Ezekieli 13:1-23
13 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:
2 «Bir njeriu, profetizo kundër profetëve të Izraelit+ dhe thuaju këtyre që sajojnë profeci sipas kokës së vet:*+ “Dëgjoni fjalën e Jehovait.
3 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Mjerë profetët e pamend që ecin sipas kokës* së vet kur në të vërtetë nuk kanë parë asgjë!+
4 Profetët e tu janë bërë si dhelprat që jetojnë nëpër gërmadha, o Izrael.
5 Ata nuk do të shkojnë te të çarat e mureve prej guri të shtëpisë së Izraelit që t’i rindërtojnë,+ me qëllim që Izraeli t’i bëjë ballë betejës ditën e Jehovait.’+
6 Kanë parë vegime* të rreme dhe kanë parathënë gënjeshtra me këto fjalë: ‘Kjo është fjala e Jehovait’, ndonëse nuk i ka dërguar Jehovai, e madje presin që fjalët e tyre të dalin të vërteta.+
7 A nuk është vegim i rremë ky që keni parë? A nuk keni parathënë gënjeshtra me këto fjalë: ‘Kjo është fjala e Jehovait’, kur unë s’kam thënë asgjë?!
8 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Meqenëse keni thënë të pavërteta dhe vegimet tuaja janë gënjeshtra, unë jam kundër jush,—thotë Zotëria Sovran Jehova.+—
9 Dora ime do të ngrihet kundër profetëve që shohin vegime të rreme dhe parathonë gënjeshtra.+ Ata nuk do të gëzojnë mirëbesimin tim, nuk do të shkruhen në regjistrin e shtëpisë së Izraelit dhe nuk do të kthehen në vendin e Izraelit. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Zotëria Sovran Jehova.+
10 E gjithë kjo sepse ata e kanë çuar popullin tim në rrugë të gabuar duke i thënë: “Ka paqe!”, kur paqe s’ka.+ Kur populli ngre një mur të dobët, ata e suvatojnë me gëlqere.’*+
11 Thuaju atyre që e suvatojnë murin me gëlqere, se ai ka për të rënë. Do të vijë një rrebesh i madh, do të bjerë breshër kokërrmadh dhe furtunat do ta shembin.+
12 E kur muri të bjerë, a nuk do t’ju pyesin: ‘Ku është suvaja që i vutë?’+
13 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Nga zemërimi im i furishëm do të shpërthejnë furtunat, nga zemërimi im do të vijë një rrebesh i madh dhe nga furia shkatërrimtare do të bjerë breshër kokërrmadh.
14 Unë do ta shemb murin që keni suvatuar me gëlqere, do ta bëj rrafsh me tokën dhe themelet e tij do të dalin në shesh; kur qyteti të bjerë, ju do të merrni fund brenda tij. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’
15 Kur ta kem shfryrë deri në fund zemërimin tim të furishëm mbi murin dhe mbi ata që e suvatuan me gëlqere, unë do t’u them: ‘Muri nuk është më dhe as suvatuesit.+
16 Profetët e Izraelit, ata që profetizojnë për Jerusalemin dhe që shohin për të vegime paqeje, kur paqe s’ka, nuk janë më’,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
17 Ti, o bir njeriu, ktheje fytyrën nga bijat e popullit tënd, që sajojnë profeci sipas kokës së vet, dhe profetizo kundër tyre.
18 Thuaju: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Mjerë gratë që qepin rripa për tërë krahët* dhe bëjnë vel për kokat e njerëzve të çdo shtati, që të marrin jetë njerëzish! Mos po përpiqeni t’i merrni jetën popullit tim dhe të shpëtoni jetën tuaj?
19 Për ca grushte elb e për ca kafshata bukë do të më përdhosni mes popullit tim?!+ Ju e gënjeni popullin tim, që ua vë veshin gënjeshtrave tuaja, e kështu vritni ata* që nuk duhet të vdesin e lini gjallë ata* që nuk duhet të jetojnë.”’+
20 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘O gra, unë jam kundër rripave që përdorni për të marrë jetë njerëzish si të ishin shpend gjahu. Unë do t’i shqit rripat nga krahët tuaj dhe do t’i çliroj ata që i zini në kurth si të ishin zogj.
21 Do t’ua heq velin e do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja, dhe ai nuk do të bëhet më preja juaj. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+
22 Ju ia keni ligështuar zemrën të drejtit me gënjeshtrat tuaja+ kur unë vetë nuk i sillja dhembje,* dhe i keni dhënë zemër* të ligut,+ që të mos kthehet nga rruga e tij e keqe dhe të mbetet gjallë.+
23 Prandaj, o gra, nuk do të shihni më vegime të rreme e nuk do të hidhni më fall;+ unë do ta çliroj popullin tim nga kthetrat tuaja. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «që profetizojnë sipas zemrës së tyre».
^ Fjalë për fjalë «frymës».
^ Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, kur ndërtojnë një mur të dobët të brendshëm, e veshin me gëlqere që të duket i fortë.
^ Domethënë, rripa magjikë me të cilat mbështillnin bërrylat dhe kyçet.
^ Ose «shpirtin e atyre».
^ Ose «shpirtin e atyre».
^ Ose «telashe; nuk e mundoja».
^ Fjalë për fjalë «keni forcuar duart».