Libri i parë i Samuelit 7:1-17
7 Atëherë burrat e Kiriat-Jearimit erdhën dhe e çuan Arkën e Jehovait në shtëpinë e Abinadabit,+ në kodër. Djalin e tij, Eleazarin, e shenjtëruan* për të ruajtur Arkën e Jehovait.
2 Që nga dita kur Arka vajti në Kiriat-Jearim, kaloi shumë kohë, gjithsej 20 vjet, dhe atëherë, tërë shtëpia e Izraelit filloi të kërkonte Jehovain.+
3 Pastaj Samueli i tha gjithë shtëpisë së Izraelit: «Nëse ktheheni me gjithë zemër te Jehovai,+ flakini nga mesi juaj perënditë e huaja+ e shëmbëlltyrat e Ashtorethit,+ përkushtojuni me gjithë zemër Jehovait dhe shërbejini vetëm atij,+ e ai do t’ju çlirojë nga dora e filistinëve.»+
4 Atëherë izraelitët i zhdukën Baalët dhe shëmbëlltyrat e Ashtorethit, e i shërbyen vetëm Jehovait.+
5 Pastaj Samueli tha: «Mblidheni gjithë Izraelin në Mizpah+ dhe unë do t’i lutem Jehovait për ju.»+
6 Kështu u mblodhën atë ditë në Mizpah, nxorën ujë, e derdhën në prani të Jehovait dhe agjëruan.+ Atje izraelitët thanë: «Kemi mëkatuar kundër Jehovait.»+ E Samueli nisi të gjykonte+ izraelitët në Mizpah.
7 Kur filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Mizpah, sundimtarët filistinë+ shkuan të luftonin kundër Izraelit. Sapo e morën vesh, izraelitët patën frikë nga filistinët.
8 Kështu iu përgjëruan Samuelit: «Lutju pa pushim Jehovait, Perëndisë tonë, që të na ndihmojë+ dhe të na shpëtojë nga dora e filistinëve.»
9 Atëherë Samueli mori një qengj pirës dhe ia paraqiti Jehovait si blatim të plotë të djegur.+ Pastaj Samueli iu lut për ndihmë Jehovait për Izraelin, dhe Jehovai iu përgjigj.+
10 Teksa Samueli paraqiste blatimin e djegur, filistinët u afruan për të luftuar kundër Izraelit. Atë ditë, Jehovai shkaktoi bubullima të forta+ kundër filistinëve dhe i bëri rrëmujë,+ e ata u mundën përpara Izraelit.+
11 Menjëherë burrat e Izraelit dolën nga Mizpahu, i ndoqën filistinët dhe i vranë deri në jug të Beth-Harit.
12 Pastaj Samueli mori një gur,+ e vuri mes Mizpahut e Jeshanahut dhe e quajti Ebenezer,* sepse tha: «Deri tani Jehovai na ka ndihmuar.»+
13 Kështu i mposhtën filistinët, të cilët nuk erdhën më në territorin e Izraelit.+ Dora e Jehovait vazhdoi të ishte kundër filistinëve gjatë gjithë ditëve të Samuelit.+
14 Për më tepër, qytetet që filistinët i kishin marrë Izraelit, iu rikthyen prapë atij, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli rimori edhe territoret e qyteteve nga dora e filistinëve.
Gjithashtu mes Izraelit dhe amoritëve pati paqe.+
15 Samueli gjykoi në Izrael gjatë gjithë jetës.+
16 Çdo vit, ai udhëtonte përqark Bethelit,+ Gilgalit+ e Mizpahut+ dhe e gjykonte Izraelin.
17 Pastaj kthehej në Ramah,+ ku kishte shtëpinë; edhe atje e gjykonte Izraelin. Ai i ndërtoi një altar Jehovait në Ramah.+