Ligji i përtërirë 7:1-26
7 Kur Jehovai, Perëndia yt, të të çojë në vendin ku do të hysh së shpejti e që do të shtiesh në dorë,+ ai do të dëbojë para syve të tu kombe të mëdha+—hititët, girgasitët, amoritët,+ kananitët, perezitët, hivitët dhe jebusitët+—shtatë kombe më të mëdha e më të fuqishme se ti.+
2 Jehovai, Perëndia yt, do të t’i japë në dorë e ti do t’i mundësh.+ Duhet t’i caktosh patjetër për shfarosje.*+ Mos bëj asnjë besëlidhje me ta dhe të mos të vijë keq për ta.+
3 Mos lidh martesa* me ta. Bijat e tua mos ua jep bijve të tyre dhe bijat e tyre mos i merr për bijtë e tu,+
4 sepse do t’i largonin bijtë e tu nga Perëndia, dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera.+ Atëherë Jehovait do t’i ndizej zemërimi kundër teje dhe do të të shuante në çast.+
5 Përkundrazi, ja ç’duhet të bësh: t’u shembësh altarët, t’u thyesh kolonat e shenjta,+ t’u rrënosh shtyllat e shenjta*+ e t’ua bësh shkrumb e hi shëmbëlltyrat e skalitura,+
6 sepse ti je një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd. Nga të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut, Jehovai, Perëndia yt, të zgjodhi ty që të bëhesh populli i tij, prona e tij e veçantë.*+
7 Jehovai nuk u tregua i përzemërt me ty e nuk të zgjodhi ngaqë ishe më i madhi i të gjithë popujve,+ se faktikisht ti ishe më i vogli ndër ta.+
8 Përkundrazi, Jehovai të zgjodhi ngaqë të deshi dhe ngaqë e mbajti betimin që u bëri paraardhësve të tu.+ Prandaj Jehovai të nxori me dorë të fortë, që të të shpengonte* nga shtëpia e skllavërisë,+ nga dora e faraonit, mbretit të Egjiptit.
9 Ti e di mirë se Jehovai, Perëndia yt, është Perëndia i vërtetë, Perëndia besnik, që e respekton besëlidhjen e tij dhe u tregon dashuri besnike për mijëra breza atyre që e duan dhe zbatojnë urdhërimet e tij.+
10 Por, atyre që e urrejnë, do t’ua japë ndëshkimin sy ndër sy, duke i shfarosur.+ Ai do të veprojë pa vonesë kundër atyre që e urrejnë; do t’ua japë ndëshkimin sy ndër sy.
11 Prandaj bëj kujdes të zbatosh urdhërimet, rregullat dhe ligjet që po të urdhëroj sot.
12 Për sa kohë t’i dëgjosh këto ligje, t’u bindesh dhe t’i zbatosh, Jehovai, Perëndia yt do ta respektojë besëlidhjen për të cilën iu betua paraardhësve të tu, dhe do të të tregojë dashuri besnike.
13 Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumojë. Po, ai do të të bekojë me shumë fëmijë*+ dhe me frytin e tokës sate, të drithit, të verës së re dhe të vajit tënd,+ me pjellën e lopëve dhe të deleve, në vendin që iu betua paraardhësve të tu se do të ta jepte ty.+
14 Do të bëhesh populli më i bekuar i të gjithë popujve.+ Mes teje nuk do të ketë as burrë e as grua pa fëmijë, madje as bagëti pa të vegjël.+
15 Jehovai do të largojë nga ti çdo sëmundje dhe nuk do t’i sjellë mbi ty sëmundjet e tmerrshme që pe në Egjipt.+ Përkundrazi do t’i sjellë mbi të gjithë ata që të urrejnë.
16 Shfarosi të gjithë popujt që Jehovai, Perëndia yt do të të japë në dorë.+ Të mos i dhimbsen syrit tënd.+ Mos u shërbe perëndive të tyre,+ sepse kjo do të bëhet lak për ty.+
17 Nëse thua me vete: ‘Këto kombe janë më të mëdha se unë. Si do të arrij t’i dëboj?’,+
18 mos ki frikë prej tyre.+ Mos harro çfarë i bëri Jehovai, Perëndia yt, faraonit dhe tërë Egjiptit,+
19 mos harro se ti pe me sytë e tu sa rëndë i ndëshkoi, ç’shenja e mrekulli bëri,+ dorën e fortë dhe krahun e fuqishëm* me të cilat të nxori Jehovai, Perëndia yt.+ Kështu do të bëjë Jehovai, Perëndia yt, me të gjithë popujt që të frikësojnë.+
20 Jehovai, Perëndia yt, do të bëjë që t’i lëshojë zemra,* derisa të marrin fund ata që mbeten+ dhe ata që fshihen prej teje.
21 Mos u tmerro prej tyre, sepse Jehovai, Perëndia yt, është me ty.+ Ai është një Perëndi i madhërishëm, që të ngjall frikë e nderim.+
22 Jehovai, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak nga pak këto kombe.+ Nuk do të të lejohet t’i shfarosësh shpejt e shpejt, që kafshët e egra të tokës të mos shumohen e të përbëjnë rrezik për ty.
23 Jehovai, Perëndia yt, do të t’i japë në dorë dhe do t’i shpartallojë derisa të shfarosen.+
24 Ai do të t’i japë në dorë mbretërit e tyre+ dhe ti do t’i shuash emrat e tyre nën qiell.+ Askush nuk do të të bëjë ballë,+ derisa t’i shfarosësh të gjithë.+
25 Digji në zjarr shëmbëlltyrat e skalitura të perëndive të tyre.+ Mos dëshiro argjendin dhe arin që i vesh ato dhe mos i merr për vete,+ se mos të zënë në lak, sepse kjo është e neveritshme për Jehovain, Perëndinë tënd.+
26 Mos sill asgjë të neveritshme në shtëpinë tënde, që të mos caktohesh për shkatërrim edhe ti njësoj si ajo. Duhet të ndiesh neveri të thellë e ta urresh deri në palcë, sepse ajo gjë duhet shkatërruar.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «aleanca martesore».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «zotërimi i tij i çmuar».
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
^ Fjalë për fjalë «do ta bekojë frytin e barkut tënd».
^ Fjalë për fjalë «e shtrirë».
^ Një mundësi tjetër «do të përhapë panik; tmerr».