Jonai 4:1-11
4 Mirëpo kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u bë tym e flakë.
2 Prandaj iu lut Jehovait: «O Jehova, a nuk merakosesha pikërisht për këtë kur isha në vendin tim?! Ja pse më parë u përpoqa t’ia mbathja në Tarshish.+ Unë e dija që ti je një Perëndi i dhembshur* e i mëshirshëm, që nuk zemërohesh shpejt dhe je plot dashuri besnike,+ që je gati të ndryshosh mendje e të mos ndëshkosh.*
3 Tani, o Jehova, të lutem, merrma jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se të rroj!»+
4 Jehovai e pyeti: «Mendon se ke të drejtë të nxehesh kaq shumë?»
5 Pastaj, Jonai doli dhe u ul në lindje të qytetit. Atje bëri një strehë dhe u ul nën hijen e saj, që të shihte ç’do të bëhej me qytetin.+
6 Atëherë Perëndia Jehova bëri që një bimë kungullujësi* të rritej e të bënte hije mbi kokën e Jonait, që t’ia lehtësonte atë gjendje të mjerë. Jonai u kënaq shumë për bimën e kungullujësit.
7 Por të nesërmen, pa zbardhur mirë, Perëndia i vërtetë e breu bimën e kungullujësit me anë të një krimbi, dhe ajo u tha.
8 Sapo shkëlqeu dielli, Perëndia ngriti një erë zhuritëse nga lindja, dhe Jonait i ra dielli në kokë, e gati sa s’i ra të fikët. Prandaj kërkonte që të vdiste* dhe thoshte: «Më mirë të vdes se të rroj!»+
9 Perëndia e pyeti Jonain: «Mendon se ke të drejtë të nxehesh kaq shumë për bimën e kungullujësit?»+
Ky iu përgjigj: «Po, kam të drejtë të nxehem, madje sa të vdes!»
10 Por Jehovai i tha: «Ty t’u dhimbs bima e kungullujësit, për të cilën as nuk u mundove e as nuk bëre gjë që të rritej; për një natë u rrit e për një natë u tha.
11 Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, qytetin e madh,+ ku ka më shumë se 120.000 njerëz që nuk dinë të dallojnë të drejtën nga e gabuara,* si edhe për gjithë kafshët e tyre?!»+
Shënimet
^ Ose «hirmadh».
^ Ose «që të vjen keq të shkaktosh mjerime».
^ Një mundësi tjetër «bimë ricini».
^ Fjalë për fjalë «që shpirti i tij të vdiste».
^ Ose «të djathtën nga e majta».