Zanafilla 18:1-33
18 Pas kësaj, Jehovai iu shfaq+ atij mes pemëve të mëdha në Mamre,+ ndërsa ai rrinte ulur në hyrje të tendës, në zheg të ditës.+
2 Kur ngriti sytë,+ pa tre burra që po rrinin në këmbë disi larg tij. Kur i vuri re, ai nisi të vraponte nga hyrja e tendës që t’u dilte përpara dhe u përkul deri në tokë.+
3 Pastaj tha: «Jehova, nëse kam fituar pëlqimin tënd, të lutem, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt.+
4 Le t’ju sjellin pak ujë e t’ju lajnë këmbët.+ Pastaj shtrihuni e pushoni pak nën pemë.+
5 Më lini t’ju sjell një copë bukë, që t’ju mbajë zemrën.+ Pastaj mund të vazhdoni, sepse prandaj kaluat këtej nga shërbëtori juaj.» Ata ia kthyen: «Mirë. Bëj ashtu si the.»
6 Kështu, Abrahami nxitoi për në tendë te Sara dhe i tha: «Shpejt! Merr tri sea majë mielli, zër brumin dhe bëj kuleç.»+
7 Pastaj, Abrahami vrapoi te tufa, mori një dem të njomë e të mirë, ia dha shërbëtorit dhe nxitoi ta bënte gati.+
8 Mori pastaj gjalpë, qumësht dhe demin e ri që kishte bërë gati dhe ua vuri përpara.+ Kurse ai vetë rrinte në këmbë pranë tyre nën pemë, ndërsa ata hanin.+
9 Atëherë ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?»+ Ai u përgjigj: «Këtu, në tendë.»+
10 Atëherë ai i tha: «Kam për t’u kthyer te ti vitin tjetër në këtë kohë dhe Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë.»+ Sara po dëgjonte në hyrje të tendës, që ndodhej prapa burrit.
11 Abrahami dhe Sara ishin të moshuar, të shkuar në moshë.+ Sara nuk kishte më as të përmuajshmet.+
12 Prandaj, Sara nisi të qeshte me vete+ e të thoshte: «A do të kem vërtet kënaqësi tani që u plaka, dhe që zotëria im është i moshuar?»+
13 Atëherë Jehovai i tha Abrahamit: «Përse qeshi Sara e tha: ‘A do të lind vërtet, edhe pse jam plakur?’+
14 A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?+ Do të kthehem te ti në kohën e caktuar, vitin tjetër në këtë kohë, dhe Sara do të ketë një djalë.»
15 Por Sara nisi ta mohonte e të thoshte: «Nuk qesha.» Sepse kishte frikë. Mirëpo ai ia ktheu: «Qeshe, qeshe.»+
16 Më vonë, burrat u ngritën që atje dhe panë poshtë, drejt Sodomës,+ dhe Abrahami po i përcillte.+
17 Jehovai tha: «A do t’ia mbaj të fshehtë Abrahamit atë që po bëj?+
18 Ja, Abrahami ka për t’u bërë një komb i madh e i fuqishëm, dhe gjithë kombet e tokës do të arrijnë të marrin bekime nëpërmjet tij.+
19 Kam lidhur një miqësi të ngushtë me të, me qëllim që ai të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij, që të qëndrojnë në udhën e Jehovait për të praktikuar drejtësinë dhe gjykimin;+ me qëllim që Jehovai të realizojë patjetër për Abrahamin ato që ka thënë për të.»+
20 Prandaj Jehovai tha: «E fortë është britma e ankimit për Sodomën dhe Gomorrën,+ dhe shumë i rëndë mëkati i tyre.+
21 Kam vendosur të zbres për të parë nëse ata po veprojnë vërtet ashtu si ka ardhur klithma tek unë, dhe nëse jo, kam për ta marrë vesh.»+
22 Atëherë burrat ikën që andej dhe u vunë në udhë për në Sodomë, kurse Jehovai+ po rrinte ende përpara Abrahamit.+
23 Kështu, Abrahami iu afrua dhe nisi të thoshte: «Vërtet do të shkatërrosh të drejtin bashkë me të ligun?+
24 Ta zëmë se në qytet ka pesëdhjetë të drejtë. A do t’i shkatërroje, pra, ata dhe nuk do ta falje vendin për hir të pesëdhjetë të drejtëve që janë në të?+
25 As që mund të mendohet kurrë që ti të veprosh kështu: të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, dhe të drejtit t’i ndodhë ashtu siç i ndodh edhe të ligut!+ S’mund të mendohet kurrë për ty!+ A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?»+
26 Atëherë Jehovai tha: «Po të gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë të drejtë, do të fal gjithë vendin për hir të tyre.»+
27 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, ja, po marr guximin të flas me Jehovain, edhe pse jam pluhur e hi.+
28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë. A do ta rrënosh gjithë qytetin, ngaqë mungojnë pesë?» Ai iu përgjigj: «Nuk do ta rrënoj, po të gjej dyzet e pesë.»+
29 Por Abrahami i tha prapë: «Ta zëmë se gjenden dyzet.» Ai i tha: «Nuk do ta bëj për hir të atyre dyzet të drejtëve.»
30 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi,+ por më lër të flas.+ Ta zëmë se gjenden tridhjetë.» Ai ia ktheu: «Nuk do ta bëj po të gjej tridhjetë.»
31 Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, ja, po marr guximin të flas me Jehovain.+ Ta zëmë se gjenden njëzet.» Ai tha: «Nuk do ta rrënoj për hir të atyre njëzet vetave.»+
32 Së fundi Abrahami tha: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi,+ por më lër të flas edhe këtë herë.+ Ta zëmë se gjenden dhjetë.» Ai i tha: «Nuk do ta rrënoj për hir të atyre dhjetë vetave.»+
33 Pastaj, kur mbaroi të fliste me Abrahamin, Jehovai+ shkoi udhës së tij, kurse Abrahami u kthye në vendin e vet.