Isaia 36:1-22

  • Senakeribi pushton Judën (1-3)

  • Rabshakehu sfidon Jehovain (4-22)

36  Në vitin e 14-të të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi, mbreti i Asirisë,+ sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.+  Atëherë, nga Lakishi,+ mbreti i Asirisë dërgoi te mbreti Hezekia në Jerusalem rabshakehun*+ bashkë me një ushtri tepër të madhe. Ata zunë pozicion pranë kanalit të rezervuarit të sipërm,+ që është në rrugën për tek ara e rrobalarësit.+  Atëherë dolën për ta takuar Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti* Joah, biri i Asafit.  Rabshakehu u tha: «I thoni Hezekisë: “Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ‘Ku e bazon këtë siguri?+  Ti thua: “Kam strategjinë dhe fuqinë e nevojshme për luftë.” Por këto janë fjalë boshe. Te kush, pra, paske besim, që guxon të rebelohesh kundër meje?+  Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer, Egjiptit, tek i cili po të mbështetej njeri, do t’ia çante dorën tejpërtej. Kështu është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që besojnë tek ai.+  Apo më thua: “Kemi besim te Jehovai, Perëndia ynë.” Por, a nuk ia ka hequr Hezekia atij vendet e larta e altarët+ dhe i thotë Judës e Jerusalemit: “Duhet të përkuleni para këtij altari.”’”+  Tani pra, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë:+ unë të jap 2.000 kuaj, nëse gjen dot mjaft kalorës për ta.  Si mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator, një ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim, kur mbështetesh tek Egjipti për karroca e kalorës? 10  Mos kam dalë kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa lejen e Jehovait? Vetë Jehovai më tha: ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’» 11  Me të dëgjuar këtë, Eliakimi, Shebna+ dhe Joahu, i thanë rabshakehut:+ «Të lutemi, fol me shërbëtorët e tu në gjuhën aramaike,*+ sepse mund ta kuptojmë, por mos fol me ne në gjuhën e judenjve, se të dëgjojnë njerëzit që janë mbi mur.»+ 12  Megjithatë rabshakehu ua ktheu: «Mos vallë zotëria im më ka dërguar t’ia them këto fjalë vetëm zotërisë tuaj dhe juve? A nuk më ka dërguar t’ua them edhe burrave që rrinë ulur mbi mur, të cilët do të hanë jashtëqitjet e veta dhe do të pinë urinën e vet bashkë me ju?» 13  Pastaj rabshakehu u ngrit në këmbë e bërtiti në gjuhën e judenjve:+ «Dëgjoni fjalën e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!+ 14  Kështu thotë mbreti: “Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë, sepse ai nuk ju shpëton dot.+ 15  Mos e lini Hezekinë t’jua mbushë mendjen që të keni besim te Jehovai,+ duke ju thënë: ‘Jehovai do të na shpëtojë patjetër, dhe ky qytet nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.’ 16  Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni!* Secili do të hajë nga hardhia e vet dhe nga fiku i vet e do të pijë nga uji i sternës* së vet, 17  derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj,+ plot drithë e verë të re, ku ka bukë dhe vreshta. 18  Mos e lejoni Hezekinë t’ju mashtrojë duke ju thënë: “Jehovai do të na shpëtojë.” Mos i kanë shpëtuar perënditë e kombeve vendet e tyre nga duart e mbretit të Asirisë?+ 19  Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit?+ Ku janë perënditë e Sefarvaimit?+ A e kanë shpëtuar këto perëndi Samarinë nga duart e mia?+ 20  Cila nga të gjitha perënditë e këtyre vendeve e ka shpëtuar vendin e vet nga duart e mia, që Jehovai të shpëtojë Jerusalemin nga duart e mia?’”»+ 21  Por ata heshtën e nuk i kthyen asnjë fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: «Mos iu përgjigjni!»+ 22  Atëherë Eliakimi, biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,* sekretari Shebna+ dhe kronisti Joah, biri i Asafit, vajtën me rroba të shqyera te Hezekia dhe i treguan fjalët e rabshakehut.

Shënimet

Ose «kryekupëmbajtësin».
Ose «për pallatin mbretëror».
Ose «regjistruesi».
Ose «siriane».
Fjalë për fjalë «Bëni një bekim me mua dhe dilni drejt meje!»
Domethënë, depos së nëndheshme për të mbledhur ujë.
Ose «për pallatin mbretëror».