Veprat 16:1-40
16 Kështu, mbërriti në Derbë, e pastaj në Listër.+ Atje ishte një dishepull që quhej Timote,+ i biri i një gruaje judeje besimtare, por me baba grek.
2 Vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë për të.
3 Pavli shprehu dëshirën që ai të shkonte me të dhe e mori, por më parë e rrethpreu+ për shkak të judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte grek.
4 Nëpër qytetet ku shkonin, njoftonin dekretet e vendosura nga apostujt dhe pleqtë në Jerusalem,+ që ata t’i zbatonin.
5 Si pasojë, kongregacionet bëheshin të patundura në besim+ dhe rriteshin ditë për ditë.
6 Veç kësaj, ata kaluan përmes Frigjisë dhe Galatisë,+ sepse fryma e shenjtë ua kishte ndaluar ta thoshin fjalën në krahinën e Azisë.
7 Si mbërritën në Misi, bënë përpjekje të shkonin në Bitini,+ por Jezui nëpërmjet frymës nuk i lejoi.
8 Kështu, kaluan Misinë dhe zbritën në Troadë.+
9 Gjatë natës, Pavlit iu shfaq në vegim+ një burrë maqedonas, që rrinte në këmbë dhe i përgjërohej: «Kalo në Maqedoni* dhe na ndihmo!»
10 Menjëherë pas vegimit, u përpoqëm të shkonim në Maqedoni,+ pasi dolëm në përfundimin se Perëndia na kishte thirrur për t’u shpallur lajmin e mirë atyre.
11 Prandaj, nga Troada nisëm lundrimin drejt Samotrakës, ndërsa ditën tjetër lundruam drejt Neapolit.
12 Që atje shkuam në Filipi,+ një koloni, që është qyteti kryesor i krahinës së Maqedonisë.+ Ndaluam në atë qytet, dhe kaluam atje disa ditë.
13 Ditën e sabatit dolëm jashtë portës së qytetit, buzë një lumi, ku mendonim se kishte një vend për t’u lutur. U ulëm e nisëm t’u flitnim grave që ishin mbledhur.
14 Një grua me frikë Perëndie që quhej Lidia, një shitëse të purpurtash nga qyteti i Tiatirës,+ po dëgjonte. Jehovai ia hapi plotësisht zemrën,+ që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli.
15 Pasi ajo dhe ata të shtëpisë së saj u pagëzuan,+ na tha me përgjërim: «Nëse më quani besnike të Jehovait, hyni në shtëpinë time e rrini.»+ Dhe na detyroi të venim.+
16 Tek shkonim për në vendin e lutjes, na doli para një shërbëtore që kishte një frymë,+ një demon falli.+ Ajo u sillte shumë fitime+ zotërinjve të saj me zanatin e parashikimit.
17 Ajo vajzë na ndiqte pas ne dhe Pavlin, e thërriste:+ «Këta njerëz, që po ju shpallin udhën e shpëtimit, janë skllevër të Më të Lartit Perëndi!»
18 Këtë e bëri për shumë ditë. Më në fund, Pavli u lodh,+ u kthye dhe i tha frymës: «Në emër të Jezu Krishtit të urdhëroj të dalësh prej saj.»+ Dhe fryma doli në çast.+
19 E pra, kur zotërinjtë e saj panë se s’kishin më shpresë të nxirrnin fitime+ nga ajo, zunë Pavlin dhe Silën e i çuan zvarrë në sheshin e pazarit te qeveritarët.+
20 Si i nxorën para administruesve civilë, thanë: «Këta njerëz, që janë judenj, po na e turbullojnë+ shumë qytetin
21 dhe mësojnë zakone+ që ne nuk mund t’i pranojmë e t’i ndjekim, sepse nuk janë të ligjshme për ne si romakë.»
22 Gjithë turma u ngrit kundër tyre. Administruesit civilë ua shqyen rrobat dhe dhanë urdhër që të rriheshin me thupër.+
23 Pasi i rrahën shumë,+ i futën në burg, dhe e urdhëruan rojën t’i ruante mirë.+
24 Meqë i dhanë një urdhër të tillë, ai i futi ata në pjesën më të brendshme të burgut+ dhe ua shtrëngoi këmbët në fallaka.*+
25 Por aty nga mesi i natës,+ Pavli dhe Sila po luteshin dhe po lëvdonin Perëndinë me këngë.+ Të burgosurit po i dëgjonin.
26 Befas ra një tërmet aq i madh, sa u tronditën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën në çast, dhe të gjithëve iu zgjidhën vargonjtë.+
27 Rojës së burgut i doli gjumi, dhe kur pa dyert të hapura, nxori shpatën e u bë gati të vriste veten,+ pasi kujtoi se të burgosurit kishin ikur.+
28 Por Pavli thërriti: «Mos i bëj keq vetes,+ se ne jemi të gjithë këtu!»
29 Kështu, ai kërkoi diçka për të bërë dritë, hyri vrik brenda dhe, duke u dridhur i tëri, i ra ndër këmbë+ Pavlit dhe Silës.
30 Si i nxori jashtë, tha: «Zotërinj, ç’duhet të bëj+ që të shpëtoj?»
31 Ata iu përgjigjën: «Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh+ ti dhe ata të shtëpisë sate.»+
32 Pastaj i thanë fjalën e Jehovait atij dhe të gjithë atyre të shtëpisë së tij.+
33 Në atë orë të natës ai i mori me vete, u lau plagët dhe që të gjithë, ai bashkë me të tijtë, u pagëzuan+ pa vonuar.
34 I çoi në shtëpinë e tij e u shtroi tryezën. Tani që besonte te Perëndia, ai bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet, ishte shumë i gëzuar.
35 Kur zbardhi dita, administruesit civilë+ dërguan liktorët për t’i thënë: «Liroji ata njerëz!»
36 Kështu, roja e burgut i çoi këto fjalë Pavlit: «Administruesit civilë kanë dërguar njerëz që ju të dy të liroheni. E pra, dilni dhe shkoni në paqe.»
37 Por Pavli ua ktheu: «Ata na rrahën para të gjithëve pa qenë të dënuar, ne që jemi romakë,+ na futën në burg, e tani po na flakërkan jashtë fshehurazi?! Kurrsesi, jo! Le të vijnë vetë e të na nxjerrin!»
38 Kështu, liktorët ua çuan këto fjalë administruesve civilë. Kur dëgjuan se ata burra ishin romakë, këta u frikësuan.+
39 Prandaj, vajtën dhe iu përgjëruan, e pasi i nxorën nga burgu, u kërkuan të iknin nga qyteti.
40 Por ata, me të dalë nga burgu, shkuan në shtëpinë e Lidias, e kur panë vëllezërit, u dhanë zemër+ dhe u nisën.
Shënimet
^ «Maqedoni» ishte emri i një province romake. Ngjarjet biblike që lidhen me Maqedoninë, ndodhën në territorin e Greqisë së sotme.
^ Një mjet i lashtë ku mbërtheheshin të burgosurit për t’u ndëshkuar.