Sipas Lukës 11:1-54
11 Në një rast Jezui po lutej dhe, kur mbaroi, një nga dishepujt i tha: «Zotëri, na mëso si të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni dishepujt e vet.»
2 Atëherë ai u tha: «Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë, u shenjtëroftë* emri yt!+ Ardhtë Mbretëria jote!+
3 Na jep bukë çdo ditë, sipas nevojës së ditës.+
4 Na i fal mëkatet,+ sepse edhe ne i falim ata që mëkatojnë kundër nesh.*+ E mos lejo të biem* në tundim.’»+
5 Pastaj vazhdoi: «Ta zëmë se keni një mik dhe shkoni tek ai në mes të natës e i thoni: ‘O mik, më jep hua tri bukë,
6 sepse sapo më erdhi një shok nga një udhëtim dhe s’kam ç’t’i nxjerr.’
7 Por ai ju përgjigjet nga brenda: ‘Mos më shqetëso më! Tashmë e kam mbyllur derën dhe fëmijët janë në shtrat me mua. Nuk çohem dot për të të dhënë ndonjë gjë.’
8 E pra, unë po ju them se edhe po të mos çohet që t’ju japë ndonjë gjë për hir të miqësisë, me siguri do të ngrihet dhe do t’ju japë çfarë t’ju nevojitet ngaqë këmbëngulët fort.+
9 Prandaj po ju them: vazhdoni të kërkoni+ dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet,+
10 sepse kush kërkon, merr,+ kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.
11 Vërtet, cili është ai baba që, po t’i kërkojë i biri një peshk, i jep një gjarpër në vend të peshkut?+
12 Apo, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
13 Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë,* dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati që është në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.»+
14 Më vonë, Jezui dëboi nga një njeri një demon që e kishte lënë të pagojë.*+ Kur demoni doli, i pagoji foli dhe turma u mahnit.+
15 Por disa thanë: «Ai i dëbon demonët me anë të Belzebubit,* sundimtarit të demonëve.»+
16 Kurse disa të tjerë donin ta vinin në provë, prandaj nisën t’i kërkonin një shenjë+ nga qielli.
17 Duke e ditur si mendonin,+ ai u tha: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe një shtëpi e përçarë, bie.
18 Po ashtu, nëse Satanai është i përçarë, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Se ju thoni që unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit.
19 Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë* tuaj? Ja pse bijtë tuaj do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por, nëse unë i dëboj demonët me anë të gishtit të Perëndisë,+ atëherë Mbretëria e Perëndisë ju ka gjetur vërtet në befasi.+
21 Kur një burrë i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, zotërimet e tij janë të sigurta.
22 Por, kur një tjetër më i fortë e sulmon dhe e mund, ai njeri ia merr të gjitha armët te të cilat kishte besim dhe i ndan me të tjerët gjërat që i grabiti.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.+
24 Kur një frymë e ndyrë* del nga një njeri, ajo kalon nëpër vende të shkreta në kërkim të një vendi ku të pushojë, por nuk gjen asnjë. Atëherë thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë nga dola.’+
25 Me të mbërritur atje, e gjen shtëpinë të pastruar e të zbukuruar.
26 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të ndryshme, më të liga se vetja, dhe hyjnë e banojnë atje. Kështu, përfundimisht, gjendja e atij njeriu bëhet më e keqe se në fillim.»
27 Ndërsa po thoshte këto fjalë, një grua nga turma thirri me zë të lartë: «Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë që të ushqyen!»+
28 Por ai tha: «Më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»+
29 Kur po grumbulloheshin turmat, ai nisi të thoshte: «Ky brez është i lig dhe kërkon një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait,+
30 sepse ashtu si Jonai+ ishte si një shenjë për ninevitët, po ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brez.
31 Mbretëresha e jugut+ do të ringjallet Ditën e Gjykimit bashkë me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar mençurinë e Solomonit. Por ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.+
32 Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen Ditën e Gjykimit bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.
33 Askush nuk e ndez llambën që ta vërë në një vend të fshehtë a nën shinik,* por e vë në mbajtësen e vet,+ në mënyrë që ata që hyjnë në dhomë, ta shohin dritën.
34 Llamba e trupit është syri. Kur syri yt është i përqendruar,* edhe gjithë trupi yt është i ndriçuar,* por, kur është lakmitar,* edhe trupi yt është i errët.+
35 Prandaj ji syçelë që drita jote të mos kthehet në errësirë.
36 Nëse i gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, ai do të jetë i gjithi po aq i ndriçuar sa një llambë që jep dritë me shkëlqimin e saj.»
37 Pasi tha këto fjalë, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e tij. Kështu Jezui shkoi atje dhe u shtrua në tryezë.
38 Mirëpo fariseu u befasua kur pa se ai nuk i lau duart* para se të hante drekë.+
39 Atëherë Zotëria i tha: «Ju farisenjtë pastroni nga jashtë kupën dhe pjatën, por brenda jeni plot lakmi dhe ligësi.+
40 Të paarsyeshëm! Ai që bëri anën e jashtme, a nuk bëri edhe anën e brendshme?
41 Jepuni, pra, të varfërve si dhuratë* gjërat që keni brenda në zemër, dhe pastaj do të jeni të pastër në çdo gjë.
42 Mjerë ju, farisenj, sepse jepni të dhjetën e mendrës,+ të ryzës dhe të çdo erëze tjetër, por shpërfillni drejtësinë e Perëndisë dhe dashurinë për Të! Është e vërtetë që këto gjëra duhej t’i bënit, por pa shpërfillur gjërat e tjera.+
43 Mjerë ju, farisenj, sepse vdisni të zini vendet e para* në sinagoga dhe t’ju përshëndetin nëpër sheshe pazari!+
44 Mjerë ju, sepse jeni si ato varret* që mezi dallohen,*+ mbi të cilat njerëzit ecin pa e kuptuar!»
45 Menjëherë, një nga ata që e njihte mirë Ligjin, i tha: «Mësues, me këto fjalë ti na fyen edhe ne.»
46 Atëherë iu përgjigj: «Mjerë edhe ju që e njihni mirë Ligjin, sepse u vini njerëzve ngarkesa të rënda për të mbajtur, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i prekur!+
47 Mjerë ju, sepse ndërtoni varret e profetëve,* kur faktikisht vetë paraardhësit tuaj i vranë!+
48 Ju sigurisht e dini mirë çfarë bënë paraardhësit tuaj, e prapëseprapë i miratoni. Ata vranë profetët,+ kurse ju u ndërtoni varret.
49 Ja pse, me mençurinë e vet Perëndia* tha: ‘Unë do t’u dërgoj profetë e apostuj. Disa prej tyre do t’i vrasin e do t’i përndjekin,
50 me qëllim që ky brez të mbajë faj* për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës,+
51 po, që nga gjaku i Abelit+ deri te gjaku i Zakarisë, që u vra midis altarit dhe shtëpisë.’*+ Unë po ju them se ky brez do të mbajë faj* për gjakun e tyre.
52 Mjerë ju që e njihni mirë Ligjin, sepse e keni hequr çelësin që hap derën e njohurisë! Mirë që vetë nuk keni hyrë, por pengoni edhe ata që duan të hyjnë!»+
53 Prandaj, kur doli që andej, skribët dhe farisenjtë filluan t’i bënin jashtë mase presion dhe ta mbytnin me shumë pyetje,
54 që ta futnin në grackë dhe ta kapnin me fjalët e veta.+
Shënimet
^ Ose «u konsideroftë i shenjtë».
^ Fjalë për fjalë «borxhlinjtë tanë».
^ Fjalë për fjalë «mos na ço».
^ Fjalë për fjalë «të ligj».
^ Fjalë për fjalë «një demon të pagojë».
^ Një emër tjetër për Satanain.
^ Ose «ndjekësit; ithtarët».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.
^ Ose «i kthjellët». Fjalë për fjalë «i thjeshtë».
^ Ose «plot dritë».
^ Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «i keq; i lig».
^ Domethënë, nuk i pastroi ceremonialisht duart.
^ Ose «Jepni lëmoshë». Shih Fjalorthin.
^ Ose «më të mira».
^ Ose «varret përkujtimore».
^ Ose «pa gur varri».
^ Ose «varret përkujtimore të profetëve».
^ Fjalë për fjalë «mençuria e Perëndisë».
^ Ose «që këtij brezi t’i kërkohet llogari».
^ Ose «tempullit».
^ Ose «këtij brezi do t’i kërkohet llogari».