Sipas Gjonit 4:1-54
4 Kur Zotëria Jezu dëgjoi se farisenjtë kishin marrë vesh që ai po pagëzonte+ e po bënte më shumë dishepuj se Gjoni—
2 faktikisht Jezui vetë nuk pagëzonte, por dishepujt e tij—
3 ai u largua nga Judea dhe u nis përsëri për në Galile.
4 Por i duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Kështu arriti te një qytet i Samarisë, i quajtur Sihar, afër fushës që Jakobi i kishte dhënë të birit, Jozefit.+
6 Atje në fakt ishte pusi i Jakobit.+ I lodhur nga rruga, Jezui po rrinte ulur pranë pusit.* Ishte afërsisht ora e gjashtë.*
7 Një grua nga Samaria vajti të nxirrte ujë. Jezui i tha: «Më jep pak ujë.»
8 (Ndërkohë dishepujt kishin ikur në qytet për të blerë ushqime.)
9 Por gruaja samaritane i tha: «Si ka mundësi që ti, edhe pse jude, më kërkon ujë mua, që jam samaritane?» (Se judenjtë nuk bëhen me samaritanët.)+
10 Jezui iu përgjigj: «Po ta dije ç’dhuratë* jep Perëndia+ dhe se kush po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, do t’i kishe kërkuar ujë, e ai do të të jepte ujin e jetës.»*+
11 Ajo i tha: «Imzot, ti nuk ke kovë për të nxjerrë ujë dhe pusi është i thellë. Nga cili burim, pra, e nxjerr këtë ujë jete?!
12 Mos je më i madh se Jakobi, paraardhësi ynë, i cili na dha pusin? Ai vetë, bijtë e tij, si edhe bagëtitë e veta pinë ujë nga ky pus.»
13 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë prapë etje.
14 Por, kushdo që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës,+ sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet brenda tij si një burim uji që gufon për t’i dhënë jetë të përhershme.»+
15 Gruaja i tha: «Imzot, më jep nga ky ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të nxjerrë ujë.»
16 Ai i tha: «Shko, thirre burrin tënd dhe eja prapë këtu.»
17 Gruaja iu përgjigj: «Unë nuk kam burrë.» Jezui i tha: «Mirë e the se nuk ke burrë,
18 sepse ke pasur pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt. Ke treguar të vërtetën.»
19 Gruaja i tha: «Imzot, e shoh që je profet.+
20 Paraardhësit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju judenjtë thoni se duhet të adhurojmë vetëm në Jerusalem.»+
21 Jezui i tha: «Më beso, o grua, po vjen ora kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.
22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni,+ kurse ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shpëtimi zë fill me judenjtë.*+
23 Megjithatë, po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë,* sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.+
24 Perëndia është Frymë,*+ dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.»*+
25 Gruaja i tha: «Unë e di se po vjen Mesia, i cili quhet Krisht. Kurdo që të vijë, ai do të na i tregojë hapur të gjitha gjërat.»
26 Jezui i tha: «Unë që po të flas, jam ai.»+
27 Në atë moment erdhën dishepujt dhe u çuditën që ai po fliste me një grua. Natyrisht, askush nuk guxoi ta pyeste: «Zotëri, çfarë po kërkon?» ose «Pse po flet me këtë grua?»
28 Atëherë gruaja la shtambën, iku në qytet dhe u tha njerëzve:
29 «Ejani të shikoni! Është një njeri që më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë. Të jetë ky Krishti?!»
30 Ata dolën nga qyteti dhe u nisën të shkonin tek ai.
31 Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Rabi,+ ha diçka.»
32 Por ai u tha: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.»
33 Prandaj dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Mos i ka sjellë dikush ndonjë gjë për të ngrënë?»
34 Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi+ dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.+
35 A nuk thoni ju se duhen ende katër muaj para se të vijnë të korrat? Megjithatë unë po ju them: ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati* për korrje.+
36 Korrësi tashmë po e merr pagën e vet dhe po mbledh fryte për jetë të përhershme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzojnë së bashku.+
37 Kjo vërteton thënien: njëri mbjell dhe tjetri korr.
38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilën nuk jeni munduar. Të tjerë janë munduar dhe ju keni shijuar frytet e mundit të tyre.»
39 Shumë samaritanë të atij qyteti treguan besim tek ai për shkak të dëshmisë së gruas, që tha: «Ai më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë.»+
40 Prandaj, kur shkuan tek ai, samaritanët i kërkuan të rrinte me ta, dhe ai qëndroi atje dy ditë.
41 Si pasojë, shumë të tjerë besuan falë gjërave që u mësoi.
42 Kështu i thanë gruas: «Tani nuk besojmë vetëm se na tregove ti, por ngaqë e dëgjuam me veshët tanë. Ne e dimë se ky njeri është vërtet shpëtimtari i botës.»+
43 Pas atyre dy ditëve Jezui u nis për në Galile,
44 edhe pse vetë tha se profetin nuk e nderojnë në vendin e vet.+
45 Mirëpo, kur mbërriti në Galile, galileasit e mirëpritën, sepse i panë të gjitha gjërat që bëri në Jerusalem gjatë festës,+ se edhe ata kishin qenë në festë.+
46 Pastaj shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë.+ Atje ishte një nëpunës i mbretit që e kishte të birin sëmurë në Kapernaum.
47 Kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judea në Galile, vajti te Jezui dhe i kërkoi të shkonte* me të e t’i shëronte të birin, sepse ishte në prag të vdekjes.
48 Mirëpo Jezui i tha: «Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju kurrsesi nuk do të besoni.»+
49 Nëpunësi i mbretit i tha: «Zotëri, hajde shpejt para se të më vdesë djali.»
50 Jezui i tha: «Shko në shtëpi, yt bir jeton.»+ Ai i besoi fjalës së Jezuit dhe u nis.
51 Por, ndërsa ishte ende rrugës, i dolën para skllevërit e vet për t’i thënë se i biri ishte gjallë.*
52 Atëherë i pyeti në ç’orë ishte bërë më mirë djali. Ata iu përgjigjën: «Ethet e lanë dje, në orën e shtatë.»*
53 Atëherë i ati e kuptoi se kishte ndodhur pikërisht në orën kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir jeton.»+ Prandaj ai bashkë me tërë ata të shtëpisë së tij besuan.
54 Kjo ishte shenja* e dytë+ që kreu Jezui kur doli nga Judea për në Galile.
Shënimet
^ Ose «burimit; kroit».
^ Domethënë, rreth orës 12 të drekës.
^ Ose «ç’dhuratë falas».
^ Fjalë për fjalë «ujë të gjallë».
^ Ose «vjen nëpërmjet judenjve».
^ Ose «nën drejtimin e frymës së tij dhe sipas së vërtetës».
^ Ose «nën drejtimin e frymës së tij dhe sipas së vërtetës».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «të bardha».
^ Fjalë për fjalë «të zbriste».
^ Ose «po e merrte veten».
^ Domethënë, rreth orës 1 pasdite.
^ Ose «mrekullia».