Libri i dytë i Samuelit 11:1-27
11 Në fillim të vitit,* në kohën kur mbretërit shkojnë në fushata ushtarake, Davidi dërgoi Joabin, shërbëtorët e tij dhe ushtrinë e Izraelit që të shfarosnin amonitët. Ata rrethuan Rabahun,+ ndërkohë që Davidi qëndronte në Jerusalem.+
2 Një mbrëmje* Davidi u ngrit nga shtrati dhe po ecte në tarracën e shtëpisë së mbretit.* Nga tarraca pa një grua shumë të bukur që po lahej.
3 Atëherë Davidi dërgoi dikë që të pyeste për këtë grua dhe ai i raportoi: «Është Betsheba,+ vajza e Eliamit,+ gruaja e hititit+ Uriah.»+
4 Pastaj Davidi dërgoi lajmëtarë që t’ia sillnin.+ Kështu ajo vajti tek ai, dhe ai fjeti me të.+ (Kjo ndodhi ndërkohë që ajo po pastrohej nga papastërtia e saj.*)+ Më pas Betsheba u kthye në shtëpinë e vet.
5 Gruaja mbeti shtatzënë dhe i dërgoi fjalë Davidit: «Jam shtatzënë.»
6 Atëherë Davidi i çoi fjalë Joabit: «Dërgoje këtu tek unë hititin Uriah.» Kështu Joabi e dërgoi Uriahun te Davidi.
7 Kur Uriahu vajti tek ai, Davidi e pyeti si po ia kalonte Joabi, si ishin ushtarët dhe si po shkonte lufta.
8 Pastaj Davidi i tha Uriahut: «Shko në shtëpi dhe çlodhu.»* Kur Uriahu iku nga shtëpia e mbretit, i dërguan një dhuratë mirësjelljeje nga ana e mbretit.*
9 Mirëpo Uriahu fjeti në hyrje të shtëpisë së mbretit bashkë me gjithë shërbëtorët e tjerë të zotërisë së tij dhe nuk shkoi në shtëpinë e vet.
10 Atëherë i treguan Davidit: «Uriahu nuk shkoi në shtëpinë e vet.» Prandaj Davidi e pyeti Uriahun: «Ti s’ke shumë që ke ardhur nga rruga, pse nuk shkove në shtëpinë tënde?»
11 Uriahu ia ktheu: «Arka,+ Izraeli e Juda po banojnë nëpër tenda, dhe zotëria im Joab me njerëzit e tij e kanë ngritur kampin në fushë. E si mund të shkoj në shtëpi që të ha, të pi e të fle me gruan time?!+ Siç është e vërtetë që ti rron,* unë s’kam për ta bërë këtë gjë!»
12 Atëherë Davidi i tha Uriahut: «Rri këtu edhe sot, e nesër do të të lë të ikësh.» Kështu Uriahu ndenji në Jerusalem atë ditë dhe ditën tjetër.
13 Pastaj Davidi e thirri që të hante e të pinte bashkë me të dhe e dehu. Megjithatë, në mbrëmje, Uriahu doli që të flinte me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk shkoi në shtëpinë e vet.
14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi nëpërmjet Uriahut.
15 Në letër shkruante: «Vëreni Uriahun në vijën e parë të frontit, aty ku beteja është më e ashpër. Pastaj tërhiquni nga ai, që ta godasin dhe të vdesë.»+
16 Joabi e kishte vëzhguar me kujdes qytetin dhe e vendosi Uriahun aty ku armiqtë ishin luftëtarë të fuqishëm.
17 Kur burrat e qytetit dolën dhe luftuan kundër Joabit, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë në betejë, dhe mes tyre vdiq edhe hititi Uriah.+
18 Atëherë Joabi i dërgoi Davidit një raport për gjithë sa ndodhi në luftë.
19 Ai e udhëzoi lajmëtarin: «Kur t’i tregosh mbretit gjithçka që ndodhi në luftë,
20 ka mundësi që të zemërohet e të thotë: ‘Pse duhej të shkonit kaq afër qytetit për të luftuar? Nuk e dinit se do t’ju qëllonin nga muret?
21 Kush e vrau Abimelekun,+ birin e Jerubeshethit?+ A nuk ishte një grua që i hodhi nga muri gurin e sipërm të mullirit, e kështu ai vdiq në Tebez? Pse duhej t’u shkonit kaq afër mureve?’ Atëherë thuaji: ‘Vdiq edhe shërbëtori yt, hititi Uriah.’»
22 Kështu lajmëtari shkoi dhe i tha Davidit gjithçka që Joabi i kishte urdhëruar.
23 Pastaj lajmëtari i tha Davidit: «Armiqtë ishin më të fortë se ne dhe dolën kundër nesh në fushë, por ne i sprapsëm deri te hyrja e portës së qytetit.
24 Harkëtarët qëllonin mbi shërbëtorët e tu nga muret, dhe disa nga shërbëtorët e mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt, hititi Uriah.»+
25 Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: «Thuaji kështu Joabit: ‘Mos u mërzit për këtë punë, sepse shpata përpin si njërin, ashtu edhe tjetrin. Ashpërsoje edhe më shumë betejën kundër qytetit dhe pushtoje.’+ Dhe jepi zemër.»
26 Kur dëgjoi se i shoqi, Uriahu, kishte vdekur, gruaja e Uriahut mbajti zi për të shoqin.
27 Sapo mbaroi periudha e zisë, Davidi dërgoi njerëz që t’ia sillnin në shtëpi; ajo u bë gruaja e tij+ dhe i lindi një djalë. Por e gjithë kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu aspak Jehovait.*+
Shënimet
^ Domethënë, në pranverë.
^ Ose «Një pasdite vonë».
^ Ose «e pallatit mbretëror».
^ Ka mundësi nga papastërtia e menstruacioneve.
^ Fjalë për fjalë «laj këmbët».
^ Ose «racionin e mbretit», pra, racionin që i dërgonte mikpritësi mysafirit të nderuar.
^ Ose «që ti rron dhe që shpirti yt rron».
^ Fjalë për fjalë «ishte e keqe në sytë e Jehovait».