Ezekieli 16:1-63
-
Dashuria e Perëndisë për Jerusalemin (1-63)
16 Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri:
2 «Bir njeriu, tregoja hapur Jerusalemit zakonet e saj* të neveritshme+
3 dhe thuaji: “Kështu i thotë Zotëria Sovran Jehova Jerusalemit: ‘Rrënjët i ke në vendin e Kananit dhe atje ke lindur. Babai yt ishte amorit,+ kurse nëna hitite.+
4 Ditën kur linde, kur erdhe në jetë, nuk ta prenë kërthizën, nuk të lanë me ujë për të të pastruar, nuk të fërkuan me kripë dhe as të mbështollën me pelena.
5 Askujt nuk i erdhi aq keq për ty, sa të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra. Askujt nuk iu dhimbse. Përkundrazi, ditën kur linde, të hodhën në fushë të hapur, ngaqë të urrenin.
6 Kur kalova pranë teje, të pashë tek përpëliteshe në gjakun tënd. Ndërsa ishe shtrirë në gjakun tënd, të thashë: “Jeto!” Po, ndërsa ishe shtrirë në gjakun tënd, të thashë: “Jeto!”
7 Të bëra një popull të madh si filizat e shumtë në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe dhe vure stolitë më të mira. Gjinjtë t’u formuan, flokët t’u rritën, por ishe ende krejt lakuriq.
8 Kur kalova pranë teje, të pashë dhe ja, kishe arritur moshën për të dashuruar. Prandaj të hodha sipër rrobën time*+ dhe ta mbulova lakuriqësinë. U betova para teje, lidha një besëlidhje me ty, dhe ti u bëre imja,—thotë Zotëria Sovran Jehova.—
9 Veç kësaj, të lava me ujë, të pastrova nga gjaku dhe të leva me vaj.+
10 Pastaj të vesha me rroba të qëndisura, të mbatha sandale me lëkurë cilësore,* të mbështolla me lino të hollë e të vesha me rroba të shtrenjta.
11 Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në duar dhe varëse në qafë.
12 Të vura një unazë në hundë, vathë në veshë dhe një kurorë të bukur në kokë.
13 Ti stoliseshe me ar e argjend dhe visheshe me lino të hollë, me copa të shtrenjta e me rroba të qëndisura. Ushqeheshe me miellin më të mirë, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë, shumë e bukur+ dhe e denjë për mbretëreshë.
14 Mes kombeve u bëre e famshme+ për bukurinë tënde, që ishte e përsosur, sepse unë kisha vënë mbi ty shkëlqimin tim,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
15 Por ti fillove të kishe besim te bukuria jote+ dhe, prej famës sate, u bëre prostitutë.+ Iu dhe pa fre si prostitutë çdo kalimtari+ dhe i fale bukurinë tënde.
16 More disa nga rrobat e tua dhe bëre vende të larta ngjyra-ngjyra, ku e shitje veten si prostitutë+—gjëra të tilla s’duhet të ndodhin, jo kurrën e kurrës.
17 More edhe stolitë* e bukura prej ari e argjendi që të kisha dhënë, bëre me to shëmbëlltyra meshkujsh* dhe te to e shite veten si prostitutë.+
18 I mbulove ata* me rrobat e tua të qëndisura dhe u paraqite vajin e temjanin tim.+
19 Edhe ato që t’i kisha dhënë për të ngrënë—miellin më të mirë, vajin e mjaltin me të cilin të ushqeja—ti i paraqite para tyre si aromë të këndshme.*+ Po, pikërisht kështu ndodhi,—thotë Zotëria Sovran Jehova.
20 Ti i more djemtë e vajzat që më kishe lindur+ dhe ua flijove këtyre idhujve.+ S’u ngope me prostitucionin tënd?!
21 Ti i there fëmijët e mi dhe ua paraqite atyre si flijim kur i dogje në zjarr.*+
22 Ndërsa ndiqje gjithë zakonet e tua të neveritshme dhe merreshe me prostitucion, nuk i kujtove ditët e rinisë sate kur ishe krejt lakuriq e përpëliteshe në gjakun tënd.
23 Tani, pas gjithë ligësisë sate, “Mjerë, mjerë ti!”,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
24 Ndërtove nga një vend të ngritur dhe bëre nga një vend të lartë në çdo shesh.
25 Në krye të çdo rruge ndërtove vende të larta. E bëre bukurinë tënde të neveritshme ngaqë iu dhe* çdo kalimtari+ dhe u solle si prostitutë sa e sa herë.+
26 E shite veten si prostitutë te bijtë e Egjiptit,+ fqinjët e tu të dhënë pas epsheve, dhe më fyeje me prostitucionin tënd të papërmbajtur.
27 Prandaj, unë do ta ngre dorën kundër teje, do të ta pakësoj racionin e ushqimit+ dhe do të të lë në mëshirën e grave që të urrejnë,+ të bijave* të filistinëve, të cilat u skandalizuan nga sjellja jote e ndyrë.+
28 Meqë ishe e pangopur, e shite veten si prostitutë edhe te bijtë e Asirisë.+ Por, edhe pse e shite veten si prostitutë tek ata, prapë nuk u ngope.
29 Kështu bëre edhe më shumë prostitucion në vendin e tregtarëve* dhe me kaldeasit,+ por as me ata nuk u ngope.
30 Sa e kalbur* ishte zemra jote,*—thotë Zotëria Sovran Jehova,—kur i bëje tërë këto gjëra, kur silleshe si një prostitutë e pacipë!+
31 Por, kur ndërtove vende të ngritura në krye të çdo rruge dhe bëre vende të larta në çdo shesh, nuk u solle si prostitutë, sepse nuk pranoje asnjë pagesë.
32 Ti je një grua që shkel kurorën, që fle me të tjerë e jo me burrin tënd.+
33 Të gjitha prostitutave u jepet një dhuratë,+ kurse ti je e vetmja që u ke dhënë dhurata të gjithë atyre që të kërkojnë me epsh;+ ti u jep ryshfet, që të vijnë te ti nga çdo vend për të bërë prostitucion.+
34 Ti sillesh krejt ndryshe nga gjithë gratë që merren me prostitucion. Askush nuk bën prostitucion të tillë si ti! Ti paguan, në vend që të të paguajnë. Ja pra, me ty ndodh e kundërta.’
35 Prandaj, o prostitutë,+ dëgjo çfarë thotë Jehovai.
36 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Meqenëse i ke shfryrë epshet e tua dhe e ke nxjerrë sheshit lakuriqësinë tënde, teksa e shisje veten si prostitutë te dashnorët dhe te tërë idhujt e tu të neveritshëm e të pështirë,*+ të cilëve u ke flijuar madje gjakun e bijve të tu,+
37 ja, unë do t’i mbledh tërë dashnorët që kënaqe, të gjithë ata që deshe bashkë me ata që urreve. Do t’i mbledh ata kundër teje, kudo që të jenë, do të nxjerr sheshit para tyre lakuriqësinë tënde dhe ata do të të shohin krejt të zhveshur.+
38 Unë do të të ndëshkoj me gjykimin që meritojnë kurorëshkelëset+ dhe ato që derdhin gjak;+ gjaku yt do të derdhet prej tërbimit dhe xhelozisë sime.+
39 Unë do të të lë në duart e tyre, dhe ata do t’i shembin vendet e tua të ngritura e do të rrëzojnë vendet e tua të larta.+ Ata do të të heqin rrobat,+ do të t’i marrin stolitë* e bukura dhe do të të lënë krejt lakuriq.+
40 Do të sjellin kundër teje një turmë,+ do të të vrasin me gurë+ e me shpatë.+
41 Do t’u vënë zjarrin shtëpive të tua,+ dhe unë do të ekzekutoj vendimet e mia gjyqësore para syve të shumë grave.* Unë do t’i jap fund prostitucionit tënd,+ dhe ti nuk do të paguash më askënd.
42 Atëherë tërbimi im kundër teje do të fashitet+ dhe nuk do të jem më i indinjuar me ty.+ Pastaj do të jem i qetë dhe nuk do të ndihem më i fyer.
43 Meqë nuk i kujtove ditët e rinisë+ dhe më ke zemëruar me tërë këto gjëra, unë do të të sjell mbi kokë të këqijat e udhëve që ke ndjekur,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—e ti nuk do të kesh më atë sjellje të ndyrë dhe nuk do të ndjekësh më asnjë nga zakonet e tua të neveritshme.
44 Kushdo që i përdor proverbat, do të thotë këtë proverb për ty: “Si e ëma, dhe e bija!”+
45 Ti je bijë e nënës sate, që e përbuzi burrin dhe fëmijët e saj. Ti je motër e motrave të tua, që i përbuzën burrat dhe fëmijët e tyre. Nëna juaj ishte hitite, kurse babai juaj amorit.+
46 Motra jote e madhe është Samaria,+ që banon në veri të kufirit tënd* me bijat e saj,*+ dhe motra jote e vogël është Sodoma,+ që banon në jug të kufirit tënd* me bijat e saj.+
47 Ti jo vetëm që ece në udhët e tyre dhe ndoqe zakonet e tyre të neveritshme, por shumë shpejt e gjithë sjellja jote u bë edhe më e pamoralshme se e tyrja.+
48 Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—motra jote, Sodoma, dhe bijat e saj, nuk kanë bërë atë që bëre ti dhe bijat e tua.
49 Ja cilat ishin fajet e motrës sate, Sodomës: ajo dhe bijat e saj+ ishin krenare,+ kishin ushqim me bollëk+ dhe jetonin në rehati e pa asnjë shqetësim,+ e prapëseprapë nuk iu bënë krah të munduarit dhe të varfrit.+
50 Ato s’hoqën dorë nga fodullëku+ dhe ndoqën zakonet e tyre të neveritshme në sytë e mi,+ prandaj m’u duk e nevojshme t’i shkatërroja.+
51 Samaria+ nuk bëri as gjysmën e mëkateve të tua. Ti u zhyte gjithnjë e më shumë në zakonet e tua të neveritshme e vajte deri në atë pikë sa motrat e tua u dukën më të drejta se ti për shkak të zakoneve të tua të neveritshme.+
52 Tani të duhet të pranosh poshtërimin tënd, sepse ke justifikuar* sjelljen e motrave të tua. Ngaqë ke bërë mëkate më të pështira se ato, ato janë më të drejta se ti. Tani, pra, turp të kesh e pranoje poshtërimin, se i ke bërë motrat e tua të duken të drejta!
53 Unë do t’i mbledh robërit e tyre, robërit e Sodomës e të bijave të saj dhe robërit e Samarisë e të bijave të saj. Do të mbledh edhe robërit e tu bashkë me to,+
54 që ta pranosh poshtërimin tënd. Ti do të ndihesh e poshtëruar, sepse i ke ngushëlluar motrat e tua me tërë gjërat që ke bërë.
55 Motrat e tua, Sodoma me bijat e saj dhe Samaria me bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e mëparshme; edhe ti me bijat e tua do të kthehesh në gjendjen e mëparshme.+
56 Motra jote, Sodoma, nuk ishte e denjë të zihej në gojë nga ti në ditët e krenarisë sate,
57 para se ligësia jote të dilte sheshit.+ Tani bijat e Sirisë me gjithë fqinjet e saj të poshtërojnë dhe bijat e filistinëve,+ të gjitha ato që të rrethojnë, të përçmojnë.
58 Ti do të vuash pasojat e sjelljes sate të ndyrë dhe të zakoneve të tua të neveritshme’,—thotë Jehovai.
59 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të sillem me ty ashtu si je sjellë ti,+ sepse e ke përbuzur betimin dhe e ke prishur besëlidhjen që kishe me mua.+
60 Gjithsesi, unë do ta kujtoj besëlidhjen që kam bërë me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetshme.+
61 Ti do ta kujtosh sjelljen tënde dhe do të ndihesh e poshtëruar+ kur të mirëpresësh motrat e tua, më të mëdha a më të vogla qofshin; unë do të t’i jap si bija, por jo për hir të besëlidhjes sate.
62 Unë vetë do të lidh besëlidhjen time me ty, dhe ti ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.
63 Kur të bëj shlyerjen e fajit për ty, pavarësisht tërë atyre që ke bërë,+ do të të kujtohet sjellja jote e do të të vijë aq shumë turp, sa për shkak të poshtërimit,+ nuk do ta hapësh gojën fare’”,—thotë Zotëria Sovran Jehova.»
Shënimet
^ Në këtë kapitull, Jehovai i drejtohet Jerusalemit sikur të ishte grua.
^ Ose «pjesën e fundit të rrobës sime».
^ Ose «lëkurë foke».
^ Ose «bizhuteritë».
^ Një mundësi tjetër «shëmbëlltyra të organeve mashkullore».
^ Domethënë, idhujt meshkuj.
^ Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
^ Fjalë për fjalë «i kalove në zjarr».
^ Fjalë për fjalë «i hape këmbët para».
^ Domethënë, të popullit.
^ Fjalë për fjalë «vendin e Kananit».
^ Ose «e dobët».
^ Një mundësi tjetër «Oh, ç’tërbim kam kundër teje».
^ Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
^ Ose «bizhuteritë».
^ Ose «kombeve».
^ Fjalë për fjalë «në të djathtën tënde».
^ Ka të ngjarë t’u referohet fshatrave.
^ Fjalë për fjalë «në të majtën tënde».
^ Ose «ke përligjur».