Letra e parë drejtuar Timoteut 3:1-16
3 E besueshme është kjo thënie: kush synon të jetë mbikëqyrës,+ dëshiron një punë të shkëlqyer.
2 Prandaj, mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, i përkorë në zakone,* me mendje të shëndoshë,*+ i rregullt, mikpritës,+ i kualifikuar për të mësuar;+
3 nuk duhet të jetë pijanec,+ i dhunshëm,* por i arsyeshëm,+ as grindavec,+ as lakmues parash;*+
4 të jetë njeri që e drejton shkëlqyeshëm familjen e vet, t’i ketë fëmijët të nënshtruar me plot seriozitet+
5 (sepse, nëse dikush nuk di të drejtojë familjen e vet, si do të kujdeset për kongregacionin* e Perëndisë?!)
6 të mos jetë i sapokthyer në besim,+ se mos krekoset, e kështu merr të njëjtin gjykim si të Djallit.
7 Veç këtyre, duhet të ketë edhe reputacion të mirë* në sytë e atyre që nuk janë në besim,+ që të mos turpërohet e të mos bjerë në lakun e Djallit.
8 Edhe shërbëtorët e kongregacionit* duhet të jenë seriozë, jo me dy fytyra,* të mos jepen pas verës së shumtë, as të mos jenë lakmitarë për të nxjerrë fitime të pandershme,+
9 e t’i përmbahen sekretit të shenjtë të besimit* me një ndërgjegje të pastër.+
10 Gjithashtu, këta le të provohen më parë nëse janë të kualifikuar,* e më pas, nëse janë të lirë nga çdo akuzë,+ le të jenë shërbëtorë kongregacioni.
11 Edhe gratë duhet të jenë serioze, jo shpifëse,+ të përkora në zakone,* besnike në gjithçka.+
12 Shërbëtorët e kongregacionit të jenë burra të një gruaje të vetme dhe t’i drejtojnë shkëlqyeshëm fëmijët e familjen e tyre,
13 sepse burrat që shërbejnë në mënyrë të shkëlqyer, fitojnë një reputacion të mirë dhe liri të plotë fjale lidhur me besimin në Krishtin Jezu.
14 Po t’i shkruaj këto gjëra, megjithëse shpresoj të vij së shpejti te ti,
15 por në rast se vonohem, të dish si të sillesh në shtëpinë e Perëndisë,+ që është kongregacioni i Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.
16 Në të vërtetë, sekreti i shenjtë i këtij përkushtimi ndaj Perëndisë është pa dyshim i madh: ‘Ai* u shfaq si njeri,*+ u shpall i drejtë si krijesë qiellore,*+ iu shfaq engjëjve,+ u predikua ndër kombe,+ u besua në botë,+ u mor lart në lavdi.’
Shënimet
^ Ose «i matur në gjithçka; i vetëpërmbajtur në gjithçka».
^ Ose «me gjykim të mirë; i arsyeshëm».
^ Ose «i dashuruar pas parave».
^ Ose «njeri që godet». Fjala greke që përdoret këtu i referohet edhe dhunës verbale.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «dëshmi të shkëlqyer».
^ Ose «që nuk mashtrojnë me fjalë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjala «besim» duket se u referohet të gjitha mësimeve të krishtere.
^ Ose «të aftë».
^ Ose «të matura në gjithçka; të vetëpërmbajtura në gjithçka».
^ Domethënë, Jezui.
^ Fjalë për fjalë «në mish».
^ Fjalë për fjalë «në frymë».