Letra e parë drejtuar korintasve 3:1-23
3 Kështu, vëllezër, nuk munda t’ju flisja si njerëzve që drejtohen nga fryma,+ por si njerëzve që drejtohen nga dëshirat e veta, si foshnjave+ në udhën e Krishtit.
2 Ju ushqeva me qumësht, jo me ushqim të fortë, sepse ende nuk ishit në gjendje ta bluanit. Në fakt, as tani nuk jeni në gjendje,+
3 sepse ende drejtoheni nga dëshirat tuaja.+ Përderisa mes jush ka xhelozi* dhe konflikte, a nuk po drejtoheni nga këto dëshira+ dhe a nuk po ecni siç ecën e gjithë bota?!
4 Kur njëri thotë: «Unë i përkas Pavlit», dhe tjetri: «Unë Apolit»,+ a nuk po veproni si gjithë njerëzit e tjerë?!
5 Kush është, pra, Apoli? Po Pavli, kush është? Shërbëtorë+ që kryejnë veprën që u caktoi Zotëria, nëpërmjet të cilëve ju u bëtë besimtarë.
6 Unë mbolla,+ Apoli ujiti,+ por Perëndia vazhdon ta rritë.
7 Prandaj s’është gjë as ai që mbjell, as ai që ujit, por Perëndia që e bën të rritet.+
8 Tani, ai që mbjell dhe ai që ujit, punojnë në unitet,* por secili do ta marrë shpërblimin sipas veprës së vet,+
9 sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. Ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.+
10 Në përputhje me mirësinë e pamerituar që më tregoi Perëndia, unë hodha një themel+ si një mjeshtër ndërtimi,* ndërsa një tjetër po ndërton mbi të. Mirëpo secili le të hapë sytë si po ndërton mbi të,
11 sepse askush nuk mund të hedhë ndonjë themel tjetër përveç atij që është hedhur tashmë, domethënë Jezu Krishtit.+
12 Nëse dikush ndërton mbi këtë themel me ar, argjend ose gurë të çmuar, dhe një tjetër me dru, sanë* ose kashtë,
13 vepra e gjithsecilit do të duket qartë si është, sepse do të vijë dita kur zjarri do të tregojë+ e do të provojë ç’lloj vepre ka ndërtuar secili.
14 Nëse vepra që dikush ka ndërtuar mbi këtë themel, qëndron, ai do të marrë shpërblimin.
15 Mirëpo, nëse vepra e dikujt digjet, ai do të pësojë humbje, kurse vetë do të shpëtojë, sikur të kishte shpëtuar nga flakët e zjarrit.
16 A nuk e dini se ju vetë jeni tempulli i Perëndisë+ dhe se fryma e Perëndisë banon te ju?+
17 Nëse dikush shkatërron tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta shkatërrojë atë vetë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë, e ky tempull jeni ju.+
18 Askush të mos mashtrojë veten: nëse ndonjë nga ju mendon se është i mençur në këtë botë,* le të bëhet i marrë që të bëhet vërtet i mençur,
19 sepse mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë, ashtu siç është shkruar: «Ai i zë në lak të mençurit me dinakërinë e tyre.»+
20 Për më tepër, «Jehovai* e di që arsyetimet e njerëzve të mençur janë të kota».+
21 Prandaj askush të mos mburret për njerëzit, sepse gjithçka ju përket juve,
22 qoftë Pavli, Apoli, Kefa,*+ bota, jeta, vdekja, gjërat e së tashmes ose gjërat e së ardhmes, po, gjithçka ju përket juve.
23 Kurse ju i përkitni Krishtit,+ dhe Krishti i përket Perëndisë.
Shënimet
^ Ose «smirë».
^ Fjalë për fjalë «janë një».
^ Ose «kryepunëtor i mençur».
^ Ose «bar i thatë».
^ Ose «në këtë sistem; në këtë rend». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Quhet edhe Pjetër.