Veprat 24:1-27

24  Pesë ditë më vonë, kryeprifti Anania+ zbriti te guvernatori+ bashkë me disa pleq dhe një gojëtar, njëfarë Tertuli, për të folur+ kundër Pavlit.  Kur e thirrën, Tertuli filloi ta akuzonte Pavlin:«Meqë falë teje gëzojmë paqe të madhe+ dhe falë largpamësisë sate në këtë komb po bëhen reforma,  ne, Shkëlqesia juaj+ Feliks, i presim këto me mirënjohjen më të madhe në çdo kohë e në çdo vend.  Por, që të mos të mbaj më gjatë, të përgjërohem të na dëgjosh shkurtimisht në mirëdashjen tënde.  Sepse kemi zbuluar se ky njeri është një murtajë,+ që nxit kryengritje+ mes gjithë judenjve anembanë tokës së banuar, dhe është prijës i sektit të nazareasve.+  Është ai që u orvat të përdhoste edhe tempullin,+ por që ne e kapëm.  ——*  Ti mund të sigurohesh vetë për të gjitha këto që ne po e akuzojmë, duke e marrë në pyetje.»  Ndërkaq, edhe judenjtë u bashkuan në sulm me të, duke pohuar se ashtu ishte. 10  Kur guvernatori i bëri shenjë të fliste, Pavli u përgjigj:«E di mirë se ky komb të ka pasur gjykatës për shumë vjet, ndaj flas pa ngurruar në mbrojtje+ të çështjes sime. 11  E di që ti mund të sigurohesh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që u ngjita në Jerusalem për të adhuruar,+ 12  dhe se ata nuk më gjetën as në tempull,+ duke debatuar me ndonjë, as duke ngritur në këmbë ndonjë turmë,+ qoftë në sinagoga, qoftë nëpër qytet. 13  Ata as nuk janë në gjendje t’i provojnë+ gjërat, për të cilat po më akuzojnë tani. 14  Por, këtu para teje, them këtë: unë po i bëj shërbim të shenjtë Perëndisë së paraardhësve të mi+ sipas udhës që ata e quajnë ‘sekt’, pasi i besoj të gjitha gjërat e paraqitura në Ligj+ dhe të shkruara në Profetët. 15  Veç kësaj, kam shpresë+ te Perëndia, shpresë që e kanë edhe këta njerëz, se do të ringjallen+ si të drejtët,+ edhe të padrejtët.+ 16  Prandaj edhe përpiqem vazhdimisht, që të mund të them me ndërgjegje të pastër+ se nuk kam kryer asnjë faj kundër Perëndisë dhe njerëzve. 17  Kështu, pas shumë vjetësh mbërrita për t’i sjellë lëmoshë kombit tim dhe për të bërë blatime.+ 18  Ndërsa bëja këto, ata më gjetën në tempull ndërkohë që isha i pastër ceremonialisht,+ dhe jo me një turmë a në ndonjë trazirë. Por atje ishin disa judenj nga krahina e Azisë, 19  të cilët duhej të ishin të pranishëm para teje, dhe po të kishin gjë kundër meje, të më akuzonin.+ 20  Ose le ta thonë vetë këta që janë këtu ç’faj gjetën, kur dola para Sinedrit, 21  veç në qoftë për këtë shprehje që thashë, ndërsa isha mes tyre: ‘Për ringjalljen e të vdekurve po gjykohem sot para jush!’»+ 22  Megjithatë, Feliksi,+ që i dinte me shumë saktësi gjërat për këtë Udhë,+ e shtyu çështjen e tyre dhe tha: «Kur të zbresë komandanti ushtarak Lisia,+ do të vendos për çështjen tuaj.» 23  Pastaj e urdhëroi centurionin që ky njeri të mbahej nën ruajtje, t’i bëhej ndonjë lëshim dhe të mos ndalonte asnjë nga njerëzit e tij t’i shërbente.+ 24  Disa ditë më pas, mbërriti Feliksi+ me Drusilën, gruan e tij, e cila ishte judeje,+ e ai dërgoi të thërritnin Pavlin dhe e dëgjoi rreth besimit në Krishtin Jezu.+ 25  Por, ndërsa ai fliste për drejtësinë,+ vetëkontrollin+ dhe gjykimin+ që do të vinte, Feliksi u tremb dhe i tha: «Për tani, shko. Kur të gjej kohën e përshtatshme, do të dërgoj të të thërrasin prapë.» 26  Megjithatë, ai shpresonte edhe që Pavli t’i jepte para.+ Prandaj, dërgonte ta thërritnin gjithnjë e më shpesh e bisedonte me të.+ 27  Por pas dy vjetëve, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi e meqë Feliksi donte të kishte pëlqimin+ e judenjve, e la Pavlin të lidhur.

Shënimet

Shih shënimin te Mt 17:21.