Letra e parë drejtuar korintasve 16:1-24
16 Sa për mbledhjen e kontributit për të shenjtët,+ mund të ndiqni udhëzimet që u dhashë kongregacioneve në Galati:
2 ditën e parë të çdo jave, secili të vërë diçka mënjanë sipas mundësisë, që kontributet të mos mblidhen kur të vij unë.
3 Dhe kur të mbërrij, burrat që rekomandoni në letrat tuaja,+ do t’i nis në Jerusalem që të çojnë dhuratën tuaj bujare.
4 Megjithatë, nëse është më mirë që edhe unë të shkoj atje, ata do të vijnë me mua.
5 Te ju do të vij pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni* (sepse kam ndër mend të kaloj nëpër Maqedoni)+
6 dhe mbase rri ca kohë a kaloj edhe dimrin me ju; kështu mund të më përcillni një copë rrugë atje ku do të shkoj.
7 Faktikisht nuk dua t’ju shoh tani kalimthi, sepse shpresoj të rri ca kohë me ju,+ nëse e lejon Jehovai.*
8 Megjithatë do të qëndroj në Efes+ deri në Festën e Ditës së Pesëdhjetë,
9 sepse më është hapur një derë e madhe për më shumë aktivitet,+ por ka shumë kundërshtarë.
10 Tani, nëse vjen Timoteu,+ kujdesuni që të mos ketë druajtje ndërsa është te ju, sepse ai po kryen veprën e Jehovait,*+ ashtu si unë.
11 Prandaj, askush të mos e shohë me përbuzje. Përcilleni një copë rrugë, që të vijë shëndoshë e mirë këtu tek unë, sepse po e pres bashkë me vëllezërit.
12 Sa për vëllanë tonë, Apolin,+ edhe pse iu luta shumë të vinte te ju bashkë me vëllezërit, për momentin s’kishte në plan të vinte, por do të vijë kur të ketë mundësi.
13 Rrini zgjuar!+ Qëndroni të patundur në besim!+ Silluni si burrat!*+ Bëhuni të fuqishëm!+
14 Çdo gjë që bëni, bëjeni me dashuri!+
15 Tani, vëllezër, ju e dini se ata të shtëpisë së Stefanait janë nga dishepujt e parë* në Akai dhe se iu përkushtuan shërbimit të të shenjtëve. Prandaj po ju nxit
16 të vazhdoni t’u nënshtroheni njerëzve të tillë, si edhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë e punojnë pa u lodhur.+
17 Jam shumë i kënaqur me praninë e Stefanait,+ të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata më kanë ndihmuar shumë kur ju s’ishit këtu me mua.
18 Ata më kanë sjellë freskim mua* dhe juve. Prandaj, vlerësojini këta lloj njerëzish.
19 Kongregacionet e Azisë ju dërgojnë të fala. Akuila dhe Priska, bashkë me kongregacionin që mblidhet në shtëpinë e tyre,+ ju përshëndetin nga zemra në Zotërinë.
20 Të gjithë vëllezërit ju dërgojnë të fala. Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.
21 Ja përshëndetja ime, e Pavlit, që e shkrova me dorën time.
22 Nëse dikush nuk e ka për zemër Zotërinë, qoftë i mallkuar! Eja, o Zotëria ynë!
23 Mirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu qoftë me ju!
24 Ju dërgoj dashurinë time të gjithëve ju që jeni në unitet me Krishtin Jezu!
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «Jini guximtarë!»
^ Fjalë për fjalë «frytet e para».
^ Fjalë për fjalë «frymës sime».