Gjykatësit 9:1-57
9 Më vonë, Abimeleku,+ biri i Jerubaalit, shkoi në Sikem te dajat e tij dhe u tha atyre e tërë familjes së gjyshit të tij:*
2 «Ju lutem, pyetni të gjithë prijësit e Sikemit:* ‘Si është më mirë për ju: të sundojnë mbi ju 70 djemtë e Jerubaalit+ apo vetëm një? Dhe mos harroni se unë jam gjaku juaj.’»*
3 Kështu vëllezërit e nënës së vet ua thanë këto fjalë prijësve të Sikemit në emër të tij, dhe atyre iu mbush mendja* të shkonin pas Abimelekut, sepse thanë: «Është vëllai ynë.»
4 Pastaj i dhanë atij 70 monedha argjendi nga tempulli* i Baal-Beritit,+ dhe Abimeleku i përdori për të paguar njerëz të pacipë e që sorollateshin kot, që t’i shkonin pas.
5 Pas kësaj shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah+ dhe vrau mbi një gur vëllezërit e tij,+ 70 djemtë e Jerubaalit. Mbijetoi vetëm Jotami, djali i vogël i Jerubaalit, sepse u fsheh.
6 Atëherë, tërë prijësit e Sikemit dhe i gjithë Beth-Miloja u mblodhën dhe e bënë mbret Abimelekun+ pranë pemës së madhe, pranë shtyllës në Sikem.
7 Kur i treguan Jotamit, ai shkoi menjëherë dhe qëndroi në majë të malit Gerizim+ dhe tha me zë të lartë: «Dëgjomëni, o prijës të Sikemit, dhe pastaj Perëndia do t’ju dëgjojë ju:
8 Njëherë na ishin ca pemë që u nisën për të mirosur* një mbret që të mbretëronte mbi to. Kështu i thanë ullirit: ‘Mbretëro mbi ne.’+
9 Por ulliri u tha: ‘A duhet të heq dorë nga vaji im,* të cilin e përdorin për t’i dhënë lavdi Perëndisë dhe njerëzve, që të shkoj e të mbretëroj* mbi pemët e tjera?’
10 Atëherë pemët i thanë fikut: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’
11 Por fiku iu përgjigj: ‘A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia dhe nga fryti im i mirë që të shkoj e të mbretëroj mbi pemët e tjera?’
12 Pastaj pemët i thanë hardhisë: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’
13 Hardhia ua ktheu: ‘A duhet të heq dorë nga vera ime e re që gëzon Perëndinë dhe njerëzit që të shkoj e të mbretëroj mbi pemët e tjera?’
14 Në fund tërë pemët i thanë ferrës: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’+
15 Si i dëgjoi, ferra u tha pemëve: ‘Nëse vërtet po më mirosni si mbretëreshën tuaj, ejani e kërkoni strehë nën hijen time. Përndryshe daltë zjarr nga ferra e përpiftë cedrat e Libanit!’
16 Tani, a vepruat me pastërti dhe siç duhet duke e bërë mbret Abimelekun?+ A u treguat të mirë me Jerubaalin e me shtëpinë e tij dhe a e trajtuat siç e meriton?
17 Kur im atë luftoi për ju,+ vuri jetën në rrezik që t’ju çlironte nga duart e Midianit.+
18 Kurse ju sot u ngritët kundër shtëpisë së atit tim dhe vratë mbi një gur 70 djemtë e tij.+ Pastaj mbi prijësit e Sikemit bëtë mbret Abimelekun, të birin e skllaves së tij,+ vetëm sepse është vëllai juaj.
19 Pra, nëse sot po veproni me pastërti e siç duhet me Jerubaalin dhe me shtëpinë e tij, e gëzofshi Abimelekun e gëzoftë edhe ai me ju!
20 Por nëse jo, daltë zjarr nga Abimeleku e përpiftë prijësit e Sikemit e të Beth-Milos,+ dhe daltë zjarr nga prijësit e Sikemit e të Beth-Milos dhe e përpiftë Abimelekun!»+
21 Atëherë Jotami+ ia mbathi e iku në Ber dhe banoi atje sepse kishte frikë nga i vëllai, Abimeleku.
22 Abimeleku sundoi* në Izrael për tre vjet.
23 Pastaj Perëndia lejoi që të zhvillohej armiqësi* mes Abimelekut dhe prijësve të Sikemit, e ata vepruan pabesisht me Abimelekun.
24 Kjo ndodhi që të merrej hak për vrasjen e dhunshme të 70 djemve të Jerubaalit, që përgjegjësia për gjakun e tyre të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre që i vrau,+ dhe mbi prijësit e Sikemit që e ndihmuan të vriste vëllezërit e vet.
25 Kështu, prijësit e Sikemit vunë njerëz në pritë në majat e maleve, dhe këta grabitnin këdo që kalonte nga ajo rrugë. Pas ca kohësh, për këtë njoftuan Abimelekun.
26 Pastaj Gali, biri i Ebedit, bashkë me vëllezërit e tij, kaloi në Sikem+ dhe fitoi besimin e prijësve të Sikemit.
27 Ata dolën në arë, volën rrush në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë një festë. Pas kësaj, shkuan në shtëpinë e perëndisë së tyre,+ hëngrën e pinë dhe mallkuan Abimelekun.
28 Atëherë Gali, biri i Ebedit, tha: «Kush është Abimeleku dhe kush është Sikemi,* që ne duhet t’u shërbejmë? A nuk është ai biri i Jerubaalit+ dhe Zebuli përfaqësuesi i tij? Përkundrazi, shërbejuni djemve të Hamorit, të atit të Sikemit. Pse duhet t’i shërbejmë Abimelekut?
29 Po ta kisha nën urdhrat e mi këtë popull, do ta rrëzoja Abimelekun.» Pastaj i tha Abimelekut: «Përforcoje ushtrinë e më dil përpara!»
30 Kur Zebuli, princi i qytetit, dëgjoi fjalët e Galit, birit të Ebedit, iu ndez zemërimi.
31 Kështu, fshehurazi* dërgoi lajmëtarë tek Abimeleku për t’i thënë: «Ja, Gali, biri i Ebedit, dhe vëllezërit e tij janë në Sikem dhe po e nxitin qytetin kundër teje.
32 Prandaj hajde natën bashkë me njerëzit e tu dhe zër pritë në fushë.
33 Në mëngjes, sapo të lindë dielli, çohu herët e sulmo qytetin. Kur ai dhe njerëzit e tij të dalin kundër teje, bëj të pamundurën për ta mposhtur.»*
34 Kështu Abimeleku dhe tërë njerëzit që kishte me vete u çuan që me natë dhe zunë pritë jashtë Sikemit, të ndarë në katër grupe.
35 Kur Gali, biri i Ebedit, doli dhe qëndroi në hyrje të portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që kishte me vete.
36 Kur i pa, Gali i tha Zebulit: «Shiko! Nga majat e maleve po zbresin njerëz.» Por Zebuli ia ktheu: «Sheh hijet e maleve e të duken si njerëz.»
37 Më vonë, Gali i tha: «Shiko! Nga mesi i vendit po zbresin njerëz dhe një grup po vjen nga rruga e pemës së madhe të Meonenimit.»
38 Zebuli ia ktheu: «Ku i ke tani fjalët që u mburre: ‘Kush është Abimeleku që duhet t’i shërbejmë?’+ A nuk janë këta njerëzit që hodhe poshtë? Tani, dil e lufto kundër tyre.»
39 Kështu Gali doli në krye të prijësve të Sikemit dhe luftoi kundër Abimelekut.
40 Abimeleku e ndoqi dhe Gali ia mbathi përpara tij. Shumë u vranë dhe të vdekurit arrinin deri në hyrje të portës së qytetit.
41 Abimeleku u kthye të banonte në Arumah, kurse Zebuli+ dëboi nga Sikemi Galin dhe vëllezërit e tij.
42 Të nesërmen populli doli në fushë, dhe këtë ia thanë Abimelekut.
43 Prandaj Abimeleku i ndau njerëzit e tij në tri grupe dhe zuri pritë në fushë. Kur pa njerëzit që po dilnin nga qyteti, ai i sulmoi dhe i vrau.
44 Abimeleku dhe grupet që ishin me të u sulën dhe zunë vend në hyrje të portës së qytetit, ndërkohë që dy grupe sulmuan tërë ata që ishin në fushë dhe i vranë.
45 Abimeleku luftoi kundër qytetit tërë atë ditë dhe e pushtoi. Ai vrau njerëzit që ishin në të, rrëzoi qytetin+ dhe hodhi atje kripë.
46 Kur e dëgjuan këtë, të gjithë prijësit e kullës së Sikemit shkuan menjëherë në bodrumin* e tempullit* të El-Beritit.+
47 Sapo i treguan se të gjithë prijësit e kullës së Sikemit ishin mbledhur bashkë,
48 Abimeleku dhe tërë burrat që ishin me të u ngjitën në malin e Zalmonit. Ai mori një sëpatë, preu një degë peme, e vuri mbi sup dhe u tha atyre që ishin me të: «Shpejt! Bëjeni edhe ju atë që bëra unë!»
49 Të gjithë burrat prenë degët dhe shkuan pas Abimelekut. Pastaj i mbështetën pas bodrumit dhe i vunë zjarrin. Kështu vdiqën të gjithë njerëzit e kullës së Sikemit, rreth 1.000 burra e gra.
50 Pastaj Abimeleku shkoi në Tebez, ngriti kampin për të luftuar kundër Tebezit dhe e pushtoi.
51 Në mes të qytetit ishte një kullë e fortë, dhe që të gjithë, burrat, gratë e prijësit e qytetit ia mbathën për atje. Ata u mbyllën aty dhe u ngjitën në tarracën e kullës.
52 Atëherë Abimeleku shkoi drejt kullës, e sulmoi dhe iu afrua hyrjes së kullës për t’i vënë zjarrin.
53 Mirëpo një grua hodhi mbi kokën e Abimelekut gurin e sipërm të mullirit dhe ia theu kafkën.+
54 Ai thirri shpejt shërbëtorin që i mbante armët dhe i tha: «Zhvishe shpatën e më vrit, që të mos thonë: ‘E vrau një grua.’» Kështu shërbëtori ia nguli shpatën tejpërtej dhe ai vdiq.
55 Kur panë që Abimeleku vdiq, tërë burrat e Izraelit u kthyen në shtëpi.
56 Në këtë mënyrë, Perëndia ia ktheu Abimelekut të keqen që i kishte bërë të atit duke vrarë 70 vëllezërit e vet.+
57 Gjithashtu Perëndia bëri që tërë e keqja e burrave të Sikemit të binte mbi kokën e tyre. Kështu mallkimi i Jotamit,+ birit të Jerubaalit,+ ra mbi ta.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «familjes së shtëpisë së babait të nënës së vet».
^ Një mundësi tjetër «pronarët e tokave të Sikemit».
^ Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi juaj».
^ Fjalë për fjalë «dhe zemra e tyre ishte e prirur».
^ Fjalë për fjalë «shtëpia».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «prodhimi im».
^ Fjalë për fjalë «të tundem».
^ Ose «veproi si një princ».
^ Fjalë për fjalë «dërgoi një frymë të keqe».
^ Mund t’i referohet Zebulit, përfaqësuesit të Sikemit.
^ Ose «me dinakëri».
^ Ose «bëj me të ç’të kesh në dorë».
^ Ose «fortesën».
^ Fjalë për fjalë «shtëpisë».