Libri i parë i Mbretërve 3:1-28

  • Solomoni martohet me vajzën e faraonit (1-3)

  • Jehovai i shfaqet Solomonit në ëndërr (4-15)

    • Solomoni kërkon mençuri (7-9)

  • Solomoni gjykon dy nëna (16-28)

3  Solomoni bëri aleancë martesore me faraonin, mbretin e Egjiptit. Ai u martua me* vajzën e faraonit,+ e çoi në Qytetin e Davidit+ dhe e la atje derisa mbaroi ndërtimin e shtëpisë së vet,+ të shtëpisë së Jehovait+ dhe të murit rreth e qark Jerusalemit.+  Ndërkohë populli ende i bënte flijimet në vendet e larta,*+ sepse deri në atë kohë nuk ishte ndërtuar akoma një shtëpi për emrin e Jehovait.+  Edhe pse Solomoni vazhdoi ta donte Jehovain dhe të ecte sipas porosive të të atit, Davidit, prapëseprapë ai paraqiste flijime në vendet e larta dhe i vinte që të digjeshin e të nxirrnin tym.+  Mbreti shkoi në Gibeon për të bërë flijime, sepse ai ishte vendi i lartë kryesor.*+ Mbi atë altar, Solomoni bëri 1.000 flijime të djegura.+  Në Gibeon, Jehovai iu shfaq Solomonit natën në një ëndërr. Perëndia i tha: «Më thuaj, ç’dëshiron të të jap?»+  Atëherë Solomoni i tha: «Ti ke treguar shumë dashuri besnike për Davidin, shërbëtorin tënd dhe babanë tim, sepse ai të shërbeu me besnikëri, me drejtësi, dhe me një zemër të sinqertë e me integritet.* Ti ia ke treguar këtë dashuri të madhe besnike deri sot e kësaj dite, duke i dhënë një bir që të ulej në fronin e tij.+  Dhe tani, o Jehova, Perëndia im, ti e ke bërë mbret shërbëtorin tënd në vend të Davidit, babait tim, megjithëse s’jam veçse një djalosh* dhe pa përvojë.*+  Shërbëtori yt po mbretëron mbi popullin që ke zgjedhur,+ një popull aq i madh sa nuk mund të numërohet ose të llogaritet.  Prandaj jepi shërbëtorit tënd një zemër të bindur për të gjykuar popullin tënd,+ për të dalluar të mirën nga e keqja,+ sepse kush është në gjendje ta gjykojë popullin tënd të panumërt?»* 10  Jehovait i pëlqeu ajo që kërkoi Solomoni.+ 11  Atëherë Perëndia i tha: «Meqë nuk ke kërkuar as jetë të gjatë,* as pasuri dhe as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar aftësi për të kuptuar që të trajtosh* çështje gjyqësore,+ 12  unë do ta bëj atë që më kërkove.+ Do të të jap një zemër të mençur+ e që kupton mirë, dhe nuk do të ketë kurrë njeri si ti në të ardhmen, siç nuk ka pasur deri tani.+ 13  Për më tepër, do të të jap edhe atë që nuk ke kërkuar,+ pasuri e lavdi,+ dhe nuk do të ketë asnjë mbret tjetër si ti, gjatë gjithë jetës sate.*+ 14  E nëse ecën në udhët e mia, duke zbatuar rregullat dhe urdhërimet e mia, siç eci Davidi, babai yt,+ do të të jap edhe jetë të gjatë.»*+ 15  Kur Solomoni u zgjua, kuptoi që kishte qenë në ëndërr. Pastaj vajti në Jerusalem dhe qëndroi përpara arkës së besëlidhjes së Jehovait, paraqiti flijime të djegura dhe blatime në bashkësi,+ si dhe shtroi një banket për gjithë shërbëtorët e tij. 16  Në atë kohë, dy prostituta shkuan te mbreti dhe dolën para tij. 17  Gruaja e parë tha: «Më fal, zotëria im, unë dhe kjo grua banojmë në të njëjtën shtëpi, dhe kur linda, ajo ishte në shtëpi. 18  Tri ditë pas meje, lindi edhe ajo. Ishim bashkë, vetëm ne të dyja; në shtëpi nuk kishte asnjë tjetër. 19  Gjatë natës djali i saj vdiq, sepse ajo e zuri nën vete ndërsa flinte. 20  Kështu, ndërkohë që shërbëtorja jote ishte në gjumë, ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim që ishte pranë meje dhe e vuri në krahët e saj,* kurse djalin e vet të vdekur e vuri në krahët e mi. 21  Kur u ngrita në mëngjes për t’i dhënë gji djalit, pashë që ishte i vdekur. Atëherë pashë me vëmendje dhe kuptova se nuk ishte djali që kisha lindur unë.» 22  Por gruaja tjetër tha: «Jo, djali im është ai që është gjallë dhe djali yt është ai që ka vdekur!» Kurse gruaja e parë thoshte: «Jo, djali yt është ai që ka vdekur dhe djali im është ai që është gjallë.» Dhe kështu debatonin para mbretit. 23  Në fund mbreti tha: «Njëra thotë: ‘Ai që është gjallë është djali im, dhe djali yt është ai që ka vdekur!’, kurse tjetra thotë: ‘Jo, ai që ka vdekur është djali yt, dhe ai që është gjallë është djali im!’» 24  Mbreti shtoi: «Më sillni një shpatë.» Dhe i sollën një shpatë. 25  Atëherë mbreti tha: «Ndajeni më dysh fëmijën e gjallë dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës.» 26  Menjëherë, nga dhembshuria për të birin, nëna e fëmijës së gjallë iu përgjërua mbretit: «Të lutem, zotëria im, jepjani fëmijën asaj! Vetëm mos e vritni!» Por gruaja tjetër thoshte: «Të mos jetë as imi, as yti. Ndajeni më dysh!» 27  Atëherë mbreti tha: «Jepjani fëmijën gruas së parë! Mos e vritni, sepse ajo është nëna e tij.» 28  Kështu tërë Izraeli dëgjoi për vendimin gjyqësor që kishte dhënë mbreti dhe u mrekulluan* nga ai,+ sepse e panë që mbreti kishte mençurinë e Perëndisë për të zbatuar drejtësinë.+

Shënimet

Ose «Ai mori».
Ose «më i rëndësishëm».
Ose «një fëmijë».
Fjalë për fjalë «dhe nuk di të dal e nuk di të hyj».
Një mundësi tjetër «kokëfortë?» Fjalë për fjalë «të rëndë?»
Fjalë për fjalë «ditë të shumta».
Fjalë për fjalë «të dëgjosh».
Fjalë për fjalë «gjithë ditëve të tua».
Fjalë për fjalë «do t’i zgjas ditët e tua».
Fjalë për fjalë «gjirin e saj».
Fjalë për fjalë «u frikësuan».