Galatasve 5:1-26
5 Për një liri të tillë na çliroi Krishti. Prandaj, qëndroni të patundur+ dhe mos lejoni të futeni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.+
2 Ja, unë, Pavli, po ju them se, nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju sjellë asnjë dobi.+
3 I kujtoj edhe një herë kujtdo që rrethpritet, se është i detyruar të zbatojë gjithë Ligjin.+
4 Ju që përpiqeni të shpalleni të drejtë me anë të ligjit,+ jeni ndarë nga Krishti, jeni larguar nga mirësia e tij e pamerituar.
5 Kurse ne, me anë të frymës,* po presim me zjarr e po shpresojmë të quhemi të drejtë në bazë të besimit.
6 Vërtet, për ata që janë në unitet me Krishtin Jezu, as rrethprerja nuk ka ndonjë vlerë, as parrethprerja,+ por besimi që vepron nëpërmjet dashurisë.
7 Ju po vraponit mirë.+ Kush ju pengoi që të mos i bindeni më së vërtetës?
8 Ky lloj arsyetimi nuk vjen nga Ai që ju thërret.
9 Pak majá e bën të vijë gjithë brumin.+
10 Jam i sigurt se ju që jeni në unitet me Zotërinë,+ nuk do të mendoni ndryshe, por ai që po ju hap telashe,+ kushdo qoftë, do të marrë gjykimin që meriton.
11 Po mua, vëllezër, po të predikoja ende rrethprerjen, pse do të vazhdonin të më përndiqnin? Po të ishte vërtet kështu, shtylla e torturës*+ nuk do të ishte më gur pengese për ata që më kundërvihen.
12 U tredhshin* njerëzit që po përpiqen t’ju prishin mendjen!
13 Ju u thirrët në liri, vëllezër, vetëm mos e përdorni këtë liri si një rast për të kënaqur dëshirat mëkatare,*+ por shërbejini si skllevër njëri-tjetrit nga dashuria.+
14 Faktikisht i gjithë Ligji është përmbushur* në një urdhërim të vetëm: «Duaje të afërmin tënd* si veten.»+
15 Por, nëse vazhdoni të kafshoni dhe të shqyeni njëri-tjetrin,+ ruhuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.+
16 Megjithatë ju them: vazhdoni të ecni sipas frymës*+ dhe nuk do të kënaqni asnjë dëshirë mëkatare.+
17 Vërtet, trupi mëkatar* me dëshirat e tij është kundër frymës dhe fryma është kundër trupit; këto i kundërvihen njëra-tjetrës, prandaj nuk bëni ato që doni të bëni.+
18 Për më tepër, nëse drejtoheni nga fryma, nuk jeni nën ligj.
19 Tani, veprat e trupit mëkatar* duken qartë, dhe ato janë: imoraliteti seksual,*+ ndyrësia, sjellja e pacipë,*+
20 idhujtaria, spiritizmi,*+ armiqësitë, grindjet, xhelozia,* shpërthimet e zemërimit, konfliktet, përçarjet, sektet,
21 zilia, dehja,+ festat* e shfrenuara dhe gjëra si këto.+ Për këto gjëra po ju paralajmëroj, ashtu siç ju paralajmërova edhe më parë, se ata që vazhdojnë të bëjnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.+
22 Nga ana tjetër, fryti i frymës së shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, durimi,* zemërmirësia,* mirësia,+ besimi,
23 butësia, vetëkontrolli.+ Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.
24 Për më tepër, ata që i përkasin Krishtit Jezu e kanë gozhduar në shtyllë trupin mëkatar bashkë me pasionet dhe dëshirat e tij.+
25 Nëse po jetojmë sipas frymës së shenjtë, sipas kësaj fryme të vazhdojmë të ecim me rregull.+
26 Të mos jemi egoistë,+ të mos ngjallim konkurrencë mes nesh+ e të mos kemi zili njëri-tjetrin.
Shënimet
^ Ose «frymës së Perëndisë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «u zhburrërofshin; u bëfshin eunukë», që të skualifikoheshin nga zbatimi i po atij ligji që po përkrahnin.
^ Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.
^ Një mundësi tjetër «është përmbledhur».
^ Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
^ Ose «sipas drejtimit të frymës së shenjtë».
^ Fjalë për fjalë «mishi». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «e mishit». Shih Fjalorthin.
^ Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
^ Ose «sjellja e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
^ Ose «shtrigëria; përdorimi i drogave».
^ Ose «smira».
^ Ose «ahengjet».
^ Ose «shpirtgjerësia».
^ Ose «mirëdashja».