Letra e parë drejtuar korintasve 6:1-20
6 A guxon ndonjë prej jush, kur ka një mosmarrëveshje me një tjetër, të kërkojë të drejtën në gjyq përpara jobesimtarëve e jo përpara të shenjtëve?!+
2 Apo nuk e dini se të shenjtët do të gjykojnë botën?!+ E nëse ju do të gjykoni botën, nuk jeni të zotë të gjykoni çështje fare të papërfillshme?!
3 A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëj?!+ Atëherë, pse të mos gjykojmë edhe çështje të jetës së përditshme?!
4 E nëse keni çështje të tilla që duhen gjykuar,+ na zgjidhkeni gjykatës që nuk gëzojnë respektin e kongregacionit?!
5 Po ju flas që t’ju vijë turp. Nuk paskeni mes jush asnjë njeri të mençur që të jetë në gjendje të gjykojë mes vëllezërve?!
6 Përkundrazi, vëllai hedh në gjyq vëllanë, madje përpara jobesimtarëve!
7 Vërtet, kur hidhni në gjyq njëri-tjetrin, tashmë keni humbur. Pse nuk lejoni më mirë t’ju bëhet një padrejtësi?+ Pse nuk lejoni më mirë t’ju hanë hakun?
8 Përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe hani hakun, madje këto ua bëni vëllezërve tuaj!
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë?+ Mos u mashtroni!* Imoralët,*+ idhujtarët,+ kurorëshkelësit,*+ burrat që kryejnë marrëdhënie homoseksuale,*+
10 hajdutët, lakmitarët,+ pijanecët,+ sharësit* dhe zhvatësit nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.+
11 Megjithatë, të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo, falë frymës së Perëndisë tonë, jeni larë,+ jeni shenjtëruar+ e jeni shpallur të drejtë+ në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht.
12 Gjithçka më lejohet,* por jo gjithçka është dobiprurëse.+ Gjithçka më lejohet, por s’do të lejoj asgjë të më ketë nën kontroll.*
13 Ushqimi është për stomakun e stomaku për ushqimin, por Perëndia do t’u japë fund të dyve.+ Trupi nuk është për të kryer imoralitet seksual,* por për të kryer veprën e Zotërisë,+ dhe Zotëria kujdeset për trupin.
14 Perëndia e ngriti Zotërinë+ dhe do të na ngrejë edhe ne nga vdekja+ me anë të fuqisë së tij.+
15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të trupit të Krishtit?+ T’i marr, atëherë, gjymtyrët e trupit të Krishtit e t’i bashkoj me trupin e një prostitute? Kurrsesi!
16 Nuk e dini se kush bashkohet me një prostitutë bëhet një trup i vetëm me të? Se «të dy do të jenë një mish i vetëm»,+—thotë Perëndia.
17 Por kushdo që është në unitet me Zotërinë, është në një mendje me të.*+
18 Prandaj ikni nga imoraliteti seksual!*+ Çdo mëkat tjetër që njeriu mund të kryejë, nuk lidhet drejtpërdrejt me trupin,* por ai që kryen imoralitet seksual, mëkaton kundër trupit të vet.+
19 A nuk e dini që trupi juaj është tempulli+ i frymës së shenjtë, e cila banon te ju dhe jua ka dhënë Perëndia?+ Gjithashtu, ju nuk i përkitni vetes,+
20 sepse u bletë me një çmim.+ Prandaj jepini lavdi Perëndisë+ me trupin tuaj.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
^ Në gjuhën origjinale këtu përdoren dy fjalë të ndryshme: njëra i referohet rolit pasiv dhe tjetra rolit aktiv në marrëdhëniet homoseksuale.
^ Ose «ata që kryejnë tradhti bashkëshortore».
^ Ose «Të mos ju gënjejë mendja!»
^ Ose «ata që përdorin të folur poshtërues».
^ Ose «të më vërë nën pushtetin e saj».
^ Ose «është e ligjshme për mua».
^ Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «është një frymë me të».
^ Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «është jashtë trupit të tij».