Romakëve 12:1-21
12 Prandaj, vëllezër, ju përgjërohem për hir të dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj+ si një flijim të gjallë, të shenjtë+ e të pranueshëm për Perëndinë, që t’i bëni shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.+
2 Mjaft u brumosët* sipas kallëpit të kësaj bote,* por transformohuni duke përtërirë mendjen,+ që të siguroheni*+ cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.
3 Për hir të mirësisë së pamerituar që m’u tregua, i them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet,+ por të ketë mendje të shëndoshë,* secili sipas besimit që i ka dhënë* Perëndia.+
4 Në fakt, sikurse në trup kemi shumë gjymtyrë+ dhe jo të gjitha kryejnë të njëjtin funksion,
5 po ashtu edhe ne, ndonëse jemi shumë, jemi një trup i vetëm në unitet me Krishtin dhe secili është gjymtyrë që i përket tjetrit.+
6 Të gjithë kemi dhurata të ndryshme falë mirësisë së pamerituar që na është treguar.+ Prandaj, nëse kemi dhuratën për të profetizuar, le të profetizojmë në përputhje me besimin që kemi;
7 nëse kemi dhuratën për të shërbyer, le t’i shërbejmë njëri-tjetrit; nëse kemi dhuratën për të mësuar, le të jepemi pas mësimdhënies;+
8 ai që inkurajon,* le të japë inkurajim;+ ai që jep,* le ta bëjë këtë dorëhapur;+ ai që merr drejtimin, le ta bëjë këtë me merak;*+ dhe ai që tregon mëshirë, le ta bëjë këtë me gëzim.+
9 Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi.+ Urreni thellësisht të keqen,+ kapuni fort pas së mirës.
10 Kini dashuri vëllazërore dhe përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin. Jini të parët* për të nderuar njëri-tjetrin.+
11 Jini të papërtuar e jo përtacë.*+ Lëreni frymën e shenjtë të vlojë si zjarr në zemrat tuaja.+ Shërbejini Jehovait* si skllevër.+
12 Gëzoni në shpresë. Qëndroni në shtrëngime.*+ Ngulmoni në lutje.+
13 Mbështetini të shenjtët sipas nevojave të tyre.+ Ndiqni udhën e mikpritjes.+
14 Bekoni ata që ju përndjekin,+ po, bekojini e mos i mallkoni.+
15 Gëzoni me ata që gëzojnë dhe qani me ata që qajnë.
16 Mendoni për të tjerët njësoj si për veten; mos e kini mendjen te gjërat e mëdha,* por t’ju drejtojnë gjërat e thjeshta.*+ Mos e mbani veten për të mençur.+
17 Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.+ Kini merak të bëni gjëra që janë të shkëlqyera në sytë e të gjithë njerëzve.*
18 Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.+
19 Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të tij të furishëm,*+ sepse është shkruar: «‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.»*+
20 Por «nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, e nëse është i etur, jepi diçka për të pirë, sepse kështu do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij».*+
21 Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.+
Shënimet
^ Ose «Mjaft u modeluat».
^ Ose «të këtij sistemi; të këtij rendi». Shih Fjalorthin.
^ Ose «të vërtetoni».
^ Ose «gjykim të mirë».
^ Ose «i ka ndarë».
^ Ose «nxit; jep zemër».
^ Ose «kontribuon».
^ Ose «me zell».
^ Ose «Merrni iniciativën».
^ Ose «Jini të papërtuar (të palodhur; të zellshëm) në punët tuaja».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «vështirësi».
^ Ose «modeste».
^ Ose «mos rendni pas synimeve ambicioze».
^ Ose «sipas këndvështrimit të të gjithë njerëzve».
^ Domethënë, zemërimit të furishëm të Perëndisë.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Domethënë, do t’ia zbutësh zemrën dhe do t’ia shkrish ashpërsinë.