Letra e parë drejtuar korintasve 4:1-21
4 Çdokush të na konsiderojë shërbëtorë* të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë,+
2 dhe nga kujdestarët pritet të jenë besnikë.*
3 Tani, për mua ka shumë pak rëndësi nëse më hetoni ju apo ndonjë gjykatë njerëzore. Ç’është e vërteta, unë nuk hetoj as veten time,
4 ngaqë nuk më vret ndërgjegjja për ndonjë gjë. Megjithatë, me këtë nuk po them se jam i drejtë, pasi ai që më gjykon mua, është Jehovai.*+
5 Prandaj mos gjykoni+ para kohës së caktuar, përkundrazi, pritni derisa të vijë Zotëria. Ai do t’i nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do t’i bëjë të dukshme qëllimet e zemrës, dhe atëherë gjithsecili do të marrë nga Perëndia lëvdimin që i takon.+
6 Vëllezër, këto gjëra jua kam thënë për të mirën tuaj, duke përdorur Apolin+ dhe veten si shembuj, që nëpërmjet nesh të mësoni këtë parim: «Mos shko përtej gjërave të shkruara», që asnjë të mos krekoset+ e të mos favorizojë njërin në kurriz të tjetrit.
7 Çfarë të bën ty më të mirë se një tjetër? Në të vërtetë, ç’gjë ke ti që nuk ta kanë dhënë?+ E nëse faktikisht e ke dhuratë, pse mburresh sikur e ke marrë me forcat e tua?
8 Që tani jeni ngopur? Që tani jeni pasuruar? Keni filluar të mbretëroni+ pa ne? Sa do të doja të kishit filluar të mbretëronit, që edhe ne të mbretëronim me ju!+
9 Faktikisht, më duket se Perëndia na ka lënë ne apostujt të fundit në shfaqje, si njerëz të dënuar me vdekje,+ sepse jemi bërë teatër për botën,+ për engjëjt dhe për njerëzit.
10 Ne qenkemi të marrë+ për hir të Krishtit, kurse ju qenkeni të mençur për hir të tij; ne qenkemi të dobët, kurse ju të fortë; ju qenkeni të nderuar, kurse ne të përbuzur.
11 Sot e kësaj dite vuajmë nga uria+ dhe etja,+ jemi të veshur keq,* të rrahur,*+ të pastrehë
12 dhe robtohemi ndërsa punojmë me duart tona.+ Kur na shajnë, ne bekojmë,+ kur na përndjekin, ne vazhdojmë të durojmë,+
13 kur shpifin për ne, përgjigjemi me butësi.*+ Jemi bërë mbeturinat* e botës, fundërrinat e çdo gjëje deri më tani.
14 Nuk po i shkruaj këto gjëra për t’ju turpëruar, por për t’ju këshilluar* si fëmijët e mi të dashur,
15 sepse, edhe po të keni 10.000 kujdestarë* mes dishepujve të Krishtit, pa dyshim që nuk keni shumë etër. Në të vërtetë, unë jam bërë ati juaj falë Krishtit Jezu, ngaqë ju kam sjellë lajmin e mirë.+
16 Ju nxit, pra, të bëheni imituesit e mi.+
17 E për këtë arsye po ju dërgoj Timoteun, meqë është biri im i dashur dhe i shërben me besnikëri Zotërisë. Ai do t’ju sjellë ndër mend metodat* e mia në shërbim të Krishtit Jezu,+ ashtu siç mësoj në çdo kongregacion.
18 Disa u krekosën ngaqë kujtuan se nuk do të vija te ju.
19 Megjithatë, në qoftë vullneti i Jehovait,* do të vij së shpejti te ju, jo për të dëgjuar fjalët e atyre që krekosen, por për të parë nëse fuqia e Perëndisë po i drejton në jetë,
20 sepse Mbretëria e Perëndisë nuk ka të bëjë me fjalët, por me fuqinë e Perëndisë.
21 Çfarë preferoni? Të vij te ju me shkop,+ apo me dashuri dhe butësi?
Shënimet
^ Ose «vartës».
^ Ose «të besueshëm».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «të keqtrajtuar».
^ Fjalë për fjalë «të zhveshur».
^ Fjalë për fjalë «përgjërohemi».
^ Ose «plehrat».
^ Ose «për t’ju mësuar».
^ Ose «edukatorë».
^ Fjalë për fjalë «udhët».
^ Shih Shtojcën A5.