e nuk do ta shohësh për njëfarë kohe dritën e diellit.» Mjegull e dendur dhe errësirë ra në çast mbi të, dhe ai shkonte rreth e përqark, duke kërkuar që ndonjë ta hiqte për dore.+
12 Atëherë, kur pa se ç’ndodhi, prokonsulli+ u bë besimtar, pasi u mahnit nga mësimi i Jehovait.
13 Burrat bashkë me Pavlin, nisën lundrimin nga Pafo dhe mbërritën në Pergë të Pamfilisë.+ Por Gjoni+ u largua prej tyre dhe u kthye+ në Jerusalem.
14 Megjithatë, nga Perga vazhduan rrugën dhe arritën në Antioki të Pisidisë. Ditën e sabatit hynë dhe u ulën në sinagogë.+
15 Pasi u lexua Ligji+ dhe Profetët, të parët+ e sinagogës dërguan njerëz t’u thoshin: «Burra, vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë inkurajimi për popullin, thuajeni!»
16 Kështu, Pavli u ngrit, e si bëri shenjë+ me dorë, tha:«Burra, izraelitë dhe ju të tjerë që i frikësoheni Perëndisë, dëgjoni!+
17 Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi paraardhësit tanë dhe, kur populli banonte në dhé të huaj, në Egjipt, e lartësoi dhe e nxori që andej me krah të fortë.*+
18 Për rreth dyzet vjet+ ai e duroi në shkretëtirë.
19 Pasi shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit, ua ndau vendin me short:+
20 e gjitha kjo ndodhi për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet.Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.+
21 Por që atëherë, ata kërkuan të kishin mbret,+ dhe Perëndia u dha për dyzet vjet Saulin, birin e Kishit, një burrë nga fisi i Beniaminit.+
22 Pasi hoqi atë,+ ai bëri mbret të tyre Davidin,+ për të cilin dha dëshmi dhe tha: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut,+ një njeri siç ma do zemra,+ i cili do të bëjë gjithçka që dëshiroj.’+
23 Nga pasardhësit+ e këtij njeriu, Perëndia i solli Izraelit siç i premtoi, një shpëtimtar,+ Jezuin,
24 pasi Gjoni+ i predikoi të gjithë popullit të Izraelit pagëzimin në simbol të pendimit, para se të vinte Ai.+
25 Por, kur po mbaronte udhën e tij, Gjoni thoshte: ‘Ç’pandehni se jam? Unë nuk jam ai. Por ja, tek po vjen pas meje ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.’+
26 Burra, vëllezër, ju bij të trungut të Abrahamit dhe ju të tjerë që i frikësoheni Perëndisë, fjala e këtij shpëtimi na është dërguar neve.+
27 Sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e njohën Atë,+ përkundrazi me gjykimin e tyre, përmbushën gjërat e shprehura nga Profetët,+ gjëra që lexohen me zë çdo sabat.
28 E megjithëse nuk gjetën asgjë që ai të meritonte vdekjen,+ i kërkuan Pilatit që të ekzekutohej.+
29 Si i përmbushën të gjitha gjërat e shkruara për të,+ e zbritën nga shtylla+ dhe e vunë në varr.*+
30 Por Perëndia e ngriti nga të vdekurit,+
31 dhe për shumë ditë ai iu shfaq atyre që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jerusalem, të cilët tani japin dëshmi për të para popullit.+
32 Ne pra, po ju shpallim lajmin e mirë për premtimin që iu bë paraardhësve tanë,+
33 të cilin Perëndia e përmbushi tërësisht për ne, bijtë e tyre, duke e ringjallur Jezuin,+ siç shkruhet edhe në psalmin e dytë: ‘Ti je biri im, sot unë jam bërë Ati yt.’+
34 Faktin që e ringjalli Jezuin nga të vdekurit që të mos kthehej më në kalbje, Perëndia e shpalli me këto fjalë: ‘Do t’ju tregoj dashamirësinë e përjetshme kundrejt Davidit.’+
35 Në një psalm tjetër ai thotë: ‘Ti nuk do të lejosh që shërbëtori yt besnik të kalbet.’+
36 Sepse, ndonëse Davidi+ i shërbeu vullnetit të qartë të Perëndisë në brezin e vet, ai ra në gjumin e vdekjes, u vu me paraardhësit e tij dhe u kalb.+
37 Kurse ai që Perëndia e ngriti, nuk u kalb.+
38 Prandaj, dijeni, vëllezër, se nëpërmjet Jezuit ju është shpallur falja e mëkateve+
39 dhe se me anë të tij, kushdo që beson, shpallet i pafaj+ nga gjithçka që ligji i Moisiut+ nuk mund ta shpallte të pafaj.
40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në Profetët:
41 ‘Shihni, ju o përbuzës, çudituni dhe tretuni, sepse në ditët tuaja unë po bëj një vepër, të cilën ju nuk do ta besoni kurrsesi, edhe sikur ndokush t’jua tregojë me hollësi.’»+
42 Kur po dilnin, populli iu përgjërua që edhe sabatin tjetër t’u flitnin për këto gjëra.+
43 Kështu, pasi u shpërndanë njerëzit nga sinagoga, shumë judenj dhe prozelitë* që adhuronin Perëndinë, ndoqën Pavlin dhe Barnabën,+ të cilët u flitnin dhe i nxitnin+ të qëndronin në dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë.+
44 Sabatin tjetër, pothuajse i gjithë qyteti u mblodh të dëgjonte fjalën e Jehovait.+
45 Kur panë turmat, judenjtë vlonin nga xhelozia+ dhe nisën t’u kundërviheshin me fjalë blasfemuese atyre që thoshte Pavli.+
46 Atëherë, Pavli dhe Barnaba thanë me guxim: «Fjala e Perëndisë duhej t’ju thuhej më parë juve.+ Por meqë po e hidhni poshtë+ e nuk e quani veten të denjë për jetën e përhershme, ja, ne po shkojmë te kombet.+
47 Në të vërtetë, Jehovai na urdhëroi me këto fjalë: ‘Të kam caktuar si dritë të kombeve,+ që të çosh shpëtimin deri në skajet e tokës.’»+
48 Kur e dëgjuan këtë njerëzit e kombeve, gëzuan e i dhanë lavdi fjalës së Jehovait.+ Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë.+
49 Veç kësaj, fjala e Jehovait përhapej në mbarë vendin.+
50 Por judenjtë+ shtynë gratë e nderuara që adhuronin Perëndinë dhe të parët e qytetit të nxitnin përndjekje+ kundër Pavlit dhe Barnabës, dhe i flakën jashtë kufijve të qytetit.
51 Këta shkundën pluhurin e këmbëve si dëshmi kundër tyre+ dhe shkuan në Ikoni.
52 Dishepujt ishin plot gëzim+ dhe frymë të shenjtë.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «të ngritur».
^ Fjalë për fjalë «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit».
^ Ose «ata që kanë kthyer fenë».