Ezekieli 12:1-28

  • Parathuhet mërgimi me veprime simbolike (1-20)

    • Bëj gati plaçkat për mërgim (1-7)

    • Prijësi do të largohet në errësirë (8-16)

    • Haje bukën me ankth, pije ujin i llahtarisur (17-20)

  • Një shprehje mashtruese del e rreme (21-28)

    • «Çdo fjalë imja do të plotësohet pa vonesë» (28)

12  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, ti banon mes një shtëpie rebele. Njerëzit e saj kanë sy për të parë, por nuk shohin, kanë veshë për të dëgjuar, por nuk dëgjojnë,+ sepse janë shtëpi rebele.+  Por ti, o bir njeriu, përgatit plaçkat për të shkuar në mërgim. Pastaj gjatë ditës, para syve të tyre, bëj sikur shkon në mërgim. Para syve të tyre, nisu për mërgim nga shtëpia jote për në një vend tjetër. Mbase do ta kuptojnë çfarë do të thotë kjo, ndonëse janë shtëpi rebele.  Gjatë ditës, para syve të tyre, nxirri plaçkat që ke përgatitur për mërgim, dhe pastaj në mbrëmje, para syve të tyre, nisu e bëj sikur po shkon në mërgim.+  Para syve të tyre hap një të çarë në mur dhe nxirri plaçkat jashtë nëpërmjet saj.+  Para syve të tyre mbaji plaçkat mbi sup dhe nxirri jashtë në errësirë. Mbuloje fytyrën që të mos e shohësh tokën, sepse unë po të bëj si një shenjë për shtëpinë e Izraelit.»+  Bëra pikërisht siç më urdhëruan. Ditën i nxora plaçkat, si të isha duke shkuar në mërgim, kurse në mbrëmje hapa me dorë një të çarë në mur. Kur u err, i nxora plaçkat jashtë dhe i mbajta mbi sup para syve të tyre.  Në mëngjes, fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, a nuk të pyeti shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele: ‘Çfarë po bën?’ 10  U thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Kjo është shpallja për prijësin+ në Jerusalem dhe për tërë shtëpinë e Izraelit që është atje.’” 11  Thuaju: ‘Unë jam një shenjë për shtëpinë e Izraelit,+ dhe ashtu si kam bërë unë, ashtu do të bëhet edhe me ta. Ata do të shkojnë në mërgim, do të shkojnë në robëri.+ 12  Prijësi që është mes tyre, do t’i mbajë plaçkat mbi sup dhe do të niset në errësirë. Do të hapë një të çarë në mur dhe do t’i nxjerrë plaçkat nëpërmjet saj.+ Ai do ta mbulojë fytyrën që të mos e shohë tokën.’ 13  Unë do ta hedh rrjetën time mbi të dhe ai do të ngecë në rrjetën time të gjuetisë.+ Do ta çoj në Babiloni, në vendin e kaldeasve, por ai nuk do ta shohë vendin dhe atje do të vdesë.+ 14  Të gjithë ata që i ka pranë, përkrahësit dhe tërë trupat e tij ushtarake, do t’i shpërndaj në të katër anët,+ dhe do të nxjerr një shpatë që t’i ndjekë nga pas.+ 15  Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur t’i shpërndaj mes kombeve dhe t’i hallakat sa andej këtej. 16  Megjithatë disa do t’i kursej nga shpata, nga zia e bukës dhe nga murtaja, që t’u tregojnë kombeve ku do të shkojnë për gjithë zakonet e tyre të neveritshme. Atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» 17  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 18  «Bir njeriu, haje bukën me dridhma dhe pije ujin me shqetësim e me ankth.+ 19  Thuaji popullit: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova për banorët e Jerusalemit në tokën e Izraelit: ‘Do ta hanë bukën gjithë ankth e do ta pinë ujin të llahtarisur, sepse vendi i tyre do të shkretohet krejt+ për shkak të dhunës së atyre që banojnë në të.+ 20  Qytetet e banuara do të kthehen në gërmadha dhe vendi do të mbetet i shkretë.+ Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»+ 21  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 22  «Bir njeriu, ç’është ky proverb që keni në Izrael: ‘Ditët po kalojnë, por s’po përmbushet asnjë vegim.’*+ 23  Thuaju pra: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do ta zhduk këtë shprehje dhe ky proverb s’do të dëgjohet më në Izrael.’” Madje thuaju: ‘Po afrohen ditët+ kur çdo vegim do të përmbushet.’ 24  Nuk do të ketë më asnjë vegim të rremë dhe asnjë fall mashtrues* në shtëpinë e Izraelit,+ 25  ‘sepse unë, Jehovai, do të flas. Çdo fjalë që do të them, do të plotësohet e nuk do të shtyhet për më vonë.+ Në ditët tuaja,+ o shtëpi rebele, unë do ta them fjalën e do ta plotësoj’,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.» 26  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 27  «Bir njeriu, kështu thotë populli* i Izraelit: ‘Vegimi që sheh ai, do të plotësohet pas shumë kohësh dhe ai profetizon për një të ardhme të largët.’+ 28  Prandaj u thuaj atyre: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Çdo fjalë imja do të plotësohet pa vonesë. Çdo gjë që them, do të bëhet’,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.”»

Shënimet

Ose «lajkatues».
Fjalë për fjalë «shtëpia».