Libri i parë i Mbretërve 9:1-28
9 Sapo Solomoni mbaroi ndërtimin e shtëpisë së Jehovait, të shtëpisë së mbretit*+ dhe të gjithçkaje që donte të ndërtonte,+
2 Jehovai iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon.+
3 Jehovai i tha: «E kam dëgjuar lutjen dhe përgjërimin që më bëre. E kam shenjtëruar këtë shtëpi që ke ndërtuar, duke vënë aty emrin tim+ përgjithnjë. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë aty përgjithmonë.+
4 Nëse ti ecën para meje ashtu siç eci ati yt, Davidi,+ me një zemër me integritet*+ dhe me drejtësi,+ duke bërë gjithçka që të kam urdhëruar,+ dhe u bindesh rregullave dhe vendimeve të mia gjyqësore,+
5 atëherë unë do ta bëj të patundur përgjithnjë fronin e mbretërisë sate në Izrael, ashtu siç i premtova Davidit, atit tënd: ‘Një nga pasardhësit e tu do të ulet gjithmonë në fronin e Izraelit.’+
6 Por nëse ju dhe djemtë tuaj largoheni nga unë dhe nuk më ndiqni, nëse nuk i zbatoni urdhërimet dhe ligjet që ju kam vënë përpara, dhe filloni t’u shërbeni perëndive të tjera e të përkuleni para tyre,+
7 unë do ta dëboj Izraelin nga vendi që i kam dhënë.+ Shtëpinë që kam shenjtëruar për emrin tim, do ta flak larg meje,+ dhe Izraeli do të bëhet objekt përbuzjeje* dhe gazi i botës.+
8 Kjo shtëpi do të kthehet në grumbuj gërmadhash.+ Kushdo që do t’i kalojë pranë, do t’ia ngulë sytë i shtangur, do të fishkëllejë nga habia dhe do të thotë: ‘Pse e ka katandisur kështu Jehovai këtë vend dhe këtë shtëpi?!’+
9 Atëherë do t’i përgjigjen: ‘Ngaqë braktisën Jehovain, Perëndinë e tyre, që i kishte nxjerrë paraardhësit e tyre nga vendi i Egjiptit, dhe pranuan krahëhapur perëndi të tjera, u përkulën para tyre dhe u shërbyen. Prandaj Jehovai u solli gjithë këtë të keqe.’»+
10 Gjatë 20 vjetëve, Solomoni ndërtoi dy shtëpitë, shtëpinë e Jehovait dhe shtëpinë e mbretit.+
11 Hirami,+ mbreti i Tirit, i kishte dhënë Solomonit dru cedri, dru dëllinje, si dhe ar, aq sa i kërkoi,+ prandaj mbreti Solomon i dha Hiramit 20 qytete në vendin e Galilesë.
12 Kështu Hirami doli nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk mbeti i kënaqur.*
13 Ai tha: «Ç’janë këto qytete që më ke dhënë, o vëlla?» Prandaj ato quhen Vendi i Kabulit* deri sot e kësaj dite.
14 Hirami i dërgoi mbretit 120 talenta* ari.+
15 Me anë të atyre që kishte rekrutuar për punë të detyruar,+ Solomoni ndërtoi shtëpinë e Jehovait,+ shtëpinë e vet, Bregoren,*+ murin e Jerusalemit, Hazorin,+ Megidon+ dhe Gezerin.+
16 (Faraoni, mbreti i Egjiptit, ishte ngjitur në Gezer, e kishte pushtuar dhe e kishte djegur me zjarr, ndërsa kananitët+ që banonin në qytet, i kishte vrarë. Kështu, ai ia dha atë si pajë* së bijës,+ gruas së Solomonit.)
17 Solomoni rindërtoi* Gezerin, Beth-Horonin e Poshtëm,+
18 Baalathin,+ Tamarën në shkretëtirën e vendit,
19 si edhe të gjitha qytetet-depo të Solomonit, qytetet e karrocave,+ qytetet e kalorësve, dhe gjithçka që deshi të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në gjithë vendin që kishte në zotërim.
20 Sa për të gjithë njerëzit që kishin mbetur nga amoritët, hititët, perezitët, hivitët dhe nga jebusitët,+ që nuk ishin pjesë e popullit të Izraelit,+
21 pasardhësit që kishin mbetur në vend—pasardhësit e atyre që izraelitët nuk kishin mundur t’i shfarosnin—Solomoni i rekrutoi për të punuar si skllevër deri sot e kësaj dite.+
22 Por Solomoni nuk bëri skllav asnjë izraelit.+ Përkundrazi, ata ishin luftëtarët, shërbëtorët, princat e adjutantët e vet,* si dhe krerët e karrocierëve dhe të kalorësve të vet.
23 Në krye të punimeve të Solomonit ishin 550 krerë nëpunësish, të cilët ishin përgjegjës për njerëzit që kryenin punën.+
24 Vajza e faraonit+ shkoi nga Qyteti i Davidit+ në shtëpinë që kishte ndërtuar Solomoni për të. Pastaj ai ndërtoi Bregoren.*+
25 Tri herë në vit+ Solomoni paraqiste flijime të djegura dhe flijime në bashkësi mbi altarin që kishte ndërtuar për Jehovain;+ mbi altarin që ishte para Jehovait ngjitej tymi i blatimeve. Kështu ai përfundoi shtëpinë.+
26 Mbreti Solomon bëri edhe një flotë anijesh në Ezion-Geber,+ që gjendet pranë Elothit, në bregun e Detit të Kuq në vendin e Edomit.+
27 Hirami dërgonte shërbëtorët e vet, detarë me përvojë, që të shërbenin në flotën e anijeve+ bashkë me shërbëtorët e Solomonit.
28 Ata shkonin në Ofir+ dhe merrnin që andej 420 talenta ari, të cilat ia sillnin mbretit Solomon.
Shënimet
^ Ose «të pallatit mbretëror».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «shprehje proverbiale».
^ Fjalë për fjalë «ato nuk ishin të duhurat në sytë e tij».
^ Një mundësi tjetër «Vendi pa asnjë vlerë».
^ Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «Milon». Një fjalë hebraike që do të thotë «mbush».
^ Ose «dhuratë martese».
^ Ose «fortifikoi».
^ Ose «oficerët e vet ndihmës».
^ Ose «Milon». Një fjalë hebraike që do të thotë «mbush».