Josiu 2:1-24
2 Atëherë Josiu, biri i Nunit, dërgoi fshehurazi nga Shitimi+ dy burra si vëzhgues dhe u tha: «Shkoni dhe vëzhgoni me kujdes vendin, sidomos Jerikonë.» Kështu ata shkuan e mbërritën në shtëpinë e një prostitute që quhej Rahaba+ dhe qëndruan atje.
2 Këtë gjë ia treguan mbretit të Jerikosë dhe i thanë: «Sonte këtu erdhën disa izraelitë për të vëzhguar vendin.»
3 Me të dëgjuar këtë, mbreti i Jerikosë i çoi fjalë Rahabës: «Nxirri jashtë burrat që erdhën dhe po qëndrojnë në shtëpinë tënde, sepse kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin.»
4 Por Rahaba i kishte fshehur dy burrat, prandaj u tha: «Po, ata burra erdhën tek unë, por nuk e dija nga ishin.
5 Ata dolën kur ra nata, pak para se të mbyllej porta e qytetit, dhe nuk e di ku shkuan. Por nëse i ndiqni pa humbur kohë, do t’i kapni.»
6 (Mirëpo ajo i kishte hipur në tarracë dhe i kishte fshehur nën kërcejtë e lirit që kishte shtruar aty radhë-radhë.)
7 Atëherë njerëzit që kishte dërguar mbreti u vunë në ndjekje të tyre në drejtim të Jordanit, te vau,*+ dhe sapo dolën nga qyteti, porta u mbyll.
8 Para se burrat të binin për të fjetur, Rahaba u ngjit në tarracë
9 dhe u tha: «Jam e sigurt se Jehovai do t’jua japë vendin.+ Ne na ka zënë frika nga ju+ dhe të gjithë banorët e vendit i ka lëshuar zemra për shkakun tuaj,+
10 sepse kemi dëgjuar si Jehovai thau ujërat e Detit të Kuq para syve tuaj kur dolët nga Egjipti+ dhe çfarë i bëtë Sihonit+ dhe Ogut,+ dy mbretërve të amoritëve që i shfarosët* matanë* Jordanit.
11 Kur e morëm vesh, na u mpak zemra,* dhe askujt nuk i mbeti fije guximi për shkakun tuaj, sepse Jehovai, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiej dhe këtu poshtë në tokë.+
12 Tani, ju lutem, m’u betoni për Jehovain se do të tregoni dashuri besnike për shtëpinë e babait tim, siç tregova unë dashuri besnike për ju, dhe më jepni diçka si garanci se do ta mbani fjalën.*
13 Ju duhet t’ia kurseni jetën babait e nënës sime, vëllezërve e motrave të mia, me gjithë njerëzit e tyre, dhe duhet të na shpëtoni nga vdekja.»+
14 Atëherë ata iu përgjigjën: «Do të japim jetën për ju! Po të mos tregoni për misionin tonë, atëherë ne do t’ju tregojmë dashuri besnike dhe do ta mbajmë fjalën kur Jehovai të na e japë vendin.»
15 Pas kësaj, ajo i zbriti me litar nga dritarja, sepse shtëpinë e kishte mbi njërën anë të murit të qytetit; faktikisht banonte mbi mur.+
16 Më pas u tha: «Shkoni në rajonin malor, që të mos ju gjejnë ata që ju ndjekin. Fshihuni atje për tri ditë derisa ata të kthehen, e pastaj shkoni në udhën tuaj.»
17 Burrat i thanë: «Do të jemi të lirë nga kjo be që na detyrove të zëmë,+
18 nëse, kur të vijmë këtu, nuk ke lidhur këtë litar me ngjyrë të kuqe të ndezur në dritaren nga e cila na zbrite. Gjithashtu duhet të mbledhësh në shtëpinë tënde babanë, nënën, vëllezërit e tu dhe tërë shtëpinë e babait tënd.+
19 Megjithatë, nëse dikush del jashtë dyerve të shtëpisë sate, do të jetë përgjegjës për vdekjen e vet* dhe ne nuk do të mbajmë faj për të. Ama, po t’i ndodhë diçka e keqe* kujtdo që është në shtëpi me ty, do të jemi ne përgjegjës për vdekjen e tij.
20 Por nëse tregon për misionin tonë,+ ne do të jemi të lirë nga beja që na detyrove të zëmë.»
21 Ajo ua ktheu: «U bëftë ashtu siç thatë!»
Me të thënë këtë, Rahaba i nisi për udhë dhe pastaj lidhi në dritare litarin me ngjyrë të kuqe të ndezur.
22 Kështu ata u larguan e shkuan në rajonin malor dhe qëndruan atje tri ditë, derisa u kthyen ndjekësit që s’kishin lënë rrugë pa i kërkuar, por nuk i kishin gjetur.
23 Dy burrat zbritën nga rajoni malor, kaluan lumin dhe vajtën te Josiu, biri i Nunit, e i treguan gjithçka që u kishte ndodhur.
24 Pastaj i thanë Josiut: «Jehovai na e ka dhënë tërë vendin.+ Në fakt, gjithë banorët e vendit i ka lëshuar zemra për shkakun tonë.»+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, në anën lindore.
^ Ose «i caktuat për shfarosje». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «na u shkrinë zemrat».
^ Ose «më jepni një shenjë të sigurt».
^ Fjalë për fjalë «gjaku i vet i rëntë mbi kokë».
^ Ose «nëse dikush e prek me dorë».