Libri i parë i Kronikave 19:1-19

  • Amonitët fyejnë lajmëtarët e Davidit (1-5)

  • Fitore ndaj Amonit dhe Sirisë (6-19)

19  Më vonë, Nahashi, mbreti i amonitëve, vdiq, dhe në vend të tij u bë mbret i biri.+  Me të dëgjuar këtë, Davidi tha: «Unë do t’i tregoj dashuri besnike+ Hanunit, birit të Nahashit, siç tregoi dashuri besnike edhe babai i tij ndaj meje.» Prandaj Davidi dërgoi lajmëtarë që ta ngushëllonin për vdekjen e të atit. Por, kur shërbëtorët e Davidit hynë në vendin e amonitëve+ për të ngushëlluar Hanunin,  princat e amonitëve i thanë Hanunit: «Vërtet mendon se Davidi të ka dërguar ngushëllues që të nderojë babanë tënd? A nuk t’i ka dërguar shërbëtorët e vet që të hetojnë mirë vendin e të spiunojnë, dhe më pas ta shkatërrojnë?»  Atëherë Hanuni i mori shërbëtorët e Davidit, u rroi mjekrën,+ ua preu rrobat përgjysmë deri te vithet dhe i dëboi.  Kur i treguan për këtë, Davidi dërgoi menjëherë njerëz që t’u dilnin përpara shërbëtorëve të tij, sepse i kishin poshtëruar tej mase. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko+ derisa t’ju rritet mjekra, dhe pastaj kthehuni.»  Me kalimin e kohës, amonitët e kuptuan se ishin bërë të neveritshëm për Davidin, prandaj Hanuni e amonitët paguan 1.000 talenta* argjendi për të marrë me pagesë karroca e kalorës nga Mesopotamia,* nga Aram-Makahu dhe nga Zobahu.+  Kështu morën me pagesë 32.000 karroca lufte, bashkë me mbretin e Makahut dhe njerëzit e tij. Pastaj hynë dhe e ngritën kampin përpara Medebës,+ kurse amonitët u mblodhën nga qytetet e tyre dhe dolën për betejë.  Kur e dëgjoi këtë, Davidi dërgoi Joabin+ dhe gjithë ushtrinë, ku përfshiheshin luftëtarët e tij më të fuqishëm.+  Amonitët dolën dhe u rreshtuan në formacion luftimi në hyrje të qytetit, kurse mbretërit që kishin ardhur u rreshtuan më vete në fushë. 10  Kur pa se kundër tij po vinin dy forca sulmuese, njëra nga përpara dhe tjetra nga pas, Joabi zgjodhi disa nga ushtarët më të mirë të Izraelit dhe i rreshtoi në formacion luftimi që të ndesheshin me sirianët.+ 11  Pjesën tjetër të ushtarëve e vuri nën komandën* e Abishait,+ vëllait të vet, që t’i rreshtonte në formacion luftimi për t’u ndeshur me amonitët. 12  Pastaj i tha të vëllait: «Nëse sirianët+ janë më të fortë se unë, ti do të vish të më shpëtosh, por nëse amonitët janë më të fortë se ti, do të vij unë që të të shpëtoj. 13  Duhet të jemi të fortë dhe guximtarë+ për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë, dhe Jehovai do të bëjë si t’i duket më mirë.» 14  Atëherë Joabi dhe njerëzit e tij marshuan që të luftonin kundër sirianëve, të cilët ia mbathën para tij.+ 15  Kur panë se sirianët ia kishin mbathur, edhe amonitët ia mbathën para Abishait, vëllait të Joabit, dhe hynë në qytet. Pas kësaj, Joabi hyri në Jerusalem. 16  Kur panë se Izraeli i kishte mundur, sirianët dërguan lajmëtarë që të sillnin sirianët që ishin në rajonin e Lumit,*+ bashkë me Shofakun, kreun e ushtrisë së Hadadezerit, që u printe.+ 17  Sapo i raportuan për këtë, Davidi mblodhi menjëherë gjithë ushtrinë e Izraelit, kaloi Jordanin, vajti tek ata dhe u rreshtua në formacion luftimi kundër tyre. Ai doli për të luftuar kundër sirianëve dhe ata luftuan kundër tij.+ 18  Por sirianët ia mbathën para Izraelit. Davidi vrau 7.000 karrocierë dhe 40.000 këmbësorë sirianë; atje vrau edhe Shofakun, kreun e ushtrisë. 19  Kur shërbëtorët e Hadadezerit panë që Izraeli i kishte mundur,+ bënë menjëherë paqe me Davidin dhe iu nënshtruan.+ Siria nuk deshi t’i ndihmonte më amonitët.

Shënimet

Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «Aram-Naharaimi».
Fjalë për fjalë «në dorën».
Domethënë, lumit Eufrat.