Ligji i përtërirë 12:1-32
12 Këto janë rregullat dhe ligjet që duhet t’i zbatosh me kujdes për sa kohë të jetosh në vendin që do të të japë si pronë Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tu.
2 Shkatërroji plotësisht të gjitha vendet e adhurimit ku kombet, të cilave do t’u marrësh pronat, u kanë shërbyer perëndive të tyre,+ qoftë mbi malet e larta e mbi kodrat, qoftë nën çdo pemë të harlisur.
3 Shembua altarët, bëjua copë-copë kolonat e shenjta,+ digjua në zjarr shtyllat e shenjta* dhe rrënoji shëmbëlltyrat e skalitura të perëndive të tyre,+ madje shuajua emrat atyre perëndive nga ai vend.+
4 Mos e adhuro Jehovain, Perëndinë tënd, siç adhurojnë ata.+
5 Përkundrazi, shko në vendin që Jehovai, Perëndia yt, do të zgjedhë për emrin e tij dhe si banesën e vet mes gjithë fiseve të tua, dhe atje adhuroje.+
6 Atje do të çosh blatimet e djegura,+ flijimet, të dhjetat,*+ kontributin tënd,+ blatimet e zotimit, blatimet vullnetare+ dhe pjellën e parë të bagëtisë së trashë e të imët.+
7 Bashkë me shtëpinë tënde do të hash atje para Jehovait, Perëndisë tënd,+ dhe do të gëzosh frytin e punës sate,+ sepse Jehovai, Perëndia yt, të ka bekuar.
8 Mos u sill si po sillemi sot këtu, ku secili bën si t’i duket e drejtë në sytë e vet,*
9 sepse nuk ke mbërritur ende në vendin ku do të gjesh prehje+ dhe në trashëgiminë që po të jep Jehovai, Perëndia yt.
10 Kur të kalosh Jordanin+ dhe të banosh në vendin që po të jep si pronë Jehovai, Perëndia yt, ai do të të japë prehje nga tërë armiqtë përreth, dhe ti do të banosh i sigurt.+
11 Në vendin që Jehovai, Perëndia yt, do të zgjedhë për emrin e tij, ti do të çosh gjithë sa po të urdhëroj:+ blatimet e djegura, flijimet, të dhjetat,+ kontributin tënd dhe çdo blatim zotimi që i ke premtuar Jehovait.
12 Do të gëzosh para Jehovait, Perëndisë tënd,+ bashkë me bijtë e bijat e tua, skllevërit e skllavet e tua dhe me levitin që është brenda qyteteve* të tua, ngaqë ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi mes teje.+
13 Ki kujdes se mos paraqit blatime të djegura në çdo vend që të zë syri.+
14 Blatimet e djegura do t’i paraqitësh vetëm në vendin që do të zgjedhë Jehovai në territorin e njërit prej fiseve të tua, dhe atje do të bësh gjithë sa po të urdhëroj.+
15 Mund të therësh kafshët e tua e të hash mish në gjithë qytetet*+ e tua, sa herë të të dojë shpirti dhe aq sa të ka bekuar Jehovai, Perëndia yt. Nga ky mish, mund të hajë si i pastri, edhe i papastri, njësoj siç do të hante mishin e gazelës ose të drerit.*
16 Por nuk duhet ta hash gjakun;+ gjakun duhet ta derdhësh përtokë si ujë.+
17 Nuk të lejohet të hash brenda qyteteve* të tua të dhjetën e drithit, të verës së re, të vajit, pjellën e parë të bagëtisë së trashë dhe të imët,+ asnjë blatim zotimi që ke premtuar, asnjë blatim vullnetar dhe asnjë kontribut tëndin.
18 Këto do t’i hash para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt+—ti bashkë me birin e bijën tënde, shërbëtorin e shërbëtoren tënde dhe me levitin që është brenda qyteteve* të tua; do të gëzosh frytin e punës sate para Jehovait, Perëndisë tënd.
19 Ki kujdes të mos e lësh pas dore levitin+ për sa kohë të jetosh në vendin tënd.
20 Kur Jehovai, Perëndia yt, ta zgjerojë territorin tënd,+ sikurse të premtoi,+ dhe ti të thuash: ‘Dua të ha mish’, sepse të hahet* mish, mund të hash sa herë që të të dojë shpirti.+
21 Nëse vendi që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt, për emrin e tij+ ndodhet larg, atëherë ther nga bagëtitë e trasha dhe të imëta që të ka dhënë Jehovai, siç të urdhërova, dhe ha brenda qyteteve* të tua sa herë të të dojë shpirti.
22 Mund t’i hash siç do të haje mishin e gazelës dhe të drerit.+ Mund ta hajë si i pastri, edhe i papastri.
23 Veç ji shumë i vendosur që të mos hash gjak,+ sepse gjaku është jeta,*+ dhe ti nuk duhet ta hash jetën* bashkë me mishin.
24 Nuk duhet ta hash, por duhet ta derdhësh përtokë si ujë.+
25 Mos e ha, që të të shkojë mbarë ty dhe fëmijëve të tu, sepse kjo është e drejtë në sytë e Jehovait.
26 Duhet të marrësh vetëm gjërat e tua të shenjta dhe blatimet e tua të zotimit kur të shkosh në vendin që do të zgjedhë Jehovai.
27 Atje do të paraqitësh blatimet e djegura, mishin dhe gjakun+ në altarin e Jehovait, Perëndisë tënd. Gjaku i flijimeve duhet derdhur rrëzë altarit+ të Jehovait, Perëndisë tënd, kurse mishin mund ta hash.
28 Ki kujdes t’u bindesh gjithë këtyre fjalëve që po të urdhëroj, që të të shkojë mbarë përgjithmonë ty dhe bijve të tu, sepse kjo është e mirë dhe e drejtë në sytë e Jehovait, Perëndisë tënd.
29 Jehovai, Perëndia yt, do të shfarosë para syve të tu kombet që do t’u marrësh pronat+ dhe ti do të banosh në vendin e tyre.
30 Por, pasi Perëndia t’i ketë shfarosur, ki kujdes të mos biesh në të njëjtin kurth si ata. Mos u bëj kureshtar për perënditë e tyre dhe mos thuaj: ‘Si u shërbenin këto kombe perëndive të tyre? Edhe unë do të bëj po njësoj.’+
31 Mos e adhuro Jehovain, Perëndinë tënd, siç adhurojnë ata perënditë e tyre, sepse ata bëjnë çdo gjë të neveritshme që Jehovai urren. Madje flijojnë në zjarr edhe bijtë e bijat e tyre për perënditë e veta.+
32 Zbato me kujdes çdo fjalë që po të urdhëroj;+ as mos u shto, as mos u hiq asgjë.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «atë që mendon se është e drejtë».
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ U referohet kafshëve të gjahut, si gazela a dreri, që mund të thereshin dhe të haheshin në shtëpi.
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Ose «shpirti yt dëshiron të hajë».
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Ose «shpirti».
^ Ose «shpirtin».