Ezekieli 44:1-31
44 Ai më çoi përsëri jashtë shenjtërores, te porta e jashtme që është në drejtim të lindjes,+ dhe ajo ishte e mbyllur.+
2 Atëherë Jehovai më tha: «Kjo portë do të rrijë mbyllur. Ajo nuk duhet të hapet dhe asnjë njeri nuk do të hyjë nëpër të, sepse atje ka kaluar vetë Jehovai,+ Perëndia i Izraelit, prandaj ajo duhet të rrijë mbyllur.
3 Megjithatë prijësi, meqenëse është prijës, do të ulet atje që të hajë bukën para Jehovait.+ Ai do të hyjë nga portiku i portës dhe po nga ai do të dalë.»+
4 Pastaj më çoi përpara tempullit duke kaluar nëpër portën veriore. Kur pashë përreth, vura re që lavdia e Jehovait kishte mbushur tempullin e Jehovait.+ Atëherë u përkula me fytyrë përtokë.+
5 Jehovai më tha: «Bir njeriu, kushtoju vëmendje,* shikoji dhe dëgjoji mirë të gjitha gjërat që do të të them për statutet dhe ligjet e tempullit të Jehovait. Kushtoji shumë vëmendje hyrjes së tempullit dhe tërë daljeve të shenjtërores.+
6 Thuaji shtëpisë rebele të Izraelit: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘O shtëpi e Izraelit, mjaft më me zakonet tuaja të neveritshme!
7 Kur sillni në shenjtëroren time të huaj që janë të parrethprerë në zemër e në trup,* ata e përdhosin tempullin tim. Ju më paraqitni bukë,* dhjamë dhe gjak, por ndërkohë e shkelni besëlidhjen time me gjithë zakonet tuaja të neveritshme.
8 Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta.+ Përkundrazi, keni caktuar të tjerë të kryejnë detyrat tuaja në shenjtëroren time.’
9 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Asnjë i huaj i parrethprerë në zemër dhe në trup, që jeton në Izrael, nuk mund të hyjë në shenjtëroren time.
10 Prandaj, levitët që u larguan nga unë+ kur Izraeli u largua prej meje për të ndjekur idhujt e tij të pështirë,* kanë për të vuajtur pasojat e fajit të tyre.
11 Megjithatë, më pas do të kryejnë këto shërbime në shenjtëroren time: do të mbikëqyrin portat e tempullit,+ do të shërbejnë në tempull, do të therin blatimet e plota të djegura dhe flijimet për popullin, dhe do të qëndrojnë përpara popullit që t’i shërbejnë.
12 Por, meqë i shërbyen popullit para idhujve të tij të pështirë dhe u bënë gur pengese që e shtyu shtëpinë e Izraelit të mëkatonte,+ unë betohem,*—thotë Zotëria Sovran Jehova,—se me siguri do të vuajnë pasojat e fajit të tyre.
13 Ata kurrsesi nuk do të më afrohen mua për të më shërbyer si priftërinjtë e mi dhe nuk do t’i afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta a shumë të shenjta; do të mbajnë mbi vete turpin e tyre për shkak të gjërave të neveritshme që bënë.
14 Megjithatë, unë do të lë nën kujdesin e tyre përgjegjësitë e tempullit, që ata të kujdesen për çdo shërbim e për gjithçka që duhet bërë në të.+
15 Kurse priftërinjtë levitë, bijtë e Sadokut,+ që i përmbushën përgjegjësitë në shenjtëroren time kur izraelitët u larguan nga unë,+ do të më afrohen mua për të më shërbyer dhe do të rrinë para meje për të më paraqitur dhjamin+ dhe gjakun+ e flijimeve,—thotë Zotëria Sovran Jehova.—
16 Pikërisht ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t’i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë+ dhe do të përmbushin përgjegjësitë që kanë ndaj meje.+
17 Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, ata duhet të veshin rroba linoje.+ Nuk duhet të vishen me rroba leshi kur të shërbejnë brenda portave të oborrit të brendshëm dhe brenda zonës së tempullit.
18 Duhet të kenë çallma prej liri në kokë dhe mbathje prej liri nga mesi deri te kofshët;+ nuk duhet të veshin asgjë që i bën të djersiten.
19 Para se të dalin në oborrin e jashtëm—në oborrin e jashtëm ku rri populli—duhet t’i heqin rrobat me të cilat shërbenin+ dhe t’i vënë në dhomat e shenjta të ngrënies.*+ Pastaj të veshin rroba të tjera, që të mos e shenjtërojnë në mënyrë të papërshtatshme* popullin me rrobat e tyre.
20 Të mos e rruajnë kokën+ e as të mos i lënë flokët të gjatë, por t’i shkurtojnë rregullisht.
21 Priftërinjtë të mos pinë verë kur të hyjnë në oborrin e brendshëm.+
22 Të mos marrin për grua një vejushë ose grua të divorcuar,+ por mund të martohen me një virgjëreshë nga pasardhësit e Izraelit ose me vejushën e një prifti.+
23 Ata duhet t’i mësojnë popullit tim ndryshimin mes gjërave të shenjta dhe gjërave të zakonshme, si edhe ndryshimin mes gjërave të papastra dhe gjërave të pastra.+
24 Duhet të jenë gjykatës për çështjet ligjore+ dhe të gjykojnë sipas vendimeve të mia gjyqësore.+ Duhet të zbatojnë ligjet dhe statutet e mia lidhur me të gjitha festat e mia+ dhe të shenjtërojnë sabatet e mia.
25 Ata nuk duhet t’i afrohen një të vdekuri, përndryshe do të bëhen të papastër. Por mund të bëhen të papastër për babanë, nënën, djalin, vajzën, vëllanë ose motrën e pamartuar.+
26 Pasi prifti të pastrohet, duhet të kalojnë shtatë ditë.
27 Ditën që do të hyjë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të shërbyer në vendin e shenjtë, ai duhet të paraqitë blatimin e tij për mëkatin,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
28 Kjo do të jetë trashëgimia e priftërinjve: unë jam trashëgimia e tyre.+ Ju nuk do t’u jepni asnjë zotërim në Izrael, sepse zotërimi i tyre jam unë.
29 Pikërisht ata do të hanë blatimin në drithë,+ blatimin për mëkatin dhe blatimin për fajin.+ Çdo gjë e kushtuar në Izrael do të jetë e tyrja.+
30 Më të zgjedhurat e fryteve të para dhe çdo lloj kontributi juaj, do të jenë të priftërinjve.+ Duhet t’i jepni priftit frytet e para të drithërave të bluara ashpër,+ që shtëpia juaj të gëzojë bekimet e mia.+
31 Priftërinjtë nuk duhet të hanë mishin e asnjë zogu a kafshe që gjendet e ngordhur ose e shqyer nga egërsirat.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «rrënjosi në zemër».
^ Fjalë për fjalë «në mish».
^ Ose «flijime».
^ Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
^ Fjalë për fjalë «unë ngre dorën».
^ Ose «në sallat e shenjta».
^ Fjalë për fjalë «të mos e shenjtërojnë».