Zanafilla 41:1-57

41  Plot dy vjet më vonë faraoni pa një ëndërr+ sikur po rrinte pranë lumit Nil.  Nga lumi Nil po vinin shtatë lopë të bukura e të majme, që nisën të kullotnin mes barit të Nilit.+  Pas tyre po vinin edhe shtatë lopë të tjera, të shëmtuara dhe kockë e lëkurë,+ që zunë vend përbri lopëve të para, buzë lumit Nil.  Pastaj, lopët e shëmtuara dhe kockë e lëkurë i përlanë shtatë lopët e bukura e të majme.+ Atëherë faraoni u zgjua.+  Pastaj e zuri përsëri gjumi dhe pa një ëndërr tjetër. Ja tek ishin shtatë kallinj gruri, që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë e të mirë.+  Pa edhe shtatë kallinj gruri të tjerë, të hollë e të zhuritur nga era e lindjes,+ që rriteshin pas tyre.+  Kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e trashë e të plotë.+ Atëherë faraoni u zgjua, dhe ja, kishte qenë në ëndërr.  Në mëngjes ai* ishte i tëri i turbulluar.+ Prandaj, thirri gjithë priftërinjtë e Egjiptit+ që merreshin me magji dhe gjithë njerëzit e ditur.+ Ai u tregoi atyre ëndrrat,+ por asnjë nuk ia interpretoi dot ato.  Atëherë kreu i kupëmbajtësve i tha faraonit:+ «Sot po rrëfej mëkatet e mia.+ 10  Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij.+ Prandaj më futi në burgun e shtëpisë së kreut të truprojës,+ bashkë me kreun e bukëpjekësve. 11  Një herë, në të njëjtën natë, secili nga ne të dy pamë nga një ëndërr, dhe secila kishte interpretimin e vet.+ 12  Bashkë me ne ishte një i ri hebre,+ shërbëtor i kreut të truprojës.+ Kur ia treguam ëndrrat,+ ai na i interpretoi. I interpretoi secilit ëndrrën e vet. 13  Dhe ndodhi pikërisht ashtu si na i kishte interpretuar ai. Mua më kthyen në detyrën time,+ por atë tjetrin e varën.»+ 14  Atëherë faraoni dërgoi njerëz ta merrnin Jozefin+ dhe t’ia sillnin shpejt nga biruca.+ Prandaj, Jozefi u rruajt,*+ ndërroi rrobat+ dhe doli para faraonit. 15  Atëherë faraoni i tha: «Kam parë një ëndërr, por s’ka njeri që ta interpretojë. Kam dëgjuar që ti, kur e dëgjon një ëndërr, mund ta interpretosh.»+ 16  Jozefi iu përgjigj faraonit: «S’ka rëndësi çfarë them unë. Perëndia do t’i njoftojë mbarësi faraonit.»+ 17  Faraoni i tha Jozefit: «Në ëndrrën që pashë, po rrija buzë lumit Nil. 18  Nga lumi Nil po vinin shtatë lopë të majme e të bukura, që nisën të kullotnin mes barit të Nilit.+ 19  Pas tyre vinin edhe shtatë lopë të tjera, të katandisura si mos më keq, të shëmtuara dhe kockë e lëkurë.+ Aq të shëmtuara s’kam parë në gjithë Egjiptin. 20  Lopët kockë e lëkurë dhe të shëmtuara i përlanë shtatë lopët e shëndosha.+ 21  Por edhe pse i futën në bark, prapëseprapë s’dallohej fare, sepse ato ishin po aq të shëmtuara sa në fillim.+ Atëherë u zgjova. 22  Pastaj, pashë në ëndërr shtatë kallinj gruri që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë e të mirë.+ 23  Pas tyre pashë të rriteshin edhe shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të zhuritur nga era e lindjes.+ 24  Kallinjtë e hollë i përlanë shtatë kallinjtë e mirë.+ Ua tregova këtë priftërinjve që merren me magji,+ por asnjë s’ma shpjegonte dot.»+ 25  Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit kanë një kuptim të vetëm. Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që do të bëjë.+ 26  Shtatë lopët e mira janë shtatë vjet. Edhe shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrra është vetëm një. 27  Shtatë lopët kockë e lëkurë dhe të shëmtuara që vinin pas tyre, janë shtatë vjet. Edhe shtatë kallinjtë bosh e të zhuritur nga era e lindjes,+ do të jenë shtatë vjet zi buke.+ 28  Ja çfarë po i them faraonit: Perëndia i vërtetë i ka treguar faraonit atë që ai do të bëjë.+ 29  Në gjithë vendin e Egjiptit po vijnë shtatë vjet me bollëk të madh. 30  Por pas tyre do të vijnë shtatë vjet zi buke, dhe gjithë bollëku në vendin e Egjiptit ka për t’u harruar dhe zia e bukës do të përpijë vendin.+ 31  Bollëku i dikurshëm i tokës nuk do të kujtohet më, aq e madhe do të jetë zia e bukës që po vjen. 32  Fakti që ëndrra iu përsërit dy herë faraonit, do të thotë që Perëndia i vërtetë e ka vendosur një herë e mirë këtë punë, dhe Perëndia+ i vërtetë po shpejton ta bëjë.+ 33  Prandaj, faraoni le të kërkojë një njeri të matur e të mençur dhe ta vendosë mbi vendin e Egjiptit.+ 34  Faraoni të veprojë e të emërojë mbikëqyrës në tërë vendin,+ dhe të marrë një të pestën e prodhimit të vendit të Egjiptit gjatë shtatë viteve të bollëkut.+ 35  T’i mbledhin gjithë ushqimet e këtyre viteve të mbara që do të vijnë. Drithin ta grumbullojnë nëpër qytete+ nën autoritetin e faraonit, dhe ta ruajnë. 36  Ushqimet do të shërbejnë si rezervë për vendin gjatë shtatë viteve të zisë së bukës, që do të pllakosë Egjiptin,+ në mënyrë që vendi të mos shfaroset nga zia e bukës.»+ 37  Kjo punë i pëlqeu faraonit dhe gjithë shërbëtorëve të tij.+ 38  Prandaj, faraoni u tha atyre: «A mund të gjendet një njeri tjetër si ky, që ka frymën e Perëndisë?»+ 39  Pastaj i tha Jozefit: «Meqë Perëndia ta ka treguar gjithë këtë,+ s’ka asnjë tjetër kaq të matur e të mençur sa ti.+ 40  Ti personalisht do të jesh mbi shtëpinë time,+ dhe gjithë populli im do të të bindet pa diskutim.+ Vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti.»+ 41  Faraoni shtoi: «Ja, po të vë mbi gjithë vendin e Egjiptit.»+ 42  Pastaj, faraoni hoqi nga dora unazën e tij me nënshkrim+ dhe ia vuri në dorë Jozefit, e veshi me rroba liri të hollë dhe i vuri në qafë një varëse floriri.+ 43  Veç kësaj, ai e hipi në karrocën e dytë të nderit që kishte,+ dhe para tij thërritnin: «Avrékh!»* Kështu, ai e vuri atë mbi gjithë vendin e Egjiptit. 44  Faraoni i tha më tej Jozefit: «Faraoni jam unë, por pa lejen tënde askush nuk mund të lëvizë as dorën, as këmbën në gjithë vendin e Egjiptit.»+ 45  Pastaj, faraoni i vuri Jozefit emrin Zafenat-Paneah dhe i dha për grua Asenatën,+ bijën e Potiferait, priftit të Onit.+ Atëherë Jozefi doli nëpër gjithë vendin e Egjiptit.+ 46  Jozefi ishte tridhjetë vjeç+ kur doli përpara faraonit, mbretit të Egjiptit.Atëherë Jozefi u largua nga faraoni dhe i ra kryq e tërthor gjithë vendit të Egjiptit. 47  Gjatë shtatë viteve të begatisë vendi dha prodhime me bollëk.+ 48  Ai e mblodhi gjithë prodhimin e atyre shtatë viteve në vendin e Egjiptit dhe e vuri nëpër qytete.+ Prodhimin e arave përreth një qyteti e çonte në mes të tij.+ 49  Jozefi grumbulloi një sasi shumë të madhe+ drithi, sa rëra e detit, aq sa më në fund as që e mbajtën më llogari, sepse ishte e pallogaritshme.+ 50  Përpara se të vinte viti i zisë së bukës, Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit, i lindi Jozefit dy djem.+ 51  Jozefi e quajti të parëlindurin Manase,+ sepse, siç thoshte ai: «Perëndia më ka bërë të harroj gjithë telashet e mia dhe gjithë shtëpinë e tim eti.»+ 52  Të dytin e quajti Efraim,+ sepse, siç thoshte ai: «Perëndia më ka bërë të frytshëm në vendin e brengës sime.»+ 53  Pak nga pak, shtatë vitet e bollëkut në vendin e Egjiptit mbaruan,+ 54  dhe filluan shtatë vitet e zisë së bukës, pikërisht si kishte thënë Jozefi.+ Zia e bukës u përhap në të gjitha vendet, kurse në Egjipt kishte bukë në tërë vendin.+ 55  Mirëpo së fundi, edhe vendi i Egjiptit nisi të vuante nga uria, dhe populli filloi t’i kërkonte bukë faraonit.+ Atëherë faraoni u tha egjiptianëve: «Shkoni te Jozefi dhe bëni çfarë t’ju thotë ai.»+ 56  Zia e bukës u përhap në mbarë faqen e dheut.+ Atëherë Jozefi nisi të hapte depot e drithit dhe t’u shiste egjiptianëve,+ ndërkohë që zia e bukës e kishte mbërthyer keqas vendin e Egjiptit. 57  Për më tepër, në Egjipt vinin njerëz nga të gjitha vendet për të blerë ushqim te Jozefi, sepse zia e bukës e kishte mbërthyer keqas gjithë tokën.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «fryma e tij».
Fjala në hebraisht mund të tregojë se ai rroi edhe mjekrën, edhe kokën.
Domethënia e saktë e kësaj shprehjeje egjiptiane e shkruar me germa hebraike nuk është përcaktuar ende.