Zanafilla 19:1-38
19 Dy engjëjt mbërritën në Sodomë në mbrëmje, ndërsa Loti rrinte ulur te porta e Sodomës.+ Kur i vuri re, Loti u ngrit për t’u dalë përpara dhe u përkul me fytyrë përdhe.+
2 Pastaj u tha: «Zotërinjtë e mi, ju lutem, kthehuni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e t’ju lajnë këmbët.+ Pastaj mund të çoheni herët e të vazhdoni udhën.»+ Ata ia kthyen: «Jo, do ta kalojmë natën në shesh.»+
3 Por ai këmbënguli aq shumë,+ sa ata u kthyen dhe vajtën në shtëpinë e tij. Atëherë u shtroi një gosti,+ poqi kuleç të ndormë,+ dhe ata hëngrën.
4 Por përpara se ata të shtriheshin, burrat e Sodomës rrethuan shtëpinë,+ djem dhe të moshuar, gjithë populli si një turmë e vetme.+
5 Ata i thërritnin Lotit: «Ku janë ata burrat që hynë sonte te ti? Na i nxirr jashtë, që të kemi marrëdhënie me ta.»+
6 Më në fund, Loti doli në hyrje, por mbylli portën prapa vetes.
7 Atëherë tha: «O vëllezër, ju lutem, mos u sillni keq.+
8 Ja, unë kam dy vajza që s’kanë pasur kurrë marrëdhënie me burra.+ Më lini t’jua sjell jashtë dhe bëni me to ç’t’ju pëlqejë.+ Vetëm mos u bëni gjë këtyre burrave,+ sepse për këtë kanë ardhur nën hijen e çatisë sime.»+
9 Por ata ia kthyen: «Hiqu tutje!» Pastaj shtuan: «Ky njeri pa njeri erdhi këtu për të banuar si i ardhur+ e tani kërkon të bëhet edhe gjykatës.+ Tani do të ta bëjmë më keq ty, se atyre.» Prandaj po e shtynin me forcë+ Lotin dhe po afroheshin për të shqyer derën.+
10 Prandaj, burrat që ishin brenda, zgjatën duart, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën.
11 Kurse njerëzit që ndodheshin në hyrje të shtëpisë, i goditën me verbëri,+ të vegjël e të mëdhenj,+ kështu që ata po mundoheshin e po përpiqeshin të gjenin hyrjen.+
12 Atëherë burrat i thanë Lotit: «A ke njeri tjetër këtu? Dhëndurët, bijtë e bijat e tua dhe gjithë të tutë në qytet, nxirri nga ky vend!+
13 Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse aq e fortë është para Jehovait+ klithma kundër tyre, saqë Jehovai na dërgoi për të shkatërruar qytetin.»+
14 Pastaj Loti doli dhe nisi t’u thoshte dhëndurëve që do të merrnin vajzat e tij: «Ngrihuni! Dilni nga ky vend, sepse Jehovai do ta shkatërrojë qytetin!»+ Por dhëndurëve të tij iu duk sikur ai po bënte shaka.+
15 Megjithatë, kur agoi, engjëjt nisën ta ngutnin Lotin dhe i thoshin: «Ngrihu! Merr gruan dhe dy vajzat,+ që të mos shkatërroheni edhe ju për shkak të fajit të qytetit!»+
16 Meqë po ngurronte,+ nga dhembshuria që kishte Jehovai për të,+ burrat e zunë fort për dore atë, gruan e tij dhe dy vajzat e tij, e nxorën nga atje dhe e çuan jashtë qytetit.+
17 Sapo i kishin çuar në rrethinat e qytetit, ai nisi të thoshte: «Ik, që të shpëtosh shpirtin!+ Mos shiko prapa+ dhe mos u ndal në gjithë krahinën!+ Ik në rajonin malor, që të mos shkatërrohesh.»+
18 Atëherë Loti u tha: «Jo atje, o Jehova, të lutem!
19 Ja, shërbëtori yt ka gjetur hir në sytë e tu,+ dhe ti po më tregon një dashamirësi+ të madhe për të ruajtur gjallë shpirtin tim.+ Por unë s’jam në gjendje të iki në rajonin malor, dhe kam frikë se mos gjëma më afrohet dhe vdes.+
20 Unë mund të iki në këtë qytet, sepse është afër, dhe për ty është vetëm një vogëlsirë.+ Lërmë të iki atje, (për ty është një vogëlsirë, apo jo?) dhe kështu shpirti im do të vazhdojë të jetojë.»+
21 Prandaj ai i tha: «Mirë, po ta marr parasysh edhe këtë,+ dhe s’po e shkatërroj qytetin për të cilin fole.+
22 Nxito! Ik, sepse nuk mund të bëj asgjë pa mbërritur ti atje!»+ Ja përse ai ia vuri emrin qytetit Zoar.*+
23 Dielli kishte dalë mbi vend, kur Loti mbërriti në Zoar.+
24 Atëherë Jehovai bëri që mbi Sodomën dhe Gomorrën të binte squfur e zjarr nga Jehovai, prej qiejve.+
25 Ai i shkatërroi këto qytete, madje gjithë krahinën, gjithë banorët e qyteteve dhe bimët e tokës.+
26 Por gruaja e tij që po e ndiqte nga prapa, nisi të shihte përreth dhe u bë një shtyllë kripe.+
27 Abrahami mori rrugën herët në mëngjes për në vendin ku kishte qëndruar para Jehovait.+
28 Pastaj shikoi poshtë, drejt Sodomës e Gomorrës, drejt gjithë krahinës. Dhe ç’të shihte! Një tym i dendur ngrihej nga toka, si tymi i dendur i një furre tullash!+
29 Kështu pra, kur shkatërroi qytetet e krahinës, Perëndia e mbajti në mend Abrahamin, dhe mori masa që ta nxirrte Lotin nga shkatërrimi i qyteteve pranë të cilave Loti kishte banuar.+
30 Më pas, Loti u ngjit nga Zoari dhe shkoi të banonte në rajonin malor bashkë me dy vajzat e tij,+ sepse pati frikë të banonte në Zoar.+ Kështu nisi të banonte në një shpellë bashkë me dy vajzat.
31 E parëlindura i tha më të voglës: «Ati ynë është i moshuar, dhe në këtë vend s’ka mbetur asnjë burrë që të ketë marrëdhënie me ne, si bën gjithë bota.+
32 Eja, le t’i japim atit tonë të pijë verë+ dhe të shtrihemi me të, që t’i lëmë pasardhës.»+
33 Prandaj atë natë i dhanë atit të tyre të pinte verë.+ Pastaj e parëlindura u shtri me të atin, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit.
34 Të nesërmen e parëlindura i tha më të voglës: «Ja, mbrëmë u shtriva unë me tim atë. Le t’i japim edhe sonte të pijë verë. Pastaj shko ti e shtrihu me të, që t’i lëmë pasardhës atit tonë.»
35 Kështu edhe atë natë i dhanë atit të tyre të pinte verë. Pastaj më e vogla shkoi dhe u shtri me të, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit.
36 Kështu, të dyja vajzat e Lotit mbetën shtatzëna me të atin.+
37 E parëlindura lindi një djalë dhe ia vuri emrin Moab.+ Ai është ati i moabitëve edhe sot e kësaj dite.+
38 Edhe më e vogla lindi një djalë dhe ia vuri emrin Ben-Ami. Ai është ati i bijve të Amonit+ edhe sot e kësaj dite.
Shënimet
^ Që do të thotë «vogëlsi».