Libri i parë i Mbretërve 13:1-34

  • Profecia kundër altarit në Bethel (1-10)

    • Altari çahet (5)

  • Njeriu i Perëndisë nuk i bindet urdhrit (11-34)

13  Me urdhër të Jehovait, një njeri i Perëndisë+ shkoi nga Juda në Bethel, ndërkohë që Jeroboami qëndronte pranë altarit+ për të paraqitur tym blatimesh.  Atëherë, me urdhër të Jehovait, shpalli kundër altarit: «Altar, o altar, kështu thotë Jehovai: ‘Ja, shtëpisë së Davidit do t’i lindë një djalë me emrin Josia!+ Ai do të flijojë mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta, ata që paraqitin mbi ty tym blatimesh, dhe do të djegë mbi ty eshtra njerëzish.’»+  Atë ditë njeriu i Perëndisë dha një shenjë e tha: «Kjo është shenja që tregon se Jehovai ka folur: ‘Ja, altari do të çahet dhe hiri* mbi të do të derdhet.’»  Sapo dëgjoi atë që shpalli njeriu i Perëndisë së vërtetë kundër altarit në Bethel, mbreti Jeroboam shtriu drejt tij dorën që kishte mbi altar dhe tha: «Kapeni!»+ Sakaq, dora që kishte shtrirë drejt tij, u tha* dhe nuk mundi ta tërhiqte.+  Atëherë altari u ça dhe hiri u derdh prej tij, sipas shenjës që njeriu i Perëndisë së vërtetë kishte dhënë me urdhër të Jehovait.  Mbreti i tha njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Të lutem, përgjërohu për miratimin* e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, që të më kthehet dora si më parë.»+ Kështu njeriu i Perëndisë së vërtetë u përgjërua për miratimin e Jehovait, dhe mbretit iu kthye dora si më parë.  Pastaj mbreti i tha njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Eja me mua në shtëpi të hash diçka dhe lërmë të të jap një dhuratë.»  Por njeriu i Perëndisë së vërtetë i tha mbretit: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend,  sepse kjo është fjala që Jehovai më ka urdhëruar: ‘Mos ha bukë e mos pi ujë dhe mos u kthe nga rruga që shkove!’» 10  Kështu, ai u largua nëpërmjet një rruge tjetër dhe nuk u kthye nga rruga që kishte përshkuar për të vajtur në Bethel. 11  Në Bethel banonte një profet i moshuar. Djemtë e tij shkuan në shtëpi dhe i treguan tërë gjërat që kishte bërë atë ditë në Bethel njeriu i Perëndisë së vërtetë dhe fjalët që i kishte thënë mbretit. Pasi ia treguan këto atit të tyre, 12  ai i pyeti: «Nga cila rrugë iku?» Dhe djemtë i treguan rrugën nga kishte ikur njeriu i Perëndisë së vërtetë, që kishte ardhur nga Juda. 13  Atëherë ai u tha djemve: «Vërini samarin gomarit.» Ata i vunë samarin, dhe ai hipi mbi gomar. 14  Ai u nis pas njeriut të Perëndisë së vërtetë dhe e gjeti teksa rrinte ulur nën një pemë të madhe. Atëherë e pyeti: «Mos je ti njeriu i Perëndisë së vërtetë që erdhi nga Juda?»+ Ai iu përgjigj: «Unë jam.» 15  Profeti i moshuar i tha: «Eja në shtëpinë time të hash pak bukë.» 16  Por ai iu përgjigj: «Nuk mund të kthehem me ty e të pranoj ftesën tënde, dhe nuk mund të ha bukë e as të pi ujë me ty në këtë vend, 17  sepse Jehovai më urdhëroi: ‘Mos ha bukë e mos pi ujë atje. Mos u kthe nga rruga që shkove.’» 18  Atëherë ai i tha: «Edhe unë jam profet si ti, dhe një engjëll më tha me urdhër të Jehovait: ‘Ktheje në shtëpinë tënde që të hajë bukë e të pijë ujë.’» (E mashtroi.) 19  Kështu ai u kthye bashkë me të në shtëpinë e tij, që të hante bukë dhe të pinte ujë. 20  Ndërsa ishin ulur në tryezë, Jehovai i drejtoi këtë fjalë profetit që e kishte kthyer nga rruga 21  dhe ai ia shpalli njeriut të Perëndisë së vërtetë që kishte ardhur nga Juda: «Kështu thotë Jehovai: “Meqë nuk iu binde urdhrit të Jehovait dhe nuk e zbatove urdhërimin që të dha Jehovai, Perëndia yt, 22  por u ktheve që të haje bukë dhe të pije ujë në vendin për të cilin more urdhrin: ‘Mos ha bukë dhe mos pi ujë’, kufoma jote nuk do të varroset në varrin e paraardhësve të tu.”»+ 23  Pasi njeriu i Perëndisë së vërtetë hëngri e piu, profeti i moshuar i vuri samarin gomarit për profetin që ishte kthyer nga udha. 24  Pastaj ai u nis për rrugë, por i doli para një luan që e vrau.+ Kufoma mbeti në rrugë dhe pranë i qëndronin gomari e luani. 25  Njerëzit që kalonin andej e panë kufomën në rrugë dhe luanin që qëndronte pranë saj. Ata hynë në qytetin ku banonte profeti i moshuar dhe treguan për këtë. 26  Kur e dëgjoi këtë, profeti që e kishte kthyer nga rruga tha menjëherë: «Është njeriu i Perëndisë së vërtetë që nuk iu bind urdhrit të Jehovait.+ Prandaj Jehovai bëri që një luan ta shqyente e ta vriste, sipas fjalës që i kishte thënë Jehovai.»+ 27  Pastaj u tha djemve të tij: «Vërini samarin gomarit.» Dhe ata ashtu bënë. 28  Atëherë ai u nis për udhë dhe e gjeti kufomën në rrugë. Pranë kufomës qëndronin gomari dhe luani, por luani nuk e kishte ngrënë kufomën dhe nuk e kishte shqyer gomarin. 29  Profeti e ngriti kufomën e njeriut të Perëndisë së vërtetë, e vuri mbi gomar dhe e solli në qytetin e vet që të mbante zi për të dhe ta varroste. 30  Ai e vuri kufomën në varrin e vet, dhe filluan ta qanin: «Medet, o vëlla!» 31  Pasi e varrosi, u tha djemve të tij: «Kur të vdes, më varrosni në vendin ku është varrosur njeriu i Perëndisë së vërtetë. M’i vini kockat pranë kockave të tij.+ 32  Ajo që shpalli ai me urdhër të Jehovait kundër altarit në Bethel dhe kundër gjithë shenjtëroreve në vendet e larta+ që gjenden në qytetet e Samarisë, do të ndodhë patjetër.»+ 33  Edhe pas asaj që ndodhi, Jeroboami nuk hoqi dorë nga udha e tij e keqe, por vazhdoi të caktonte njerëz të zakonshëm si priftërinj për vendet e larta.+ Ai emëronte si prift* këdo që donte të bëhej prift, duke thënë: «Të bëhet prift për vendet e larta.»+ 34  Ky mëkat i shtëpisë së Jeroboamit+ solli shkatërrimin dhe shfarosjen e tyre nga faqja e dheut.+

Shënimet

Ose «hiri i lyrosur», pra, hiri i lagur me yndyrën e flijimeve.
Ose «u paralizua».
Fjalë për fjalë «zbute fytyrën».
Fjalë për fjalë «ia mbushte dorën».