Josiu 8:1-35

  • Josiu ngre pritë kundër Ait (1-13)

  • Ain e pushtojnë me sukses (14-29)

  • Ligji lexohet në malin Ebal (30-35)

8  Pastaj Jehovai i tha Josiut: «Mos ki frikë e mos u tmerro.+ Merr tërë luftëtarët dhe shko për të luftuar kundër Ait. Ja, unë të kam dhënë në dorë mbretin e Ait, popullin, qytetin dhe vendin e tij.+  Bëj me Ain dhe me mbretin e tij si bëre me Jerikonë dhe me mbretin e saj,+ mirëpo tani mund të merrni për vete plaçkën dhe bagëtinë e tij. Ngriji pritë qytetit nga pas.»  Kështu Josiu bashkë me tërë luftëtarët shkoi për të luftuar kundër Ait. Josiu zgjodhi 30.000 luftëtarë të fuqishëm dhe i nisi natën  me këtë urdhër: «Ngrini një pritë pas qytetit. Mos shkoni shumë larg qytetit dhe të jeni gati të gjithë.  Unë dhe tërë populli që është me mua do t’i afrohemi qytetit dhe, kur burrat e Ait të na sulen si herën e parë,+ ne do të tërhiqemi para tyre.  Kur të dalin nga qyteti që të na vihen pas, ne do t’i tërheqim larg tij, sepse do të thonë: ‘Po tërhiqen para nesh si herën e parë.’+ Dhe ndërsa ne do të tërhiqemi para tyre,  ju duhet të dilni nga prita dhe të pushtoni qytetin. Jehovai, Perëndia juaj, do t’jua japë qytetin në dorë.  Sapo ta keni pushtuar qytetin, vërini zjarrin.+ Bëni si ka thënë Jehovai. Këta janë urdhrat që duhet të zbatoni.»  Pastaj Josiu i nisi dhe ata marshuan drejt vendit ku do të rrinin në pritë. Zunë pozicion mes Bethelit dhe Ait, në perëndim të Ait, ndërsa Josiu ndenji atë natë me popullin. 10  Të nesërmen Josiu u ngrit herët në mëngjes, mblodhi* trupat ushtarake dhe bashkë me pleqtë e Izraelit i udhëhoqën drejt Ait. 11  Të gjithë luftëtarët+ që ishin me të marshuan dhe u ngjitën deri përballë qytetit. E ngritën kampin në veri të Ait, dhe një luginë i ndante nga qyteti. 12  Ndërkohë, sipas urdhrit të Josiut, rreth 5.000 burra kishin zënë pritë+ mes Bethelit+ dhe Ait, në perëndim të qytetit. 13  Kështu populli e vuri kampin kryesor në veri të qytetit,+ kurse praparojën në perëndim të tij;+ atë natë Josiu shkoi deri në mes të luginës.* 14  Sapo mbreti i Ait e pa këtë, ai dhe burrat e qytetit dolën me ngut herët në mëngjes që të luftonin kundër Izraelit në një vend nga ku dukej rrafshina e shkretë. Mirëpo mbreti nuk e dinte se i kishin ngritur pritë pas qytetit. 15  Kur burrat e Ait i sulmuan, Josiu dhe tërë Izraeli ia mbathën nëpër rrugën që të çonte drejt shkretëtirës.+ 16  Pastaj mbreti i Ait i bëri thirrje tërë popullit që gjendej në qytet që t’i ndiqte, dhe teksa ndiqnin Josiun, ata u larguan nga qyteti. 17  Në Ai dhe në Bethel nuk mbeti burrë pa dalë pas Izraelit; ata e lanë qytetin fare hapur dhe u vunë në ndjekje të Izraelit. 18  Tani Jehovai i tha Josiut: «Shtrije shtizën që ke në dorë drejt Ait,+ sepse do të ta jap në dorë.»+ Kështu Josiu e shtriu shtizën që kishte në dorë drejt qytetit. 19  Në çastin kur shtriu dorën, ata që kishin zënë pritë u çuan me të shpejtë nga vendi, vrapuan për në qytet, e pushtuan dhe i vunë zjarrin menjëherë.+ 20  Kur burrat e Ait kthyen kokën, panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell dhe s’patën më pikë fuqie që t’ia mbathnin në ndonjë vend. Pastaj populli i Izraelit që po ia mbathte drejt shkretëtirës u kthye kundër burrave të Ait që po i ndiqte. 21  Kur Josiu dhe tërë izraelitët që ishin me të panë se burrat që ishin në pritë e kishin pushtuar qytetin dhe se prej tij po dilte tym, u kthyen prapa dhe sulmuan burrat e Ait. 22  Pjesa tjetër e izraelitëve doli nga qyteti kundër tyre, dhe burrat e Ait u zunë në kurth, me disa izraelitë nga njëra anë e disa nga ana tjetër. Kështu izraelitët i goditën derisa nuk mbeti asnjë që të mbijetonte a të ikte.+ 23  Kurse mbretin e Ait+ e zunë të gjallë dhe e çuan te Josiu. 24  Pasi i shfarosi me shpatë të gjithë banorët e Ait që i kishin ndjekur deri në fushë, domethënë në shkretëtirë, tërë Izraeli u kthye në Ai për të vrarë me shpatë banorët e tij. 25  Ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin gjithsej 12.000 veta, pra, tërë populli i Ait. 26  Josiu e mbajti shtrirë dorën ku kishte shtizën,+ derisa i shfarosi* tërë banorët e Ait.+ 27  Megjithatë, bagëtinë dhe plaçkën e qytetit, Izraeli e mori për vete, ashtu siç i kishte urdhëruar Jehovai nëpërmjet Josiut.+ 28  Pastaj Josiu i vuri zjarrin Ait dhe e katandisi në një grumbull të përhershëm gërmadhash,+ siç është deri sot e kësaj dite. 29  Mbretin e Ait e vari në një shtyllë* dhe e la aty deri në mbrëmje. Pak para se të perëndonte dielli, Josiu dha urdhër që kufomën e tij ta zbritnin nga shtylla.+ Pastaj e hodhën në hyrje të portës së qytetit dhe mbi të ngritën një pirg të madh gurësh, që është aty edhe sot e kësaj dite. 30  Në atë kohë, Josiu ndërtoi në malin Ebal+ një altar për Jehovain, Perëndinë e Izraelit, 31  siç i urdhëroi izraelitët Moisiu, shërbëtori i Jehovait, dhe siç është shkruar në librin e Ligjit+ të Moisiut: «Një altar me gurë të pagdhendur mbi të cilët nuk është përdorur asnjë vegël hekuri.»+ Mbi të i paraqitën Jehovait blatime të djegura, si edhe flijime në bashkësi.+ 32  Pastaj ai shkroi mbi gurët një kopje të Ligjit+ që Moisiu e kishte shkruar në prani të izraelitëve.+ 33  Tërë Izraeli dhe pleqtë—të parët dhe gjykatësit e tij—qëndronin në këmbë në të dyja anët e Arkës, përballë priftërinjve levitë, që mbanin arkën e besëlidhjes së Jehovait; edhe të huajt ishin aty bashkë me vendësit.+ Gjysma e tyre qëndronte në këmbë para malit Gerizim dhe gjysma tjetër para malit Ebal,+ (siç kishte urdhëruar më parë Moisiu, shërbëtori i Jehovait),+ që të bekohej populli i Izraelit. 34  Pas kësaj, ai lexoi me zë të gjitha fjalët e Ligjit,+ bekimet+ dhe mallkimet,+ sipas gjithë asaj që është shkruar në librin e Ligjit. 35  Nga të gjitha ato që urdhëroi Moisiu, Josiu nuk la pa lexuar as edhe një fjalë para tërë kongregacionit* të Izraelit,+ ku përfshiheshin gratë, fëmijët dhe të huajt+ që banonin* mes tyre.+

Shënimet

Ose «mobilizoi».
Ose «të ultësirës».
Ose «i caktoi për shfarosje». Shih Fjalorthin.
Ose «dru».
Fjalë për fjalë «ecnin».