Letra e dytë drejtuar korintasve 12:1-21

  • Vegimet e Pavlit (1-7a)

  • ‘Gjembi në trup’ i Pavlit (7b-10)

  • Jo më inferior se apostujt “e shkëlqyer” (11-13)

  • Meraku i Pavlit për korintasit (14-21)

12  Më duhet të mburrem, prandaj do të flas për vegime* të mbinatyrshme+ dhe për zbulesa nga Zotëria,+ ndonëse kjo nuk më sjell ndonjë dobi.  Njoh një njeri në unitet me Krishtin, i cili 14 vjet më parë—a në trup, a jashtë trupit, nuk e di, Perëndia e di—u mor në çast deri në qiellin e tretë.  Po, unë e njoh një njeri të tillë—a në trup, a veçmas trupit, nuk e di, Perëndia e di—​  i cili u mor në çast në parajsë* dhe dëgjoi fjalë që nuk mund të thuhen dhe për të cilat njeriut nuk i lejohet të flasë.  Me një njeri të tillë do të mburrem e jo me veten time, përveçse për dobësitë e mia.  Edhe sikur të doja të mburresha, nuk do të isha i paarsyeshëm, pasi do të thosha të vërtetën. Gjithsesi nuk do të mburrem, që askush të mos më japë më shumë merita për gjërat që bëj a dëgjon prej meje,  vetëm ngaqë më janë dhënë zbulesa të jashtëzakonshme. Që të mos krekosem së tepërmi, më është dhënë një gjemb në trup,*+ i cili më bie vazhdimisht me shuplaka* si një engjëll i Satanait, se mos krenohem.  Iu përgjërova tri herë Zotërisë që ta hiqte këtë nga unë,  mirëpo ai më tha: «Mirësia ime e pamerituar të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.»+ Prandaj, me kënaqësi do të mburrem për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë. 10  Kështu, për hir të Krishtit, gëzohem kur kam dobësi, kur më fyejnë, kur jam në hall, kur më përndjekin dhe kur kam vështirësi, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.+ 11  Jam bërë i paarsyeshëm, por ju më detyruat, se në fund të fundit duhej të më kishit rekomanduar ju, sepse nuk isha më inferior se apostujt tuaj “të shkëlqyer”, qoftë edhe në një gjë të vetme, ndonëse jam një hiç në sytë tuaj.+ 12  Në të vërtetë, plot qëndrueshmëri,+ ju dhashë prova me anë të shenjave, mrekullive* dhe veprave të fuqishme+ se jam apostull. 13  Në ç’gjë ishit më pak të privilegjuar se kongregacionet e tjera, përveç faktit që nuk u bëra barrë për ju?+ Ju lutem të ma falni këtë gabim. 14  Ja, kjo është hera e tretë që jam gati të vij te ju dhe nuk do t’ju bëhem barrë, sepse nuk dua zotërimet tuaja,+ por ju dua ju; faktikisht, nuk pritet që të vënë mënjanë fëmijët+ për prindërit, por prindërit për fëmijët. 15  Për këtë arsye, me kënaqësi nuk do të kursej asgjë dhe do të jepem me mish e me shpirt për ju.*+ E nëse ju dua kaq shumë, e meritoj të më doni më pak? 16  Sidoqoftë nuk u bëra barrë për ju,+ e prapëseprapë thoni se isha «dinak» dhe se jua hodha «me dredhi». 17  Mos përdora ndonjërin nga ata që dërgova te ju, për t’ju shfrytëzuar?! 18  Unë e nxita Titin të vinte te ju dhe bashkë me të dërgova edhe vëllanë tjetër. Mos përfitoi ndonjë gjë nga ju Titi?!+ A nuk ishim në një mendje?!* A nuk ecëm në të njëjtat gjurmë?! 19  Mos keni menduar ndërkohë se me këtë letër po mbrohemi përpara jush? Përkundrazi, si dishepuj të Krishtit, po themi të vërtetën përpara Perëndisë. Gjithsesi, gjithçka që bëjmë, o të dashur, e bëjmë për t’ju forcuar.* 20  Por kam frikë se, kur të mbërrij, mos nuk ju gjej si do të doja dhe se mos unë nuk jam si do të donit. Madje kam frikë se mos ka konflikte, xhelozi,* shpërthime zemërimi, debate, përgojime, thashetheme,* krekosje dhe rrëmujë. 21  Kam merak se do të më vijë turp përpara Perëndisë kur të vij mes jush dhe se do të më duhet të vajtoj për shumë nga ata që dikur e linin veten në dorë të mëkatit, por që ende nuk janë penduar për ndyrësinë e tyre, për imoralitetin seksual* dhe për sjelljen e pacipë* pas së cilës u dhanë.

Shënimet

Fjalë për fjalë «në mish». Shih Fjalorthin.
Ose «më rreh vazhdimisht».
Ose «çudirave».
Ose «për shpirtin tuaj».
Fjalë për fjalë «frymë?!» Shih Fjalorthin.
Ose «për t’ju inkurajuar; për t’ju ndërtuar».
Ose «smirë».
Ose «çuçuritje».
Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
Ose «sjellje e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.