Veprat 27:1-44
27 Meqë ishte vendosur të lundronim për në Itali,+ Pavlin dhe disa të burgosur të tjerë ia dorëzuan një centurioni që quhej Jul, i kohortës së Augustit.
2 Si hipëm në një anije nga Adramitia, që do të lundronte për në vendet përgjatë bregut të krahinës së Azisë, nisëm lundrimin. Me ne ishte edhe Aristarku,+ një maqedonas nga Selaniku.
3 Të nesërmen zbritëm në Sidon, dhe Juli e trajtoi Pavlin njerëzisht,+ e lejoi të shkonte te miqtë e tij e të gëzonte kujdesin e tyre.+
4 Pasi u nisëm, lundruam të mbrojtur nga Qiproja, sepse erërat i kishim kundër.
5 Lundruam në det të hapur përgjatë Kilikisë e Pamfilisë dhe hymë në portin e Mirës në Liki.
6 Atje, centurioni gjeti një anije nga Aleksandria,+ që lundronte drejt Italisë dhe na hipi në të.
7 Pastaj, lundruam ngadalë për shumë ditë dhe arritëm në Knid me vështirësi, ngaqë era nuk na linte të çanim përpara. Lundruam të mbrojtur nga Kreta anash Salmones.
8 Tek lundronim me vështirësi përgjatë saj, arritëm në një vend që quhej Limanet e Mira, afër të cilit ishte qyteti i Laseas.
9 Meqë kishte kaluar mjaft kohë dhe ishte e rrezikshme të lundroje, pasi tanimë kishte mbaruar edhe agjërimi [i ditës së shlyerjes],+ Pavli këshilloi:
10 «Burra, e shoh se lundrimi do të na sjellë dëme dhe humbje të mëdha jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për shpirtrat tanë.»+
11 Mirëpo centurioni ua vinte veshin më shumë fjalëve të timonierit dhe pronarit të anijes, sesa fjalëve të Pavlit.
12 Meqenëse limani ishte i papërshtatshëm për të dimëruar, shumica këshilloi të iknim që andej, që, nëse ia dilnin, të shkonin për të dimëruar në Feniks, një liman i Kretës që hapet drejt verilindjes dhe drejt juglindjes.
13 Dhe, kur fryu lehtë juga, ata pandehën se ia arritën qëllimit dhe ngritën spirancën e nisën të lundronin përgjatë brigjeve të Kretës.
14 Por s’kaloi shumë, dhe nisi të frynte një erë e stuhishme,+ e quajtur Euroakuilo.*
15 Meqë anijen e rrëmbeu era dhe nuk po i bënte dot ballë, e lamë të na çonte sa andej këtej.
16 Arritëm në një vend ku na mbronte nga era një ishull i vogël, i quajtur Kauda. Megjithatë, mezi mundëm ta ngjitnim varkën në kiç.+
17 Pasi e ngritën në bord, ata përdorën mjetet ndihmëse për ta ngjeshur anijen nga poshtë. Ngaqë kishin frikë se mos ngecnin në cekëtinë në Sirtë, ulën pajisjet e lundrimit e kështu shkuan nga t’i çonte rryma.
18 Mirëpo, meqë furtuna po na përplaste me forcë, të nesërmen ata filluan të lehtësonin+ anijen
19 dhe ditën e tretë flakën me duart e tyre edhe pajimet e anijes.
20 Meqë për shumë ditë nuk u duk as diell, as yje dhe bënte një furtunë e madhe,+ së fundi na u prenë shpresat për të shpëtuar.
21 Pas një kohe të gjatë pa ngrënë, Pavli u çua mes tyre+ dhe tha: «Burra, duhej ta kishit dëgjuar këshillën time, të mos ishit nisur për lundrim nga Kreta e të pësonit këtë dëm dhe këtë humbje.+
22 Prapëseprapë, tani ju këshilloj të gëzoni, sepse nuk do të humbasë asnjë shpirt nga ju, por vetëm anija.
23 Sepse këtë natë më qëndroi pranë një engjëll+ i Perëndisë, të cilit i përkas dhe i bëj shërbim të shenjtë,+
24 e më tha: ‘Mos ki frikë, Pavël! Ti duhet të dalësh para Cezarit,+ dhe për hirin tënd, Perëndia do t’ua kursejë jetën të gjithëve atyre që lundrojnë me ty.’
25 Prandaj, burra, gëzoni, pasi kam besim te Perëndia+ se do të ndodhë pikërisht kështu.
26 Megjithatë, duhet të ngecim në bregun e një ishulli.»+
27 Kur ra nata e katërmbëdhjetë dhe furtuna na çonte andej-këtej nëpër detin e Adrias,* në mesnatë detarët kujtuan se po i afroheshin tokës.
28 Matën thellësinë e panë se ishte njëzet pashë detarë. Vazhduan pak më tej dhe matën përsëri thellësinë e panë se ishte pesëmbëdhjetë pashë detarë.
29 Nga frika se mos përplaseshim diku në shkëmbinj, ata hodhën nga kiçi katër spiranca dhe uronin të zbardhte dita.
30 Por, kur detarët po orvateshin të iknin nga anija dhe ulën varkën në det, gjoja se kishin ndër mend të hidhnin spiranca nga bashi,
31 Pavli u tha centurionit dhe ushtarëve: «Po ikën nga anija këta burra, nuk shpëtoni dot.»+
32 Atëherë, ushtarët prenë litarët e varkës+ dhe e lanë të binte.
33 Pak para se të agonte, Pavli i nxiti të gjithë të hanin pak, duke u thënë: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të pangrënë e nuk fusni gjë në gojë.
34 Prandaj, hani pak, sepse kjo është për shpëtimin tuaj. Asnjërit prej jush nuk do t’i humbasë as edhe një fije floku.»+
35 Pasi tha këtë, mori edhe vetë bukë, falënderoi+ Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe nisi të hante.
36 Kështu, të gjithë u gëzuan dhe filluan të hanin.
37 Në anije ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirt.
38 Si u ngopën me ushqim, lehtësuan+ anijen, duke e hedhur grurin në det.
39 Kur më në fund, zbardhi dita, nuk e njihnin vendin, por panë një gji me një breg. Ata ishin të vendosur që ta nxirrnin anijen tek ai breg,+ nëse ia dilnin.
40 Kështu, prenë spirancat, i lanë të binin në det, dhe ndërkohë zgjidhën litarët shtrëngues të timonëve. Pasi ngritën velën e përparme në drejtim të erës, u drejtuan për nga bregu.
41 Kur ndeshën në cekëtinë, që kishte det nga të dyja anët, anija ngeci në rërë. Si u ngul, bashi nuk luajti më vendit, kurse kiçi nisi të shkallmohej me forcë.+
42 Atëherë, ushtarët vendosën t’i vritnin të burgosurit, që të mos arratisej ndonjëri me not.
43 Por centurioni donte ta shpëtonte Pavlin, ndaj i pengoi ta bënin këtë. Ai i urdhëroi ata që ishin në gjendje të notonin, të hidheshin të parët në det e të arrinin në tokë.
44 Pastaj i urdhëroi edhe të tjerët të bënin kështu, ca mbi dërrasa, e ca mbi disa gjëra të anijes. Kështu, që të gjithë mbërritën shëndoshë e mirë në tokë.+
Shënimet
^ Një erë e fortë verilindore.
^ Atë që sot quhet Deti Adriatik, Deti Jon dhe pjesën e Detit Mesdhe, që gjendet mes Sicilisë dhe Kretës.