Letra e parë drejtuar selanikasve 5:1-28
5 Tani, vëllezër, sa për kohët dhe stinët, nuk keni nevojë t’ju shkruaj asgjë,
2 sepse ju e dini fare mirë se dita e Jehovait*+ vjen tamam si një hajdut natën.+
3 Kur të thonë: «Paqe dhe siguri!», atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë në çast mbi ta,+ ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë, dhe ata kurrsesi nuk do të shpëtojnë.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që dita t’ju zërë befas siç zë hajdutët,
5 sepse ju jeni të gjithë bij të dritës+ dhe bij të ditës. Ne nuk i përkasim as natës, as errësirës.+
6 Prandaj, le të mos flemë si të tjerët,+ por të rrimë zgjuar+ dhe të ruajmë gjykimin,+
7 sepse ata që flenë, flenë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.+
8 Kurse ne që i përkasim ditës, le të ruajmë gjykimin, të veshim parzmoren e besimit e të dashurisë dhe shpresën e shpëtimit si helmetë,*+
9 sepse Perëndia nuk na zgjodhi të provojmë zemërimin e tij të furishëm, por që të shpëtojmë+ nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht.
10 Ai vdiq për ne+ që, edhe nëse jemi zgjuar, edhe nëse jemi në gjumë,* të jetojmë bashkë me të.+
11 Prandaj vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi* njëri-tjetrin,+ siç edhe po bëni.
12 Tani, vëllezër, ju kërkojmë të tregoni respekt për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë dhe që ju këshillojnë.
13 Çmojini shumë dhe nderojini me dashuri për punën e tyre.+ Jini paqësorë me njëri-tjetrin.+
14 Nga ana tjetër, vëllezër, ju nxitim të paralajmëroni* të çrregulltit,+ t’u flitni në mënyrë ngushëlluese atyre që janë të dëshpëruar,* të mbështetni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.+
15 Kini kujdes që asnjë nga ju të mos ia kthejë kurrkujt të keqen me të keqe,+ por përpiquni gjithmonë për të mirën e njëri-tjetrit dhe të të gjithë njerëzve.+
16 Gëzoni gjithmonë.+
17 Lutuni pa pushim.+
18 Falënderoni Perëndinë për çdo gjë.+ Ky është vullneti i Perëndisë për ju në unitet me Krishtin Jezu.
19 Mos e shuani zjarrin e frymës së Perëndisë.+
20 Mos i trajtoni me përçmim profecitë.+
21 Sigurohuni për të gjitha gjërat.+ Mbani fort atë që është e shkëlqyer.
22 Rrini larg çdo lloj ligësie.+
23 Perëndia i paqes ju shenjtëroftë* plotësisht! Fryma,* shpirti* dhe trupi juaj, vëllezër, mbetshin të përkryer e të paqortueshëm në çdo aspekt gjatë pranisë së Zotërisë tonë Jezu Krisht!+
24 Ai që po ju thërret, është besnik dhe me siguri do ta bëjë këtë.
25 Vëllezër, vazhdoni të luteni për ne.+
26 Përshëndetini të gjithë vëllezërit me një puthje të shenjtë.
27 Po ju ngarkoj këtë përgjegjësi serioze përpara Zotërisë: kjo letër t’u lexohet të gjithë vëllezërve.+
28 Mirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu Krisht qoftë me ju!
Shënimet
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «përkrenare».
^ Ose «në gjumin e vdekjes».
^ Ose «të inkurajoni (të ngushëlloni) e të ndërtoni».
^ Ose «të këshilloni».
^ Ose «të shkurajuar; çdo shpirti të dëshpëruar».
^ Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «jeta». Shih Fjalorthin.