Libri i dytë i Mbretërve 6:1-33
6 Bijtë e profetëve+ i thanë Eliseut: «Shiko, në vendin ku banojmë, jemi tepër ngushtë.
2 Të lutemi, na lër të shkojmë në Jordan, të marrim nga një trung secili dhe të bëjmë atje një banesë.» Ai iu përgjigj: «Shkoni.»
3 Njëri prej tyre i tha: «Të lutem, a do të vish me shërbëtorët e tu?» Eliseu ia ktheu: «Do të vij.»
4 Kështu shkoi me ta dhe, kur arritën në Jordan, filluan të pritnin pemë.
5 Ndërsa njëri po priste një pemë, koka e sëpatës i ra në ujë. Ai thërriti: «Oh, ç’më gjeti, zotëria im, e kisha marrë borxh!»
6 Njeriu i Perëndisë së vërtetë e pyeti: «Ku ra?» Ai i tregoi vendin. Atëherë Eliseu preu një copë druri, e hodhi atje dhe ja, koka e sëpatës doli mbi ujë.
7 Eliseu i tha: «Merre.» Kështu ai zgjati dorën dhe e mori.
8 Tani, mbreti i Sirisë shkoi të luftonte me Izraelin.+ Ai u këshillua me shërbëtorët e vet dhe u tha: «Unë do të ngre kampin me ju në filan vend.»
9 Atëherë njeriu i Perëndisë së vërtetë+ i dërgoi fjalë mbretit të Izraelit: «Kujdes se mos kalon nga ai vend, sepse atje po shkojnë sirianët.»
10 Kështu mbreti i Izraelit u çoi fjalë njerëzve të tij në vendin që e kishte paralajmëruar njeriu i Perëndisë së vërtetë. Eliseu e paralajmëronte vazhdimisht mbretin, e ky qëndronte larg vendeve që i tregonte. Kjo ndodhi disa herë.*+
11 Mbreti* i Sirisë u tërbua, prandaj thirri shërbëtorët e tij dhe u tha: «Më tregoni, kush nga njerëzit tanë është me mbretin e Izraelit?»
12 Atëherë një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: «Asnjë, o mbret, zotëria im. Ai që i tregon mbretit të Izraelit gjërat që thua në dhomën e gjumit,+ është Eliseu, profeti që është në Izrael.»
13 Ai u tha: «Shkoni dhe shihni ku është, që të dërgoj njerëz ta kapin.» Më vonë e njoftuan: «Është në Dotan.»+
14 Menjëherë ai dërgoi atje kuaj, karroca lufte, si edhe një ushtri të madhe. Ata shkuan natën dhe e rrethuan qytetin.
15 Kur shërbëtori i njeriut të Perëndisë së vërtetë u çua herët në mëngjes dhe doli përjashta, pa se një ushtri me kuaj dhe karroca lufte kishte rrethuar qytetin. Menjëherë shërbëtori i tha: «Oh, zotëria im! Ç’të bëjmë tani?»
16 Por ai ia ktheu: «Mos ki frikë,+ sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.»+
17 Atëherë Eliseu filloi të lutej: «O Jehova, të lutem, hapja sytë që të shohë.»+ Në çast Jehovai ia hapi sytë shërbëtorit, dhe ja, ai pa që rajoni malor ishte plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte+ rreth e qark Eliseut.+
18 Kur sirianët zbritën drejt tij, Eliseu iu lut Jehovait: «Të lutem, verboji këta njerëz.»*+ Dhe ai i verboi, siç i kërkoi Eliseu.
19 Atëherë Eliseu u tha atyre: «Nuk është kjo udha dhe nuk është ky qyteti. Ndiqmëni dhe më lini t’ju çoj te njeriu që kërkoni.» Mirëpo ai i çoi në Samari.+
20 Me të mbërritur në Samari, Eliseu tha: «O Jehova, hapua sytë që të shohin.» Kështu Jehovai ua hapi sytë dhe ata panë se ishin në mes të Samarisë.
21 Kur i pa, mbreti i Izraelit i tha Eliseut: «A t’i vras, t’i vras, ati im?»
22 Por ai i tha: «Mos i vrit. Vallë i vret robërit që zë me shpatën dhe harkun tënd? Vëru përpara bukë e ujë që të hanë dhe të pinë,+ e pastaj të kthehen te zotëria i tyre.»
23 Kështu shtroi një gosti të madhe për ta, e ata hëngrën e pinë. Pas kësaj i nisi që të ktheheshin te zotëria i tyre. Bandat plaçkitëse siriane+ nuk erdhën më as edhe një herë në vendin e Izraelit.
24 Më pas Ben-Hadadi, mbreti i Sirisë, mblodhi gjithë ushtrinë* dhe u ngjit e rrethoi Samarinë.+
25 Kështu në Samari pati një zi buke të madhe.+ Rrethimi i sirianëve zgjati kaq shumë, sa një kokë gomari+ vlente 80 monedha argjendi dhe një çerek kab* glasë pëllumbi vlente 5 monedha argjendi.
26 Ndërsa mbreti i Izraelit po ecte mbi mur, një grua i thirri: «Më ndihmo, o mbret, zotëria im!»
27 Ai ia ktheu: «Nëse nuk të ndihmon Jehovai, si të të ndihmoj unë? Ka mbetur gjë vallë te lëmi* apo te shtypësja e rrushit a te shtypësja e ullinjve?»
28 Mbreti e pyeti: «Si e ke hallin?» Ajo iu përgjigj: «Kjo grua më tha: ‘Sille djalin tënd që ta hamë sonte, ndërsa nesër hamë djalin tim.’+
29 Kështu e ziem djalin tim dhe e hëngrëm.+ Ditën tjetër i thashë asaj: ‘Sille djalin tënd që ta hamë.’ Por ajo e fshehu të birin.»
30 Me të dëgjuar fjalët e gruas, mbreti shqeu rrobat,+ e kur po kalonte mbi mur, populli pa se nën rroba mbreti kishte veshur copë thesi.*
31 Pastaj ai tha: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse sot nuk do t’ia heq kokën Eliseut, birit të Shafatit!»+
32 Eliseu po rrinte ulur në shtëpinë e vet dhe me të ishin ulur edhe pleqtë. Mbreti dërgoi përpara një lajmëtar, por para se ky të mbërrinte, Eliseu u tha pleqve: «Ky bir vrasësi+ ka dërguar dikë që të më presë kokën. Bëni kujdes kur të vijë lajmëtari, mbylleni derën dhe mos e lini të hyjë. A nuk dëgjohet prapa tij zhurma e këmbëve të zotërisë së tij?»
33 Ishte ende duke folur me ta, kur lajmëtari i mbretit erdhi tek ai. Pastaj erdhi mbreti dhe tha: «Kjo e keqe vjen nga Jehovai. Pse ta pres ende Jehovain?»
Shënimet
^ Ose «më shumë se një a dy herë».
^ Fjalë për fjalë «Zemra e mbretit».
^ Fjalë për fjalë «këtë komb».
^ Fjalë për fjalë «kampin».
^ Një kab ishte 1,22 l. Shih Shtojcën B14.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.