Veprat 25:1-27
25 Festi hyri+ në qeverinë e provincës dhe, tri ditë më pas, u ngjit nga Cezarea në Jerusalem.+
2 Krerët e priftërinjve dhe të parët e judenjve i folën+ kundër Pavlit. Kështu, ata filluan t’i përgjëroheshin
3 e t’i kërkonin t’u bënte nderin që të dërgonte ta sillnin Pavlin në Jerusalem, pasi po i ngrinin pritë+ për ta vrarë gjatë rrugës.
4 Megjithatë, Festi u përgjigj se Pavli duhej të mbahej në Cezare, dhe se ai vetë do të nisej pas pak kohe për atje.
5 «Prandaj, në pastë ndonjë të keqe te ky njeri,—tha ai,—le të zbresin bashkë me mua ata që janë me pushtet ndër ju e ta akuzojnë.»+
6 Kështu, si qëndroi tetë a dhjetë ditë me ta, ai zbriti në Cezare, dhe të nesërmen u ul në fronin e gjykimit+ e urdhëroi që të sillej Pavli.
7 Kur Pavli erdhi, judenjtë që zbritën nga Jerusalemi e rrethuan dhe ngritën kundër tij akuza të shumta e të rënda,+ të cilat nuk mund t’i provonin.
8 Por Pavli mbrojti veten: «Nuk kam kryer asnjë mëkat+ as kundër Ligjit të judenjve, as kundër tempullit,+ as kundër Cezarit.»
9 Festi, që donte të fitonte pëlqimin+ e judenjve, iu përgjigj: «A do që të ngjitesh në Jerusalem e atje të gjykohesh para meje për këto gjëra?»+
10 Por Pavli i tha: «Po qëndroj para fronit të gjykimit të Cezarit,+ ku duhet të gjykohem. Siç e sheh fort mirë edhe ti, nuk kam bërë asnjë padrejtësi kundër judenjve.+
11 Në qofsha vërtet keqbërës+ a në paça kryer ndonjë gjë që meriton vdekjen,+ nuk i bëj bisht vdekjes. Por, në qoftë se akuzat që hedhin këta njerëz kundër meje nuk qëndrojnë, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata për t’u bërë qejfin. Unë i apelohem Cezarit!»+
12 Atëherë Festi, pasi foli me këshilltarët e mbledhur, ia ktheu: «Cezarit i je apeluar, te Cezari do të shkosh!»
13 Pas disa ditësh, mbreti Agripa dhe Bernika mbërritën në Cezare për të vizituar e përshëndetur Festin.
14 Gjatë ditëve që ndenjën atje, Festi i parashtroi mbretit çështjen e Pavlit:«Këtu kam një burrë që Feliksi e la të burgosur,
15 dhe kur isha në Jerusalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve më folën+ kundër tij e më kërkuan ta dënoj.
16 Por unë iu përgjigja se nuk është procedurë romake ta dorëzosh një njeri për t’u bërë qejfin të tjerëve, para se i akuzuari të dalë ballë për ballë me paditësit+ dhe të ketë mundësinë të mbrohet për akuzën.
17 Prandaj, kur u mblodhën këtu, të nesërmen pa vonuar u ula në fronin e gjykimit dhe urdhërova të sillej ai njeri.
18 Si u paraqitën, paditësit nuk e akuzuan për asnjë+ nga ato që këqija që kisha pandehur unë.
19 Ata kishin thjesht disa debate me të për adhurimin+ që i bëjnë hyjnisë dhe për njëfarë Jezui, i cili kishte vdekur, por Pavli pohonte se ishte gjallë.+
20 Kështu, meqë s’dija ç’të bëja në lidhje me këto çështje, e pyeta nëse do të donte të shkonte në Jerusalem e atje të gjykohej në lidhje me to.+
21 Por, kur Pavli apeloi+ dhe kërkoi ta mbanim, në pritje të vendimit nga Lartmadhëria, unë urdhërova të mbahej derisa ta dërgoja te Cezari.»
22 Atëherë, Agripa i tha Festit: «Edhe unë do të doja ta dëgjoja atë njeri.»+ «Nesër do ta dëgjosh»,—iu përgjigj ai.
23 Kështu, të nesërmen Agripa dhe Bernika erdhën me shumë salltanet+ e hynë në sallën e audiencës bashkë me komandantët ushtarakë dhe me burrat e shquar të qytetit. Kur Festi dha urdhër, sollën Pavlin.
24 Festi tha: «O mbret Agripa dhe të gjithë ju burra që jeni të pranishëm me ne! Keni para jush këtë njeri, për të cilin gjithë turma e judenjve m’u drejtua si në Jerusalem, edhe këtu, dhe bërtiste se ai nuk duhet të jetojë më.+
25 Por unë kuptova se ai nuk kishte kryer asnjë gjë që meriton vdekjen.+ Kështu, kur iu apelua+ Lartmadhërisë, vendosa ta dërgoj.
26 Por nuk kam asgjë të sigurt për t’i shkruar Zotërisë tim lidhur me të. Prandaj, e solla para jush e sidomos para teje, o mbret Agripa, që pasi të merret në pyetje,+ të kem diçka për të shkruar.
27 Se më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur, pa treguar edhe akuzat kundër tij.»