Sipas Lukës 1:1-80

  • Drejtuar Teofilit (1-4)

  • Gabrieli parathotë lindjen e Gjon Pagëzorit (5-25)

  • Gabrieli parathotë lindjen e Jezuit (26-38)

  • Maria, mysafire në shtëpinë e Elizabetës (39-45)

  • Maria madhëron Jehovain (46-56)

  • Lindja dhe vënia e emrit të Gjonit (57-66)

  • Profecia e Zakarisë (67-80)

1  Meqë shumë kanë marrë përsipër të përpilojnë një tregim të fakteve që ne u zëmë besë plotësisht,*+  ashtu si i përcollën ata që ishin dëshmitarë okularë+ e shpallës* të lajmit që nga fillimi,+  m’u duk mirë edhe mua, meqë i gjurmova me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi, që të t’i shkruaja sipas një radhe logjike, o fort i shkëlqyer Teofil,+  që të jesh plotësisht i sigurt se gjërat që t’u mësuan gojarisht, janë të besueshme.+  Në ditët e Herodit,*+ mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakaria, nga ndarja priftërore e Abijahut.+ Gruan e kishte nga bijat e Aronit dhe e quanin Elizabetë.  Të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë dhe ecnin në mënyrë të paqortueshme, sipas gjithë urdhërimeve dhe kërkesave ligjore të Jehovait.*  Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin mjaft të shkuar në moshë.  Tani, ndërsa Zakaria po shërbente si prift para Perëndisë kur kishte radhën ndarja e tij,+  pra, sipas rregullit* të vendosur për priftërinë, i erdhi radha të hynte në shenjtëroren e Jehovait*+ që të paraqiste temjan.+ 10  Gjithë populli po lutej përjashta në orën kur po paraqitej temjani. 11  Atij iu shfaq engjëlli i Jehovait,* që qëndronte në këmbë në të djathtë të altarit të temjanit. 12  Kur e pa, Zakaria u shqetësua dhe e zuri frika. 13  Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakaria, sepse Perëndia e ka dëgjuar përgjërimin tënd, dhe gruaja jote, Elizabeta, do të të lindë një djalë, të cilin do ta quash Gjon.+ 14  Ti do të kesh gëzim e hare të madhe, dhe shumë veta do të gëzojnë për lindjen e tij,+ 15  sepse do të jetë i madh në sytë e Jehovait.*+ Mirëpo ai nuk duhet të pijë fare verë a ndonjë pije tjetër alkoolike+ dhe do të mbushet me frymë të shenjtë që para se të lindë.*+ 16  Ai do t’i kthejë shumë nga bijtë e Izraelit te Jehovai,* Perëndia i tyre,+ 17  dhe do të ecë përpara Tij me frymën dhe fuqinë e Elijas,+ që t’i kthejë zemrat e etërve si të fëmijëve*+ dhe të pabindurit në udhën e mençur* të të drejtëve, për të bërë gati për Jehovain* një popull të përgatitur.»+ 18  Zakaria e pyeti engjëllin: «Nga ta di që kjo do të ndodhë vërtet? Se unë jam i moshuar dhe gruaja ime është mjaft e shkuar në moshë.» 19  Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli,+ që qëndroj pranë Perëndisë,+ dhe ai më dërgoi të flas me ty e të të shpall këtë lajm të mirë. 20  Por, meqë nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e caktuar, nga tani, ti nuk do të flasësh dot dhe do të jesh i pagojë deri ditën kur të ndodhin këto gjëra.» 21  Ndërkaq, populli ishte akoma jashtë e po priste Zakarinë, i çuditur që po vonohej kaq shumë në shenjtërore. 22  Kur doli, Zakaria nuk fliste dot, dhe populli e mori me mend se kishte parë një shfaqje të mbinatyrshme* në shenjtërore; ngaqë mbeti i pagojë, fliste me shenja. 23  Me të mbaruar ditët e shërbimit të tij të shenjtë, Zakaria u kthye në shtëpi. 24  Ca kohë më vonë, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Ajo nuk doli nga shtëpia për pesë muaj dhe thoshte: 25  «Ja si ka vepruar Jehovai* me mua tani. Ai më ka kushtuar vëmendje, që të më heqë poshtërimin në sytë e njerëzve.»+ 26  Kur ajo ishte në muajin e gjashtë, Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel+ në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, 27  te një virgjëreshë+ e fejuar me një burrë të quajtur Jozef, nga shtëpia e Davidit. Emri i virgjëreshës ishte Mari.+ 28  Kur doli para saj, ai tha: «Përshëndetje, o shumë e pëlqyera, Jehovai* është me ty!» 29  Mirëpo atë e turbulluan shumë këto fjalë dhe po përpiqej të kuptonte ç’do të thoshte kjo përshëndetje. 30  Atëherë engjëlli vazhdoi: «Mos ki frikë, Mari, sepse ti ke gjetur pëlqim në sytë e Perëndisë. 31  Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë+ dhe do t’ia vësh emrin Jezu.+ 32  Ky do të jetë i madh+ e do të quhet Bir i Më të Lartit,+ dhe Perëndia Jehova* do t’i japë fronin e Davidit, të atit.+ 33  Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit, dhe Mbretëria e tij s’do të ketë fund.»+ 34  Por Maria e pyeti engjëllin: «Si do të ndodhë kjo, përderisa unë s’kam pasur marrëdhënie me asnjë burrë?»+ 35  Engjëlli iu përgjigj: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti+ dhe fuqia e Më të Lartit do të prehet mbi ty. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë,+ Bir i Perëndisë.+ 36  Edhe Elizabeta, e afërmja jote, është shtatzënë dhe pret një djalë tani në pleqëri. Ajo që e quanin shterpë, është në muajin e gjashtë, 37  sepse asgjë* nuk është e pamundur për Perëndinë.»+ 38  Atëherë Maria tha: «Ja, skllavja e Jehovait!* Le të më ndodhë sipas fjalës sate.» Pas kësaj engjëlli u largua nga ajo. 39  Prandaj Maria u nis menjëherë ato ditë dhe shkoi në një qytet të rajonit malor të Judës. 40  Atje hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41  Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja në barkun e saj kërceu, dhe ajo u mbush me frymë të shenjtë. 42  Elizabeta thërriti me zë të lartë dhe tha: «E bekuar je mes grave dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43  Ç’është ky privilegj për mua, që të vijë tek unë nëna e Zotërisë tim?! 44  Se ja, sapo dëgjova zërin tënd kur më përshëndete, foshnja në barkun tim kërceu nga gëzimi. 45  E lumtur është edhe ajo që besoi, sepse ato që i tha Jehovai,* do të përmbushen plotësisht!» 46  Maria i tha: «Shpirti im* madhëron Jehovain*+ 47  dhe zemra* ime s’ka si të mos ngazëllohet për Perëndinë, Shpëtimtarin tim,+ 48  sepse i ka kushtuar vëmendje skllaves së tij+ të parëndësishme. Ja, tani e tutje, të gjithë brezat do të më quajnë të lumtur,+ 49  sepse i Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua, i shenjtë është emri i tij,+ 50  dhe u tregon mëshirë brez pas brezi atyre që i frikësohen.*+ 51  Me krahun e tij ka bërë vepra të fuqishme dhe i ka shpërndarë andej-këtej zemrat fodulle.+ 52  Ai i ka zbritur nga fronet burrat e pushtetshëm+ dhe i ka lartësuar të përulurit,+ 53  i ka ngopur të uriturit plot me të mira+ dhe i ka kthyer duarbosh të pasurit. 54  I ka ardhur në ndihmë Izraelit, shërbëtorit të vet, e kështu nuk e ka harruar premtimin se do t’u tregonte gjithnjë mëshirë+ 55  paraardhësve tanë, Abrahamit dhe pasardhësit*+ të tij.» 56  Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, e pastaj u kthye në shtëpi. 57  Tani, Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58  Fqinjët e farefisi dëgjuan se Jehovai* kishte treguar shumë mëshirë për të, dhe u gëzuan bashkë me të.+ 59  Ditën e tetë ata shkuan të rrethpritnin fëmijën e vogël+ dhe kishin ndër mend t’i vinin emrin e të atit, Zakaria. 60  Por e ëma u tha: «Jo! Ai do të quhet Gjon.» 61  Atëherë i thanë: «Në farefisin tënd nuk ka asnjë me këtë emër.» 62  Pastaj, me shenja, e pyetën të atin si donte ta quante fëmijën. 63  Ai kërkoi një pllakë shkrimi dhe shkroi: «Emri i tij është Gjon.»+ Atëherë të gjithë u befasuan. 64  Në çast, Zakarisë i erdhi goja, iu zgjidh gjuha dhe nisi të fliste+ e të lëvdonte Perëndinë. 65  Të gjithë ata që banonin në lagjen e tyre, mbetën gojëhapur, dhe lajmi për këto gjëra mori dhenë në mbarë rajonin malor të Judesë. 66  Tërë ata që i dëgjuan, thoshin me vete: «Ç’do të bëhet vallë ky fëmijë?!», sepse dora e Jehovait* ishte vërtet me të. 67  Atëherë Zakaria, i ati, u mbush me frymë të shenjtë dhe profetizoi: 68  «Lëvduar qoftë Jehovai,* Perëndia i Izraelit,+ sepse i erdhi keq për popullin e vet dhe e çliroi.+ 69  Ai ngriti për ne një bri shpëtimi*+ në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij,+ 70  ashtu si kishte thënë që nga kohët e lashta me gojën e profetëve të vet të shenjtë,+ 71  që të na shpëtojë nga armiqtë dhe nga dora e të gjithë atyre që na urrejnë,+ 72  që t’u tregojë mëshirë paraardhësve tanë dhe të kujtojë besëlidhjen e tij të shenjtë,+ 73  betimin që i bëri Abrahamit, paraardhësit tonë,+ 74  që, pasi të jemi çliruar nga duart e armiqve, të na japë privilegjin t’i bëjmë shërbim të shenjtë pa frikë, 75  me besnikëri dhe drejtësi për gjithë ditët tona. 76  Kurse ti, biri im, do të quhesh profet i Më të Lartit, sepse do të shkosh përpara Jehovait,* që të përgatitësh udhët për të,+ 77  që të shpallësh mesazhin e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve+ 78  falë zemërdhembshurisë së Perëndisë tonë. Kjo dhembshuri nga lart do të shkëlqejë mbi ne si agimi, 79  që t’u japë dritë atyre që dergjen në errësirë e në hijen e vdekjes+ dhe që të drejtojë këmbët tona në udhën e paqes.» 80  Ndërkohë fëmija rritej e forcohej me anë të frymës së Perëndisë. Ai qëndroi në shkretëtirë deri ditën kur iu shfaq hapur Izraelit.

Shënimet

Ose «që janë plotësisht të besueshme për ne».
Fjalë për fjalë «shërbëtorë».
Ose «zakonit».
Ose «që në bark të nënës».
Ose «që t’i kthejë zemrat e etërve te fëmijët».
Ose «e mençurisë praktike».
Ose «një vegim».
Ose «asnjë fjalë që ka thënë».
Ose «Gjithë qenia ime». Shih Fjalorthin.
Ose «fryma». Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «një shpëtimtar të fuqishëm». Shih Fjalorthin, «Briri».