Libri i parë i Samuelit 4:1-22
4 Dhe fjala e Samuelit u përhap në tërë Izraelin.
Atëherë Izraeli doli në betejë kundër filistinëve; ata e ngritën kampin pranë Ebenezerit, kurse filistinët kishin fushuar në Afek.
2 Filistinët u rreshtuan në formacion luftimi për t’u ndeshur me Izraelin, por beteja shkoi keq, dhe Izraeli u mund nga filistinët, të cilët vranë rreth 4.000 burra në fushën e betejës.
3 Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: «Pse lejoi Jehovai të na mundnin sot filistinët?*+ Le ta marrim me vete arkën e besëlidhjes së Jehovait nga Shilohu,+ që të na shpëtojë nga dora e armiqve tanë.»
4 Kështu populli dërgoi njerëz në Shiloh, të cilët morën që andej arkën e besëlidhjes së Jehovait të ushtrive, që rri ulur në fron mbi kerubinët.*+ Edhe dy djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi,+ ishin atje bashkë me arkën e besëlidhjes së Perëndisë së vërtetë.
5 Sapo arka e besëlidhjes së Jehovait erdhi në kamp, të gjithë izraelitët lëshuan britma të forta, aq sa toka u drodh.
6 Kur filistinët i dëgjuan, thanë: «Ç’është kjo britmë e fortë në kampin e hebrenjve?» Në fund morën vesh se në kamp kishte vajtur Arka e Jehovait.
7 Atëherë, të frikësuar, filistinët thanë: «Në kamp ka vajtur Perëndia!»+ Prandaj thanë: «Mjerë ne, sepse një gjë e tillë s’ka ndodhur kurrë më parë!
8 Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtij Perëndie të madhërishëm?! Ky është Perëndia që e goditi Egjiptin me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.+
9 Jini guximtarë dhe tregohuni burra, o filistinë, që të mos u shërbeni hebrenjve siç ju kanë shërbyer ata juve.+ Tregohuni burra dhe luftoni!»
10 Kështu, filistinët luftuan dhe Izraeli u mund,+ e secili ia mbathi në tendën e vet. Masakra ishte shumë e madhe: nga Izraeli ranë 30.000 këmbësorë.
11 Veç kësaj, Arka e Perëndisë u mor dhe dy djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.+
12 Një burrë nga fisi i Beniaminit iku me vrap nga fusha e betejës dhe, po atë ditë, mbërriti në Shiloh me rroba të shqyera e me dhé në kokë.+
13 Kur burri mbërriti, Eliu po rrinte ulur buzë rrugës në ndenjësen e tij dhe po shikonte, sepse i drithëronte zemra për Arkën e Perëndisë së vërtetë.+ Burri hyri në qytet për të dhënë lajmin, dhe gjithë qyteti nisi të klithte.
14 Kur dëgjoi klithmat, Eliu pyeti: «Ç’është kjo rrëmujë?» Burri nxitoi që t’i jepte lajmin Eliut.
15 (Eliu ishte 98 vjeç; nuk i lëvizte sytë, e as nuk shihte.)+
16 Atëherë burri i tha Eliut: «Unë jam ai që erdhi nga fusha e betejës! Pikërisht sot ia mbatha nga fusha e betejës.» Me të dëgjuar këtë, Eliu e pyeti: «Çfarë ndodhi, biri im?»
17 Kështu lajmëtari i tregoi: «Izraeli ia mbathi nga filistinët dhe populli ka pësuar një humbje të madhe.+ Kanë vdekur edhe dy djemtë e tu, Hofni e Finehasi,+ dhe Arkën e Perëndisë së vërtetë e kanë marrë.»+
18 Në çastin kur ai përmendi Arkën e Perëndisë së vërtetë, Eliu u rrëzua mbrapsht nga ndenjësja buzë portës. Iu thye qafa dhe vdiq, sepse ishte i moshuar dhe i rëndë. Ai e kishte gjykuar Izraelin për 40 vjet.
19 Nusja e djalit, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë dhe në prag të lindjes. Kur dëgjoi lajmin se kishin marrë Arkën e Perëndisë së vërtetë dhe se vjehrri e burri kishin vdekur, u kërrus nga dhembjet, sepse i filluan papritur dhembjet e lindjes, dhe lindi.
20 Teksa po vdiste, gratë që i rrinin pranë, i thanë: «Mos ki frikë, se ke lindur djalë.» Ajo nuk u përgjigj dhe as nuk u kushtoi vëmendje* fjalëve të tyre,
21 por e quajti djalin Ikabod*+ dhe tha: «Lavdia ka ikur nga Izraeli dhe e kanë çuar në mërgim.»+ Këtë e tha, sepse Arkën e Perëndisë së vërtetë e kishin marrë si plaçkë lufte dhe vjehrri e i shoqi kishin vdekur.+
22 Ajo tha: «Lavdia ka ikur nga Izraeli dhe e kanë çuar në mërgim, sepse Arkën e Perëndisë së vërtetë e kanë marrë si plaçkë lufte.»+
Shënimet
^ Ose «Pse na mundi Jehovai sot me anë të filistinëve?»
^ Një mundësi tjetër «mes kerubinëve».
^ Fjalë për fjalë «nuk ua vuri zemrën».
^ Do të thotë «Ku është lavdia?»