Romakëve 16:1-27
16 Ju prezantoj* Febën, motrën tonë, që po shërben në kongregacionin* e Kenkresë.+
2 Mirëpriteni në emër të Zotërisë, siç u ka hije të shenjtëve, dhe ndihmojeni për çdo gjë që mund të ketë nevojë,+ sepse ajo mbrojti shumë veta, madje edhe mua.
3 Bëjuni të fala nga unë Priskës dhe Akuilës,+ bashkëpunëtorëve të mi në veprën e Krishtit Jezu,
4 të cilët vunë kokën në rrezik për mua.+ Nuk i falënderoj vetëm unë, por edhe të gjitha kongregacionet e kombeve.*
5 Përshëndetni edhe kongregacionin që mblidhet në shtëpinë e tyre.+ Të fala Epenetit tim të dashur, i cili është një nga dishepujt e parë* të Krishtit në Azi.
6 Të fala Marisë, e cila ka punuar fort për ju.
7 Të fala Andronikut dhe Juniut, shokëve të mi të robërisë që i kam farefis;+ apostujt flasin mirë për ta, dhe ata kanë më shumë kohë se unë në unitet me Krishtin.
8 Bëjini të fala Ampliatit, këtij vëllai të dashur për mua në Zotërinë.
9 Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në veprën e Krishtit dhe Stakit tim të dashur.
10 Të fala Apelit, që ka miratimin e Krishtit. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit.
11 Të fala Herodionit, që është nga farefisi im. Të fala atyre të shtëpisë së Narcisit, që janë në Zotërinë.
12 Të fala Trifenës dhe Trifosës, gra që po punojnë pa u lodhur në Zotërinë. Të fala Persidës sonë të dashur, sepse ka punuar fort në veprën e Zotërisë.
13 Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotërinë dhe nënës së tij, që është edhe imja.
14 Të fala Asinkritit, Flegonit, Hermesit, Patrobit, Hermait dhe vëllezërve që janë me ta.
15 Të fala Filologut dhe Julias, Nereut dhe motrës së tij, si dhe Olimpit e gjithë të shenjtëve që janë bashkë me ta.
16 Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. Ju bëjnë të fala të gjitha kongregacionet e Krishtit.
17 Tani, vëllezër, ju nxit të rrini syhapur ndaj atyre që shkaktojnë përçarje e që bëhen shkak pengese, në kundërshtim me çdo gjë që keni mësuar. Rrini larg tyre,+
18 sepse këta lloj njerëzish nuk janë skllevër të Zotërisë tonë Krisht, por të oreksit të tyre të pangopur.* Me fjalë të sheqerosura e lajkatuese ata joshin zemrat e naivëve.
19 Megjithatë unë gëzoj për ju, sepse të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj. Sidoqoftë dua të jeni të mençur për sa i përket së mirës, por të pastër* për sa i përket së ligës.+
20 Së shpejti, Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë Satanain+ nën këmbët tuaja. Mirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu qoftë me ju!
21 Timoteu, bashkëpunëtori im, ju bën të fala e po kështu edhe Luçi, Jasoni dhe Sosipatri, që i kam farefis.+
22 Unë, Terci, që hodha me shkrim këtë letër, ju përshëndes në emër të Zotërisë.
23 Gaji,+ mikpritësi im dhe i gjithë kongregacionit, ju bën të fala. Erasti, arkëtari* i qytetit, ju përshëndet, e po kështu edhe Kuarti, vëllai i tij.
24 *——
25 Lëvduar qoftë Perëndia që mund t’ju bëjë të patundur sipas lajmit të mirë që unë shpall dhe predikimit për Jezu Krishtin, po, sipas zbulesës së sekretit të shenjtë+ që u mbajt i fshehur për shumë kohë,
26 por që tani është zbuluar* me anë të Shkrimeve profetike dhe, me urdhër të Perëndisë së përjetshëm, u është treguar të gjitha kombeve për të nxitur bindjen me anë të besimit.
27 Po, Perëndisë, të vetmit të mençur,+ i qoftë lavdia në jetë të jetëve me anë të Jezu Krishtit! Amin!
Shënimet
^ Ose «rekomandoj».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «frytet e para».
^ Ose «të barkut».
^ Ose «të pafaj; zemërpastër».
^ Ose «ekonomi».
^ Shih Shtojcën A3.
^ Ose «shfaqur».