Libri i parë i Mbretërve 20:1-43
20 Tani Ben-Hadadi,+ mbreti i Sirisë,+ mblodhi gjithë ushtrinë e tij, bashkë me 32 mbretër të tjerë me kuaj e karroca. Ai u nis, rrethoi+ Samarinë+ dhe luftoi kundër saj.
2 Pastaj i dërgoi lajmëtarë Akabit,+ mbretit të Izraelit që ndodhej në qytet, dhe i tha: «Kështu thotë Ben-Hadadi:
3 ‘Argjendi dhe ari yt janë të mitë, si edhe gratë e tua më të mira dhe djemtë e tu më të mirë.’»
4 Mbreti i Izraelit iu përgjigj: «U bëftë si thua ti, o mbret, zotëria im! Jam yti me gjithçka që më përket.»+
5 Më vonë, lajmëtarët u kthyen dhe thanë: «Kështu thotë Ben-Hadadi: “Unë të dërgova këtë mesazh: ‘Do të m’i japësh mua argjendin dhe arin, gratë dhe djemtë.’
6 Por nesër, në këtë kohë, do të dërgoj shërbëtorët e mi, që do të kontrollojnë me kujdes shtëpinë tënde e shtëpitë e shërbëtorëve të tu, dhe çdo gjë të çmuar për ty do ta shtien në dorë.”»
7 Atëherë mbreti i Izraelit thirri gjithë pleqtë e vendit dhe u tha: «Dëgjoni, ju lutem. Siç e shihni ky njeri e ka ndarë mendjen të na bëjë keq, sepse tashmë m’i ka kërkuar gratë e djemtë, argjendin e arin, dhe unë nuk ia refuzova.»
8 Tërë pleqtë dhe mbarë populli i thanë: «Mos iu bind dhe mos prano.»
9 Atëherë ai u tha lajmëtarëve të Ben-Hadadit: «I thoni zotërisë tim, mbretit: ‘Do të bëj gjithçka që i kërkove shërbëtorit tënd në fillim, por këtë gjë nuk mund ta bëj.’» Kështu, lajmëtarët ikën dhe ia treguan mbretit këto fjalë.
10 Pastaj Ben-Hadadi i dërgoi këtë mesazh: «Perënditë më ndëshkofshin ashpër po mbeti aq pluhur nga Samaria, sa të mbushen grushtet e kujtdo që më ndjek!»
11 Mbreti i Izraelit iu përgjigj: «I thoni: ‘Ai që po vesh armaturën, të mos mburret si ai që po e heq.’»+
12 Sapo dëgjoi këtë përgjigje, Ben-Hadadi, që ishte duke pirë bashkë me mbretërit nëpër tenda,* u tha shërbëtorëve të vet: «Bëhuni gati për sulm!» Kështu ata u bënë gati për të sulmuar qytetin.
13 Por një profet iu afrua Akabit,+ mbretit të Izraelit, dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘E ke parë gjithë këtë turmë të madhe? Ja, sot po i lë në duart e tua, dhe atëherë ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»+
14 Akabi pyeti: «Me anë të kujt?» Ai ia ktheu: «Kështu thotë Jehovai: ‘Me anë të adjutantëve* të princave të provincave.’» Kështu Akabi pyeti: «Kush do ta fillojë betejën?» Ai iu përgjigj: «Ti.»
15 Atëherë Akabi numëroi adjutantët e princave të provincave: 232 veta. Pas tyre, numëroi gjithë burrat e Izraelit: 7.000 veta.
16 Ata u nisën në mesditë, ndërkohë që Ben-Hadadi po dehej nëpër tenda* bashkë me 32 mbretërit që e ndihmonin.
17 Kur adjutantët e princave të provincave dolën të parët në betejë, Ben-Hadadi dërgoi menjëherë njerëz që të shihnin çfarë po ndodhte. Ata e njoftuan: «Kanë ardhur disa burra nga Samaria.»
18 Atëherë ai tha: «Nëse kanë ardhur për paqe, kapini gjallë, edhe nëse kanë ardhur për betejë, prapë kapini gjallë.»
19 Por, kur dolën nga qyteti, adjutantët e princave të provincave dhe forcat ushtarake që po u shkonin nga pas
20 vranë këdo që po u vinte përballë. Atëherë sirianët ia mbathën,+ dhe Izraeli i ndoqi. Mirëpo Ben-Hadadi, mbreti i Sirisë, ia mbathi me kalë bashkë me disa nga kalorësit.
21 Gjithsesi mbreti i Izraelit doli në betejë dhe i shpartalloi kuajt e karrocat e tyre; u shkaktoi sirianëve humbje të madhe.*
22 Më vonë profeti+ iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: «Shko, përforco mbrojtjen dhe mendohu mirë çfarë do të bësh,+ sepse në fillim të vitit tjetër* mbreti i Sirisë do të dalë kundër teje.»+
23 Tani shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë atij: «Perëndia i tyre është Perëndi malesh. Ja pse na mposhtën. Por, nëse luftojmë kundër tyre në rrafshinë, do t’i mposhtim.
24 Bëj kështu: hiqi të gjithë mbretërit+ nga detyra dhe zëvendësoji me guvernatorë.
25 Pastaj mblidh* një ushtri të barabartë me atë që humbe, me të njëjtin numër kuajsh e karrocash lufte. Të luftojmë kundër tyre në rrafshinë dhe pa dyshim do t’i mposhtim.» Ai ia vuri veshin këshillës së tyre dhe bëri tamam ashtu.
26 Në fillim të vitit,* Ben-Hadadi i mobilizoi sirianët dhe shkoi në Afek+ për të luftuar kundër Izraelit.
27 Edhe populli i Izraelit ishte mobilizuar e ishte furnizuar mirë dhe doli kundër tyre. Kur ngriti kampin përballë tyre, populli i Izraelit ngjante si dy kope të vockla dhish, kurse sirianët mbushën gjithë vendin.+
28 Atëherë njeriu i Perëndisë së vërtetë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: “Meqë sirianët kanë thënë: ‘Jehovai është Perëndi malesh dhe jo Perëndi rrafshinash’, unë do të ta jap në dorë gjithë këtë turmë të madhe,+ dhe me siguri keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.”»+
29 Ata qëndruan të fushuar shtatë ditë përballë njëri-tjetrit, dhe ditën e shtatë filloi beteja. Populli i Izraelit vrau 100.000 këmbësorë sirianë brenda një dite,
30 e ata që mbetën, ia mbathën dhe hynë në qytetin e Afekut.+ Por muret e qytetit ranë mbi 27.000 burrat që kishin mbetur. Edhe Ben-Hadadi ia mbathi e shkoi në qytet dhe u fsheh në një dhomë të futur.
31 Atëherë shërbëtorët e tij i thanë: «Kemi dëgjuar se mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë mbretër të mëshirshëm.* Të lutemi, të dalim para mbretit të Izraelit me copë thesi* në mes dhe me kokën të lidhur me litar. Ndoshta ai do të ta kursejë jetën.»*+
32 Kështu ata vunë copë thesi në mes, lidhën kokën me litar dhe vajtën te mbreti i Izraelit e i thanë: «Shërbëtori yt, Ben-Hadadi thotë: ‘Të lutem, më lër gjallë.’»* Ai ua ktheu: «Është ende gjallë?! Ai është vëllai* im.»
33 Shërbëtorët e morën këtë për ogur* të mirë dhe e besuan atë që tha mbreti, prandaj i thanë: «Po, Ben-Hadadi është vëllai yt.» Atëherë ai tha: «Shkoni dhe merreni.» Kështu Ben-Hadadi doli e shkoi te mbreti, dhe ky dha urdhër që ai të hipte në karrocën e tij të luftës.
34 Ben-Hadadi i tha: «Do të t’i kthej qytetet që mori babai im nga babai yt. Ti do të hapësh tregje* për vete në Damask, ashtu si bëri im atë në Samari.»
Akabi ia ktheu: «Në bazë të kësaj marrëveshjeje,* do të të lejoj të ikësh.»
Kështu, ai bëri një marrëveshje me të dhe e la të ikte.
35 Me urdhër të Jehovait, njëri nga bijtë e profetëve*+ i tha shokut të tij: «Më godit, të lutem!» Por ky nuk pranoi ta godiste.
36 Atëherë ai i tha: «Meqë nuk e dëgjove zërin e Jehovait, sapo të largohesh nga unë, do të të vrasë një luan.» Pasi iku prej tij, një luan i doli përpara dhe e vrau.
37 Ai takoi një burrë tjetër dhe i tha: «Më godit, të lutem!» Prandaj ky e goditi dhe e plagosi.
38 Atëherë profeti u maskua me një fashë mbi sy dhe shkoi të priste mbretin Akab buzë rrugës.
39 Teksa mbreti po kalonte, ai i thirri mbretit dhe i tha: «Shërbëtori yt u fut në mes të betejës dhe atje dikush që po tërhiqej nga beteja më solli një rob lufte dhe më tha: ‘Ruaje këtë njeri! Nëse të ikën, jetën e tij do ta paguash me jetën tënde,+ ose përndryshe do të paguash një talentë* argjendi.’
40 Ndërkohë që shërbëtori yt ishte i zënë me diçka tjetër, ai m’u zhduk nga sytë.» Mbreti i Izraelit i tha: «Ky do të jetë gjykimi yt, se vetë e vendose.»
41 Atëherë ai hoqi me të shpejtë fashën nga sytë, dhe mbreti i Izraelit e njohu që ishte një nga profetët.+
42 Ky i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Meqë të iku nga duart njeriu që thashë se duhej shfarosur,+ jetën e tij do ta paguash me jetën tënde,+ dhe populli yt do të paguajë për popullin e tij.’»+
43 Atëherë mbreti i Izraelit, i ngrysur e tejet i mërzitur, iku në shtëpi, në Samari.+
Shënimet
^ Ose «kasolle».
^ Ose «të oficerëve ndihmës».
^ Ose «kasolle».
^ Ose «bëri kërdi të madhe mes sirianëve».
^ Domethënë, në pranverën tjetër.
^ Fjalë për fjalë «numëro».
^ Domethënë, në pranverë.
^ Ose «që tregojnë dashuri besnike».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «shpirtin».
^ Ose «ma lër shpirtin gjallë».
^ Fjala hebraike e përdorur këtu mund t’i referohet edhe dikujt të të njëjtit rang.
^ Ose «shenjë».
^ Ose «do të zgjedhësh rrugë».
^ Ose «besëlidhjeje».
^ Shprehja «bijtë e profetëve» duket se i referohet një shkolle për profetët ose një shoqërie a grupi profetësh.
^ Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.