Josiu 1:1-18

  • Jehovai i jep zemër Josiut (1-9)

    • Lexo Ligjin nën zë (8)

  • Përgatitjet për të kaluar Jordanin (10-18)

1  Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Jehovait, Jehovai i tha Josiut,*+ birit të Nunit dhe ndihmësit+ të Moisiut:  «Moisiu, shërbëtori im, vdiq.+ Prandaj ngrihu bashkë me tërë popullin, kalo Jordanin dhe hyr në vendin që po i jap popullit të Izraelit.+  Unë do t’ju jap çdo vend ku do të shkelë këmba juaj, siç i premtova Moisiut.+  Territori juaj do të shtrihet nga shkretëtira deri lart në Liban e gjer në Eufrat, në lumin e madh, pra në tërë vendin e hititëve,+ dhe në perëndim deri në Detin e Madh.*+  Askush nuk do të të bëjë dot ballë sa të kesh jetë.+ Siç isha me Moisiun, ashtu do të jem edhe me ty.+ As nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.+  Ji i fortë dhe guximtar,+ sepse ti do t’i prish këtij populli që të marrë si trashëgimi vendin që u betova se do t’ua jepja paraardhësve të tyre.+  Ti veç ji shumë i fortë e guximtar dhe zbato me kujdes tërë Ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im. Mos u shmang nga ai as djathtas, as majtas,+ me qëllim që të veprosh me mençuri kudo që të shkosh.+  Ky libër i Ligjit të mos ndahet nga goja jote.+ Lexoje nën zë* ditë e natë, që të zbatosh me kujdes gjithçka që është shkruar në të.+ Atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.+  A nuk të urdhërova të ishe i fortë dhe guximtar? Tani po të urdhëroj prapë: ji i fortë dhe guximtar. Mos u tmerro e mos u frikëso, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.»+ 10  Atëherë Josiu urdhëroi të parët e popullit: 11  «Kaloni anembanë kampit dhe jepini popullit këtë urdhër: ‘Bëni gati ushqim që ta merrni me vete, se pas tri ditësh do të kaloni Jordanin dhe do të shkoni të shtini në dorë vendin që po ju jep Jehovai, Perëndia juaj.’»+ 12  Kurse rubenitëve, gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manaseut, Josiu u tha: 13  «Mbani mend çfarë ju urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Jehovait:+ ‘Jehovai, Perëndia juaj, jua ka dhënë këtë vend që të jetoni në paqe. 14  Prandaj, gratë, fëmijët dhe bagëtia juaj të qëndrojnë në vendin që ju dha Moisiu në këtë anë* të Jordanit,+ kurse të gjithë ju, luftëtarë të fuqishëm,+ duhet të kaloni matanë të rreshtuar në formacion luftimi përpara vëllezërve tuaj.+ Ju duhet t’i ndihmoni, 15  derisa Jehovai t’u japë prehje vëllezërve tuaj, ashtu si ju ka dhënë juve, dhe derisa ata të shtien në dorë tokën që po u jep Jehovai, Perëndia juaj. Pastaj kthehuni në vendin që ju është dhënë në zotërim dhe shtijeni në dorë vendin që Moisiu, shërbëtori i Jehovait, ju dha në anën lindore të Jordanit.’»+ 16  Ata iu përgjigjën Josiut: «Do t’i bëjmë të gjitha ato që na ke urdhëruar dhe do të shkojmë kudo që të na dërgosh.+ 17  Ashtu si dëgjuam Moisiun për gjithçka, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Mbi të gjitha, Jehovai, Perëndia yt, qoftë me ty siç ishte edhe me Moisiun!+ 18  Kushdo që rebelohet kundër urdhrit tënd dhe nuk ta dëgjon fjalën, do të vritet.+ Ti veç ji i fortë dhe guximtar.»+

Shënimet

Ose «Jehosiut», që do të thotë «Jehovai është shpëtim».
Domethënë, në Mesdhe.
Ose «Medito për të; Mendo thellë për të».
Domethënë, në anën lindore.