Zanafilla 49:1-33
49 Pastaj, Jakobi i thirri bijtë e tij dhe u tha: «Mblidhuni t’ju tregoj se ç’do t’ju ndodhë në ditët e fundit.
2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bij të Jakobit, dëgjoni Izraelin, atin tuaj.+
3 Ruben, ti je i parëlinduri im,+ gjallëria ime dhe fillimi i fuqisë sime riprodhuese,+ shkëlqimi i nderimit dhe i forcës.
4 I shthurur porsi ujërat e rrëmbyera, s’ke për t’u shquar,*+ sepse je shtrirë në shtratin e atit tënd.+ Në atë kohë, e përdhose shtratin tim.+ Ai hipi në të!
5 Simeoni dhe Levi janë vëllezër.+ Armët e tyre janë mjete dhune.+
6 Mos hyr në shoqërinë e tyre të ngushtë,+ o shpirti im! Mos u bashkofsha me kongregacionin e tyre,+ sepse të zemëruar, ata vranë njerëz!+ Vepruan me kokën e tyre dhe u prenë dejet demave.
7 Mallkuar qoftë zemërimi+ i tyre, sepse është mizor,+ dhe furia e tyre, sepse vepron me ashpërsi!+ Më lini t’i përhap te Jakobi* dhe t’i shpërndaj tek Izraeli.+
8 Ty o Judë,+ vëllezërit do të të përlëvdojnë.+ Dora jote do të jetë në zverk të armiqve të tu.+ Bijtë e atit tënd do të bien përmbys para teje.+
9 Juda është një këlysh luani.+ Nga preja ke për t’u ngritur, biri im. Ai u përkul, u shtri si një luan dhe, si një luan, kush guxon ta zgjojë?+
10 Skeptri nuk do të largohet nga Juda,+ as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu,+ dhe këtij do t’i binden popujt.+
11 Ai e lidh gomarin te një hardhi, dhe të voglin e gomaricës te një hardhi e zgjedhur. Ka për t’i larë rrobat me verë dhe veshjen me gjakun e rrushit.+
12 Sytë i ka në të kuqe të errët nga vera dhe dhëmbët të bardhë nga qumështi.
13 Zabuloni do të banojë në breg të detit,+ dhe do të jetë pranë bregut ku ankorojnë anijet.+ Kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.+
14 Isakari+ është një gomar kockëfortë, që rri shtrirë nën dy hejbet e tij.
15 Ai do të shohë se vendi i tij i pushimit është i mirë dhe se toka e tij është e pëlqyeshme. Prandaj, do t’i përkulë shpatullat për të bartur barra dhe do të bëjë punë skllavi.
16 Si një nga fiset e Izraelit,+ Dani do të gjykojë popullin e tij.
17 Dani qoftë si një gjarpër, si një gjarpër me brirë buzë rrugës, që kafshon noçkën e këmbës së kalit, dhe e hedh kalorësin së prapthi!+
18 Megjithatë, unë do ta pres shpëtimin nga ti, o Jehova.+
19 Gadin do ta mësyjë një bandë kusarësh, por edhe ai do t’i sulet prapavijës së tyre.+
20 Nga Asheri do të vijë bukë me bollëk.+ Ai do të sigurojë ushqime mbretërish.+
21 Neftali+ është si një drenushë e hajthme. Ai flet me elegancë.+
22 Jozefi është si lastari i një peme frytdhënëse,+ po, si lastari i një peme frytdhënëse pranë burimit,+ që i shtrin degët mbi mur.+
23 Por harkëtarët e sulmojnë, e qëllojnë dhe ushqejnë mëri kundër tij.+
24 E megjithatë, harku i tij mbetet i patundur+ dhe duart e tij janë të forta e të zhdërvjellëta.+ Forca e tij vjen nga duart e të Fuqishmit të Jakobit.+ Bariu dhe Guri i Izraelit+ vjen nga Ai.
25 Ai është nga Perëndia i atit tënd,+ i cili do të të ndihmojë.+ Ai është me të Plotfuqishmin,+ i cili do të derdhë mbi ty bekimet e qiejve atje lart,+ bekimet e ujërave të thella që shtrihen poshtë+ dhe bekimet e gjinjve e të barkut.+
26 Bekimet e atit tënd do t’ua kalojnë bekimeve të maleve të përjetshme+ dhe zbukurimeve të kodrave të përhershme.+ Ato do të rrinë mbi kokën e Jozefit, në majë të kokës së atij që është zgjedhur ndër vëllezërit e tij.+
27 Beniamini do të shqyejë si një ujk.+ Në mëngjes do të hajë kafshën e kapur dhe në mbrëmje do të ndajë prenë.»+
28 Këto janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit, dhe këto janë fjalët që u tha ati i tyre, kur i bekoi. Ai i bekoi, dhe i dha secilit bekimin e vet.+
29 Pastaj i urdhëroi dhe u tha: «Unë po bashkohem me popullin tim.+ Më varrosni me etërit e mi në shpellën që është në arën e Efronit, hititit,+
30 në arën e Makpelahut, përballë Mamres, në vendin e Kanaanit, që Abrahami ia bleu Efronit, hititit, si pronë për varre.+
31 Atje është varrosur Abrahami dhe gruaja e tij, Sara.+ Atje është varrosur Isaku dhe gruaja e tij, Rebeka,+ dhe atje unë varrosa Lean.
32 Ara dhe shpella që ndodhet atje, iu blenë bijve të Hethit.»+
33 Pasi u dha këta urdhra bijve të tij, Jakobi i mblodhi këmbët në shtrat, dha frymë dhe u bashkua me popullin e tij.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «mos u shquaj». Në tekstin origjinal hebraik kjo është në formën e një ndalimi dhe shpreh dëshirën e fortë të folësit.
^ Ose «bijtë e Jakobit».