Letra e parë drejtuar korintasve 13:1-13
-
Dashuria—një udhë që i tejkalon të tjerat (1-13)
13 Edhe sikur të flas gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kem dashuri, do të bëhem si një gong shurdhues a si një cimbal çjerrës.*
2 Edhe sikur të kem dhuratën e profetizimit dhe të kuptoj gjithë sekretet e shenjta dhe gjithë njohurinë,+ edhe sikur të kem besim aq të fortë sa të zhvendos malet, por të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë.*+
3 Edhe sikur të jap gjithë zotërimet e mia për të ushqyer të varfrit,+ edhe sikur ta flijoj jetën time për t’u dukur, por të mos kem dashuri,+ nuk do të më sjellë asnjë dobi.
4 Dashuria+ është e duruar*+ dhe plot mirësi.+ Dashuria nuk është xheloze.*+ Ajo nuk mburret, nuk krekoset,+
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme,*+ nuk kërkon interesin e vet,+ nuk provokohet,+ nuk e mban llogari të keqen,*+
6 nuk gëzon për padrejtësinë,+ por gëzon me të vërtetën.
7 Mban çdo gjë,+ beson çdo gjë,+ shpreson çdo gjë,+ i qëndron* çdo gjëje.+
8 Dashuria nuk shuhet kurrë.* Por, nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen; nëse ka dhurata për të folur gjuhë,* do të marrin fund; nëse ka dhurata njohurie, do të ndërpriten.
9 Faktikisht, ne kemi njohuri të pjesshme+ dhe profetizojmë pjesërisht,
10 por kur të vijë e plota, e pjesshmja do të hiqet.
11 Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tej tiparet e një fëmije.
12 Tani për tani ne shohim me konture të mjegullta* në një pasqyrë të metaltë, por atëherë do të shohim qartë, fytyrë për fytyrë. Për momentin kam njohuri të pjesshme, por atëherë do të kem njohuri të plotë,* sikurse edhe Perëndia më njeh plotësisht.
13 Megjithatë, tani mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.+
Shënimet
^ Gongu dhe cimbali janë instrumente muzikore me goditje.
^ Ose «nuk do të vlej për asgjë».
^ Ose «shpirtgjerë».
^ Ose «ziliqare».
^ Ose «nuk i mban llogari gabimet».
^ Ose «nuk është e vrazhdë».
^ Ose «i bën ballë».
^ Ose «ka gjithmonë sukses».
^ Domethënë, aftësia për të folur gjuhë të ndryshme falë një mrekullie.
^ Ose «nuk shohim qartë».
^ Ose «të saktë».