Eksodi 18:1-27

  • Mbërrijnë Jetroi dhe Zipora (1-12)

  • Jetroi këshillon që të caktohen gjykatës (13-27)

18  Tani, Jetroi, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut,+ dëgjoi gjithë sa kishte bërë Perëndia për Moisiun dhe për popullin e tij, Izraelin, se si Jehovai e kishte nxjerrë Izraelin nga Egjipti.+  Ndërkohë Jetroi, vjehrri i Moisiut, e kishte marrë në shtëpi Ziporën, gruan e Moisiut, i cili e kishte dërguar atje  bashkë me të dy djemtë.+ Njëri quhej Gershom,*+ sepse Moisiu tha: «Jam i ardhur në dhé të huaj»,  kurse tjetri quhej Eliezer,* sepse Moisiu tha: «Perëndia i tim eti është ndihma ime, i cili më shpëtoi nga shpata e faraonit.»+  Prandaj Jetroi, vjehrri i Moisiut, vajti bashkë me djemtë dhe gruan e Moisiut për ta takuar në shkretëtirë, aty ku kishte ngritur kampin, në malin e Perëndisë së vërtetë.+  Pastaj i çoi fjalë: «Unë, vjehrri yt, Jetroi,+ kam ardhur te ti, me gruan tënde e me dy djemtë.»  Moisiu doli menjëherë të takonte vjehrrin, u përkul para tij dhe e puthi. Pastaj nisën të pyetnin njëri-tjetrin si kishin qenë dhe hynë në tendë.  Moisiu i tregoi të vjehrrit gjithçka që Jehovai i kishte bërë faraonit dhe Egjiptit për hir të Izraelit,+ tërë vështirësitë që kishin hequr udhës+ dhe si i kishte çliruar Jehovai.  Kur dëgjoi për gjithë të mirat që Jehovai i kishte bërë Izraelit duke e çliruar nga Egjipti,* Jetroi u gëzua shumë 10  dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, që ju çliroi nga Egjipti e nga faraoni, dhe që e çliroi popullin nga zgjedha egjiptiane! 11  Tani e di që Jehovai është më i madh se gjithë perënditë e tjera,+ sepse e mbrojti popullin e vet nga duart e egjiptianëve arrogantë e mizorë.» 12  Pastaj Jetroi, vjehrri i Moisiut, paraqiti një blatim të djegur dhe flijime për Perëndinë, dhe Aroni me gjithë pleqtë e Izraelit shkuan të hanin me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë së vërtetë. 13  Të nesërmen, Moisiu u ul si zakonisht që të shërbente si gjykatës për popullin, dhe populli qëndroi përpara tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. 14  Kur pa gjithë sa bënte Moisiu për popullin, i vjehrri e pyeti: «Çfarë po bën me popullin? Pse ulesh vetëm dhe gjithë ky popull rri para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?» 15  Moisiu iu përgjigj: «Populli vjen tek unë që të kërkojë drejtimin e Perëndisë, 16  prandaj kur lind ndonjë çështje, ma paraqitin mua dhe unë gjykoj mes palëve. Gjithashtu u bëj të njohura vendimet e Perëndisë së vërtetë dhe ligjet e tij.»+ 17  Vjehrri i tha: «Kjo nuk është mënyra më e mirë për ta bërë këtë punë. 18  Ke për t’u rraskapitur ti bashkë me popullin, sepse kjo ngarkesë është tepër e rëndë për ty dhe s’mund ta mbash vetëm. 19  Tani, vërja veshin këshillës që do të të jap, dhe Perëndia do të jetë me ty.+ Shërbe si përfaqësues për popullin para Perëndisë së vërtetë,+ çoje çështjen para Perëndisë së vërtetë,+ 20  mësoja popullit rregullat dhe ligjet,+ bëja të njohur udhën ku duhet të ecë e çfarë duhet të bëjë. 21  Por zgjidh edhe disa burra të zotë+ nga populli, që kanë respekt të thellë për Perëndinë,* burra të besueshëm e që urrejnë fitimet e pandershme,+ dhe caktoji mbi popullin si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve.+ 22  Le ta gjykojnë ata popullin kur të lindë ndonjë çështje;* çdo çështje të vështirë të ta paraqitin ty,+ kurse për çështjet e vogla të vendosin vetë. Do ta kesh më të lehtë nëse e ndan ngarkesën me ta.+ 23  Nëse vepron në këtë mënyrë, e nëse Perëndia të urdhëron kështu, do ta përballosh ngarkesën dhe të gjithë do të kthehen në shtëpi të kënaqur.» 24  Moisiu ia vuri veshin të vjehrrit dhe menjëherë bëri gjithçka që i tha. 25  Zgjodhi burra të zotë nga gjithë Izraeli dhe i caktoi si krerë të popullit, si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve. 26  Ata e gjykonin popullin kur lindte ndonjë çështje; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut,+ kurse çështjet e vogla i gjykonin vetë. 27  Pastaj Moisiu e përcolli të vjehrrin+ që mori rrugën për në vendin e vet.

Shënimet

Do të thotë «i ardhur atje».
Do të thotë «Perëndia im është ndihmë».
Fjalë për fjalë «nga dora e Egjiptit».
Fjalë për fjalë «që i frikësohen Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «në çdo kohë».