Zanafilla 31:1-55
31 Pas ca kohësh, ai dëgjoi që bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi ka marrë çdo gjë që i përkiste atit tonë, dhe nga ato ka mbledhur gjithë këtë pasuri.»+
2 Jakobi e shihte që Labani nuk sillej më me të si më parë.+
3 Atëherë Jehovai i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e etërve të tu dhe te të afërmit e tu,+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty.»+
4 Kështu Jakobi i dërgoi fjalë Rakelës dhe Leas që të ktheheshin nga fusha, nga kopetë e tij.
5 Pastaj u tha:«Po e shoh që ati juaj nuk sillet më me mua si më parë.+ Megjithatë Perëndia i atit tim ka qenë me mua.+
6 Ju vetë e dini se i kam shërbyer atit tuaj me gjithë fuqinë time.+
7 Ai ka luajtur me mua dhe ma ka ndryshuar dhjetë herë pagën, por Perëndia nuk e ka lejuar të më bëjë keq.+
8 Kur ai thoshte: ‘Pikaloshet do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël pikaloshë. Por kur ai thoshte: ‘Ato vija-vija do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël vija-vija.+
9 Kështu, Perëndia ia merrte tufat atit tuaj dhe m’i jepte mua.+
10 Në kohën kur kopeja erdhi në afsh, unë pashë në ëndërr+ që cjeptë që ndërzenin femrat, ishin vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla.+
11 Atëherë engjëlli i Perëndisë së vërtetë më tha në ëndërr: ‘Jakob!’ Unë iu përgjigja: ‘Ja ku jam.’+
12 Ai vazhdoi: ‘Ngriji sytë, të lutem, dhe shih: gjithë cjeptë që ndërzejnë femrat, janë vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla, sepse unë e kam parë gjithçka që po të bën Labani.+
13 Unë jam Perëndia i vërtetë i Bethelit,+ ku ti mirose një shtyllë+ dhe ku more një zotim para meje.+ Tani ngrihu, dil nga ky vend dhe kthehu në vendlindjen tënde.’»+
14 Rakela dhe Lea iu përgjigjën: «Mos kemi ende ndonjë pjesë trashëgimie në shtëpinë e atit tonë?+
15 A nuk na sheh ai si të huaja që kur na shiti, dhe tani vazhdon të hajë nga paratë që na takojnë neve?+
16 Gjithë pasuritë që Perëndia ia ka hequr atit tonë, janë tonat dhe të fëmijëve tanë.+ Prandaj, bëj çdo gjë që të ka thënë Perëndia.»+
17 Kështu, Jakobi u ngrit dhe i hipi bijtë e gratë e tij në deve.+
18 Pastaj vuri përpara tufën që kishte fituar në Padan-Aram dhe gjithë të mirat që kishte grumbulluar,+ dhe u nis të shkonte tek Isaku, ati i tij, në vendin e Kanaanit.+
19 Kur Labani kishte shkuar të qethte dhentë, Rakela i vodhi idhujt e shtëpisë.*+
20 Jakobi ia hodhi Labanit, sirianit, sepse nuk i tregoi se po ikte.
21 Kështu, ai iku dhe kaloi Lumin*+ me gjithçka që kishte. Pastaj u drejtua në rajonin malor të Galaadit.+
22 Ditën e tretë, Labanit i thanë se Jakobi kishte ikur.
23 Prandaj, ai mori vëllezërit e tij, iu vu pas+ dhe e arriti pas shtatë ditësh në rajonin malor të Galaadit.
24 Atëherë Perëndia iu shfaq natën në ëndërr+ Labanit, sirianit,+ dhe i tha: «Ki kujdes se mos i thua gjë Jakobit, as të mirë, as të keqe.»+
25 Kështu Labani iu afrua Jakobit, që e kishte ngritur tendën në mal, kurse ai vetë i kishte vënë vëllezërit e tij të fushonin në rajonin malor të Galaadit.
26 Atëherë Labani i tha Jakobit: «Ç’ishte kjo që bëre? Pse ma hodhe kështu dhe pse m’i more vajzat sikur të ishin robinja të zëna me shpatë?+
27 Pse duhej të ikje fshehurazi, të ma hidhje e të mos ma thoshe? Do të të nisja me gëzim e më këngë,+ me dajre e harpë.+
28 Nuk më dhe mundësi as të puthja fëmijët e mi dhe vajzat e mia.+ Ke vepruar pa mend.
29 Tani e kam në dorë t’ju bëj keq,+ por Perëndia i atit tuaj më foli mbrëmë, dhe më tha: ‘Ki kujdes se mos i thua gjë Jakobit, as të mirë, as të keqe.’+
30 Mirë që ike, ngaqë të kishte marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, por perënditë pse m’i vodhe?»+
31 Jakobi iu përgjigj Labanit: «Ika sepse kisha frikë.+ Thashë me vete se mund të m’i rrëmbeje vajzat e tua.
32 Por kushdo qoftë ai, tek i cili do të gjesh perënditë e tua, nuk do të rrojë.+ Kontrolloji vetë në sy të vëllezërve tanë gjërat e mia, dhe merr ç’të jetë jotja.»+ Mirëpo Jakobi nuk e dinte që i kishte vjedhur Rakela.+
33 Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas dhe në tendën e dy skllaveve,+ por nuk i gjeti. Së fundi, doli nga tenda e Leas dhe hyri në tendën e Rakelës.
34 Rakela i kishte marrë idhujt e shtëpisë, i kishte vënë në koshin e samarit të devesë ku uleshin gratë, dhe vetë rrinte ulur mbi ta. Kështu, Labani rrëmoi nëpër tendë, por nuk i gjeti.
35 Atëherë ajo i tha të atit: «Mos u zemëro me mua, imzot,+ sepse nuk jam në gjendje të ngrihem para teje, pasi jam me zakonet.»+ Kështu, ai kërkoi me kujdes, por nuk i gjeti idhujt e shtëpisë.+
36 Atëherë Jakobi u zemërua,+ nisi të grindej me Labanin dhe i tha: «Mos kam ngritur gjë krye?+ Mos kam mëkatuar gjë, që më ke ndjekur këmba-këmbës?+
37 Tani që rrëmove në gjërat e mia, gjete gjë nga ato të shtëpisë sate?+ Nxirre këtu në sy të vëllezërve të mi e të vëllezërve të tu,+ dhe le të vendosin ata për ne të dy.+
38 Njëzet vjet isha me ty. Delet e dhitë e tua nuk dështuan kurrë,+ dhe kurrë nuk i hëngra deshtë e kopesë sate.
39 Nuk të kam sjellë ndonjëherë kafshë të shqyera.+ Unë vetë e laja dëmin. Nga dora ime e kërkoje atë që vidhej qoftë ditën, qoftë natën.+
40 Unë e di ç’kam hequr! Ditën më përvëlonte të nxehtët dhe natën ngrija nga të ftohtët, kurse gjumi më ikte nga sytë.+
41 Tanimë u mbushën njëzet vjet që rri në shtëpinë tënde! Të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy vajzat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Dhjetë herë ma ke ndryshuar pagën!+
42 Sikur Perëndia i atit tim,+ Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut,+ të mos kishte qenë në anën time, tani do të më kishe nisur duarbosh. Perëndia e ka parë brengën time dhe mundin e duarve të mia, prandaj edhe të qortoi mbrëmë.»+
43 Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Vajzat janë bijat e mia, fëmijët janë fëmijët e mi, kopeja është kopeja ime dhe gjithçka që sheh është imja dhe e vajzave të mia. Ç’mund të bëj sot kundër tyre apo kundër fëmijëve që ato kanë lindur?
44 Hajde, tani, le të bëjmë një besëlidhje,+ unë dhe ti, që të shërbejë si dëshmi mes meje e teje.»+
45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si një shtyllë.+
46 Pastaj u tha vëllezërve të tij: «Mblidhni gurë!» Kështu ata mblodhën gurë dhe bënë një tog.+ Pastaj, hëngrën atje, mbi të.
47 Labani e quajti Jegar-Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed.
48 Labani tha: «Ky tog është sot dëshmitar mes meje dhe teje.» Ja përse e quajti Galed+
49 dhe Kulla e Rojës,* sepse tha: «Jehovai le të vazhdojë të na vrojtojë ne të dy, kur të mos shihemi me njëri-tjetrin.+
50 Nëse i mundon vajzat e mia+ dhe nëse merr gra të tjera veç tyre, edhe sikur të mos ketë njeri tjetër që të na shohë, ja, Perëndia është dëshmitar mes meje dhe teje.»+
51 Labani i tha akoma Jakobit: «Ja ku është ky tog dhe shtylla që kam ngritur mes meje dhe teje.
52 Ky tog është dëshmitar dhe shtylla është dëshmi+ që unë nuk do ta kapërcej këtë tog kundër teje, dhe ti nuk do ta kapërcesh këtë tog dhe këtë shtyllë kundër meje për të më bërë keq.+
53 Perëndia i Abrahamit+ dhe perëndia i Nahorit,+ perëndia i atit të tyre, gjykoftë mes nesh!» Por Jakobi u betua për Tmerrin e atit të tij, Isakut.+
54 Pastaj, Jakobi bëri një flijim në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë.+ Kështu, ata hëngrën dhe e kaluan natën në mal.
55 Labani u çua herët në mëngjes, puthi+ fëmijët e vajzat e tij dhe i bekoi.+ Pastaj u vu në udhë që të kthehej në vendin e vet.+
Shënimet
^ Ose «perënditë e shtëpisë». Fjalë për fjalë terafim. Njësoj edhe në vargjet 34 dhe 35.
^ Domethënë, lumin Eufrat.
^ Ose «pikë vrojtimi».